Lidhje

Keri, Eduards - fushatë në katër shtete të vendit - 2004-07-06


Në Shtetet e Bashkuara, kandidati demokrat për president Xhon Kerry dhe kandidati për nënpresident Xhon Edwards do të fillojnë sot një fushatë në katër shtete të vendit.

Gjatë turneut ata do të ndalen në shtete të tillë ku konkurrenca është e ashpër si Pensilvania, Ohio, Florida dhe Karolina e Veriut, vendlindja e senatorit Edwards.

Pritet ndërkohë që Presidenti Bush të bëjë sot fushatë në shtetet e Karolinës së Veriut dhe Miçiganit.

Por Shtëpia e Bardhë thotë se vizita e presidentit në Karolinën e Veriut ishte organizuar para se senatori Kerry të bënte dje emërimin e zotit Edwards si kandidat për nënpresident.

Presidenti Bush tha se e përshëndeste emërimin e zotit Edwards si kandidat për nënpresident. Ai tha se edhe nënpresidenti Dick Cheney i kishte telefonuar senatorit për ta uruar, i cili ka qenë avokat i susksesshëm para se të bëhej senator në vitin 1998.

Megjithatë, Komiteti Kombëtar Republikan e quajti zotin Edwards ”një liberal pa ide dhe të paformuar”.

Xhon Kerry zgjedh Senatorin Xhon Edwards si kandidat për nënpresident

Senator Kerry, që mendohet se do të emërohet nga partia e tij si kandidati demokrat për president, e bëri njoftimin në një tubim në Pittsburg.

“Është njeri që ka treguar burrëri, vendosmëri dhe aftësi politike gjatë garës së tij. Është person, të cilin jeta e përgatitur për rol udhëheqës dhe që karakteri i të cilit ia bën të mundur ushtrimin e këtij roli. Jam i lumtur të njoftoj se, me ndihmën tuaj, nënpresidenti i ardhshëm i Shteteve të Bashkuara do të jetë senatori John Edwards”,-tha zoti Kerry.

Zoti Edwards është 51 vjeç. Ai përfaqëson në Senat Karolinën e Veriut që nga viti 199. Ai kishte vendosur që të mos kërkonte të zgjidhej për një mandat tjetër si senator, por konkurroi si president, duke fituar vetëm zgjedhjet paraprake në shtetin e tij të lindjes - Karolinën e Jugut.

Senator Kerry e zgjodhi atë në vend të demokratëve më me përvojë, si ligjvënësi nga shteti Misouri, Richard Gephard, dhe senatori nga Florida, Bob Graham.

Por stili energjik i senatorit Edwards në fushatë dhe mesazhi i tij optimist gjeti përgjigje pozitive tek votuesit demokratë dhe një sondazh i kohëve të fundit për kandidatë të mundshëm demokratë për nënpresident nxirrte në krye zotin Edwards.

Fushata e zotit Kerry e bëri njoftimin fillestar përmes një e-maili dërguar përkrahësve në mbarë Amerikën. Senator Kerry thotë se John Edwards ka aftësinë t’u drejtohet një spektri të gjerë votuesish në zgjedhjet e nëntorit.

“Siç e dini, unë jam i vendosur të tërheqim edhe votues jodemokratë, t’i drejtohemi zemrës së Amerikës dhe të flasim për shpresë dhe optimizëm dhe John Edwards do të jetë me mua në këtë fushatë”,- tha Senatori Kerry.

Senatori Edwards ka qenë avokat për shumë vjet para se të hynte në politikë dhe pati marrë emër duke fituar disa gjyqe që kishin tërhequr vëmendje të madhe.

Avantazhe dhe disavantazhe

Analistë politikë thonë se zgjedhja e zotit Edwards ka pika pozitive dhe pika negative për fushatën demokrate. Ja si shprehet eksperti në Universitetin e Virgjinias, Larry Sabato:

“Senator Edwards sjell në fushatën demokrate energji të madhe, ndikim tek zgjedhësit, gjë që i nevojitet kësaj fushate. John Kerry nuk e ka atë forcë tërheqëse”,- thotë analisti.

Por Larry Sabato thotë gjithashtu se republikanët do të vënë në diskutim nëse John Edwards ka përgatitjen e duhur për të qenë nënpresident.

“Edwards nuk e ka përvojën e duhur. Nuk ka shërbyer ansjëherë në ndonjë zyrë publike para se të zgjidhej senator dhe ka një autobiografi të shkurtër në senat. Ai nuk ka treguar ndonjë përkushtim të spikatur si senator, kështu që unë mendoj se mund të shtrohet ndershmërisht pyetja nëse ai është gati për t’u bërë nënpresident në këto kohë të rrezikshme”, -thotë zoti Sabato.

Senatori Edwards nuk ishte i pranishëm në tubimin e Pittsburgut me Senatorin Kerry, por që të dy pritet të zhvillojnë fushatë së bashku gjatë kësaj jave.

Kanditura presidenciale demokrate do të miratohet nga delegatët në kuvendin kombëtar të partisë më vonë gjatë këtij muaji, kur të zhvillohet në Boston.

Ndërkaq, Presidenti Bush, nga ana e tij, e përshëndeti përfshirjen e senatorit Edwards në garën presidenciale. Ai tha se nënpresidenti Dick Cheney i kishte telefonuar më parë senatorit Edwards për ta uruar.

“Nënpresidenti e thirri atë herët në mëngjes, pasi ishte bërë njoftimi, për t’i dhënë mirëseardhjen në garën presidenciale, ashtu si edhe unë, dhe pres me padurim për një konkurrim të mirë dhe të gjallë”,- tha presidenti Bush.

Partia e Presidentit, ajo republikane, kontribuoi në këtë konkurrim të gjallë me një kritikë të gjatë ndaj karrierës së senatorit. Në mënyrë të përsëritur republikanët vunë në diskutim përvojën e senatorit Edwards në fushën ushtarake dhe politikën e jashtme duke thënë se fushatës së tij në zgjedhjet paraprake i mungonte substanca.

Partia Republikane theksoi se zoti Edwards ka drejtuar hartimin e 74 projektligjeve në Senat, asnjëri prej të cilëve nuk ka arritur të kthehet në ligj.

Republikanët thonë se Senatori Edwards ka një program kundër rritjes ekonomike, të ashpër ndaj taksapaguesve, meqenëse ka votuar kundër shkurtimit rekord të taksave të ndërmarrë nga Presidenti Bush, dhe se është kundër Zonës së Tregëtisë së Lirë në Amerikën Veriore apo NAFTA-s.//lk //

XS
SM
MD
LG