Lidhje

Spahiu: Demokracia shqiptare, peng i një grupi politikanësh - 2004-07-19


Nesër, Komisioni i Helsinkit i Shteteve të Bashkuara do të organizojë një seancë dëshmish për të parë përparimin demokratik që ka shënuar Shqipëria dhe problemet me të cilat po ndeshet vendi në prag të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare. Për të dëshmuar para komisionit është ftuar midis të tjerëve edhe drejtori i Zyrës për Mbrojtjen e Qytetarëve zoti Kreshnik Spahiu, i cili dha këtë intervistë për programin televiziv Ditari:

Zëri i Amerikës: Zoti Spahiu, sot në Tiranë parlamenti pritet të diskutojë mbi deklarimin e pasurive nga Kryeministri Nano, për të cilat ka patur shumë spekullime në shtyp. Në Shqipëri ka një institucion që merret me hetime të tilla. A është seanca e sotme e parlamentit një tregues i mungesës së besueshmërisë tek Inspektoriati për Verifikimin e Pasurive?

Kreshnik Spahiu: Besojmë se, prej kohësh demokracia dhe reformat në Shqipëri mbahen peng nga një grup shumë i vogël politikanësh dhe rasti më i fundit është ai i deklarimit të pasurive ku politikanët shqiptarë dhe zyrtarët e lartë në qeveri injorojnë rregullat e shtetit, ligjin për deklarimin e pasurive dhe Inspektoriatin për deklarimin e pasurive, i cili është një institucion shumë i rëndësishëm. Megjithë vullnetin e mirë të presidentit të Republikës, Moisiu, megjithë monitorimin e shoqërisë civile të këtij ligji, megjithë asistimin e ekspertëve ndërkombëtar apo presionin e opozitës shqiptare, politikanët shqiptar apo zyrtarët e lartë të shoqërisë shqiptare kanë bërë shpesh herë deklarime jo të vërteta. Cinizmi dhe arroganca e këtyre qeveritarëve arriti deri aty sa zoti Fatos Nano deklaroi veten e tij si kryeministri më i varfër në botë duke deklaruar se është i pastrehë dhe jeton në banesën e të shoqes dhe si pasuri të tij deklaroi vetëm një Mercedes Benz të blinduar i cili kushton rreth 150 mijë dollarë. Madje edhe për këtë Mercedes ai kishte harruar se kush ja kish dhuruar. Vetëm në konceptet e politikanëve dhe zyrtarëve shqiptarë mund të konsiderohet një pasuri 150 mijë dollarëshe si dhuratë dhe jo rrushfet. Dhe kjo është si pasojë e monopoleve të politikës. Që nga viti 1990 le të themi, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ndërruar shumë politikanë dhe liderë polikë, qofshin të dështuar qofshin të suksesshëm, ndërsa Shqipëria ka ndryshuar fare pak ose aspak.

Zëri i Amerikës: Ju jeni shprehur ashpër ndaj qeverisë lidhur me luftën ndaj krimit të organizuar. Jo shumë kohë me parë, ju jeni shprehur se shteti nuk duhet të kapë vetëm peshqit e vegjël, por edhe peshkaqënët e krimit të organizuar. Kritikë kanë thënë se korrupsioni në Shqipëri është një problem mjaft i madh që ka arritur në qarqet e larta të qeverisjes shqiptare dhe që është shumë i vështirë që të luftohet. A mendoni ju se qeveria po dështon në këto dy aspekte?

Kreshnik Spahiu: Dy janë problemet kryesore, së pari Shqipëria nuk është më e shqetësuar vetëm nga korrupsioni i nivelit të rrugës, pra nga korrupsioni i marrjes dhe dhënies së rrushfetit po tashmë është pushtuar dhe mbahet peng nga “state capture” kapja e shtetit, nga influenca e biznesit në ndikimet politike dhe në përcaktimet e rregullave apo legjislacionit shqiptar. Së dyti përsa i përket krimit të organizuar dhe trafiqeve. Shqipëria sipas shumë informacioneve qoftë edhe të Organizatës së Kombeve të Bashkuara konsiderohet si Kolumbia e Evropës dhe kjo për faktin se tashmë Shqipëria është prodhuesi kryesor i marjuanës dhe kanabisit në rajon dhe më gjerë. Në këto kushte do të thoja se ky është problemi më i vogël pasi në se do të bënim një referim me Kolumbinë, në këto kushte simboli i narko-trafikut që ishte Pablo Eskobari kurrë nuk guxoi që të kishte ndikim në politikë apo të përfshihej në politikë. Ndërsa Pablo-Eskobarët shqiptar që përfaqësojnë krimin e organizuar synojnë që të kenë pushtet politik dhe të kontrollojnë mediat shqiptare. Gjithashtu një shqetësim shumë i madh është trafiku i qenieve njerëzore në Shqipëri, fëmijët apo vajzat shiten me një çmim sa një kompjuter apo sa një televizor.

Zëri i Amerikës: Një ndër nismat që ka ndërmarrë organizata juaj ka qënë edhe ajo për transparencën e financimeve të partive politike në fushatën zgjedhore. Çfarë rezultatet keni arritur ju nga analiza e të dhënave që ju janë paraqitur deri tani?

Kreshnik Spahiu: Për 14 vjet që kur ra sistemi komunist dhe në Shqipëri u lejua pluralizmi politik, fatkeqësisht partitë politike shqiptare në asnjë rast nuk kanë pranuar të bëjnë transparencën me publikun të financimeve të burimeve të tyre të fushatave elektorale apo të kandidatëve të tyre për deputet apo për pushtetin lokal. Në këto kushte ne pretendojmë që kjo është një nga burimet kryesore nga hapësirat kryesore të lidhjes së krimit të organizuar, të kontrabandës me politikën. Pra ky është momenti në të cilin biznesi, krimi i organizuar dhe trafiku blen pushtetin në Shqipëri dhe partitë politike që duhet të jenë shtyllat e pushtetit të ardhshëm shpeshherë kontrollohen nga kontrabanda dhe nga krimi. Për këto arsye ne vlerësojmë që ndoshta ka ardhur momenti që në Shqipëri të ketë një ndryshim radikal të institucioneve kryesore në vend. Ndoshta modeli turk apo modeli bullgar i ndryshimit së paku 90 përqind të parlamentit shqiptar do të ishte domosdoshmëri për të hapur dritën jeshile të një progresi të zhvillimeve politike dhe ekonomike në vend.

Zëri i Amerikës: Nesër në dëshminë tuaj para komisionit të Helsinkit, cili do të jetë mesazhi apo kërkesat tuaja për këtë komision?

Kreshnik Spahiu: Duke patur parasysh se aty do të jenë disa përfaqësues të Kongresit, në emër të shumë qytetarëve shqiptarë të cilët të pashpresë kanë zgjedhur emigrimin në Evropë apo në Shtetet e Bashkuara të Amerikës apo në emër të publikut i cili nuk ka mundësi ose dëshiron dhe ka shpresë të jetojë në Shqipëri, duke patur parasysh që ne jemi të vendosur të qëndrojmë jashtë politikës dhe larg saj, dhe si forca kryesore jo politike dhe oponenca më e qëndrueshme e arrogancës qeveritare në vend, do të dëshironim mbështetje kryesore nga Shtetet e Bashkuara për iniciativat qytetare dhe alternativat e reja në vend si e vetmja mënyrë për të hapur një proces progresi në vend. Do të thoja këtë pasi shoqëria civile tashmë ka kapacitetet dhe energjinë për të ofruar modele jo vetëm për ndryshim qeverish por për ofruar një model të një qeverisje të mirë. Në Shqipëri janë ndryshuar shumë qeveri por asnjëherë nuk është ndryshuar mënyra e qeverisjes. Për këto arsye në se do të bëhet e mundur kjo, Shtetet e Bashkuara të Amerikës së bashku me këto alternativa të reja duhet me doemos të ndihmojnë Shqipërinë që të përfitoj në fondin e sfidave të Mileniumit dhe të bëjë avokatinë e Shqipërisë për procesin e integrimit në Evropë dhe atë Euroatlantik. Kjo si e vetmja mënyrë për të mbështetur një komb partner e cila vjen jo si pasojë e marrëdhënieve diplomatike bilaterale por si pasojë e një ndjesie që ka kombi shqiptar për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

XS
SM
MD
LG