Lidhje

Ish-Presidenti Clinton: Angazhimi amerikan në Ballkan të vazhdojë përsa kohë të jetë e nevojshme - 2004-07-08


Ish-Presidenti amerikan Bill Clinton thotë se Shtetet e Bashkuara duhet të mbeten të angazhuara në Ballkan, përsa kohë të jetë e nevojshme. Zoti Clinton e bëri këtë koment të mërkurën duke iu përgjigjur pyetjeve të shërbimit shqip të Zërit të Amerikës, në një librari në Washington, ku kishte shkuar për të nënshkruar kopje të librit të tij “Jeta ime”. Ish-presidenti Clinton i quajti arritjet dhe fushatën e nxitur nga administrata e tij në Kosovë, si një nga sukseset e rëndësishme të Presidencës së tij.

Ish-Presidenti Clinton flet në librin e tij “Jeta ime” për luftën në Kosovë dhe për Bosnjen, por deri tani ai nuk kishte folur për gazetarët për këtë pjesë të librit. Para se të fillonte të nënshkruante librat, ai pranoi të fliste për shërbimin shqip të Zërit e Amerikës, për rëndësinë që kishte për presidencën e tij angazhimi në Ballkan. “Në libër unë shkruaj gjerësisht për punën që kemi bërë në Ballkan, në fillim në Bosnje dhe më pas në Kosovë. Bindja ime ishjte se njerëzit atje po keqtrajtoheshin në mënyrë mizore dhe se Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja duhet t’i mbronin ata, por edhe se ishte në interesin e Evropës për ta bërë një gjë të tillë. Njëri nga synimet e mia madhore si President ishte që të ndihmoja Evropën që të bëhej e bashkuar, demokratike dhe në paqe për herë të parë në histori dhe një gjë e tillë nuk mund të bëhej pa përmbysur Millosheviçin dhe pa zgjidhur problemet në Ballkan. Kështuqë unë e konsideroj një gjë të tillë një nga arritjet e rëndësishme të Presidencës sime”.

Por ish-Presidenti Clinton foli edhe për ndjesitë e tij personale lidhur me Kosovën.

“Në një nivel thjesht njerëzor, kur ata miliona njerëz nga Kosova arrritën të ktheheshin në shtëpitë e tyre, pasi Hillaria dhe unë i vizituam në kampet e refugjatëve në Maqedoni, për shembull, isha shumë i lumtur”.

Zoti Clinton foli edhe për gjendjen e sotme në Kosovë dhe Ballkan dhe për nevojën e angazhimit amerikan atje:

“Atje ka ende probleme dhe mendoj se do të vazhdojë të ketë derisa të kemi një politikë të qëndrueshme dhe gjendje të mirë ekonomike. Një nga gjërat që bëmë në fund të mandatit tim ishte mbështetja e Bashkimit Evropian për krijimin e Paktit të Stabilitetit për Evropën Juglindore, por ai ka nevojë për fonde dhe ne duhet të qëndrojmë atje përsa kohë të jetë e nevojshme për të ruajtur stabilitetin. Po ashtu puna me gjykatën e krimeve të luftës duhet të ecë përpara, duhet të vendoset drejtësia në vend, duhet të vazhdojnë përpjekjet derisa të kapen përgjegjësit kryesorë të mizorive në Bosnje dhe gjithashtu duhet të realizohet zhvillimi ekonomik”, tha ish-Presidenti.

Libraria Barnes and Noble ishte e dyta këtu në Washington, ku zoti Clinton nënshkroi librat e tij. Ish-presidenti ishte shumë i afruar me vizitorët, foli me të gjitha ata dhe herë pas here bënte shaka me ta. Interesimi ishte aq i jashtëzakonshëm sa njerëzit kishin zënë radhë të gjata që të martën pasdite për të nënshkruar librat.

XS
SM
MD
LG