Lidhje

35 vjetori i uljes së njeriut në Hënë - 2004-07-20


35 vjet më parë më 20 korrik të vitit 1969, njeriu shkeli për herë të parë në një botë tjetër. Astronauti Neil Armstrong doli nga anija me emrin Eagle duke u bërë njeriu i parë që shkelte në sipërfaqen e Hënës.

Ulja e parë në hënë ishte kulminacioni i programit 8 vjeçar Apollo, një demonstrim dramatik i aftësisë inxhinierike të Shteteve të Bashkuara që nisi nga presidenti John Kennedy në një fjalim të vitit 1961 para kongresit. “Besoj se ky vend duhet të angazhohet për të arritur këtë qëllim para fundit të kësaj dekade për të dërguar njeriun e parë në Hënë dhe kthimin e tij të sigurt në Tokë", tha në atë kohë Presidenti Kennedy.

Në kulmin e Luftës së Ftohtë, kjo deklaratë e presidentit ishte një përpjekje për të nxjerrë në pah superioritetin teknologjik amerikan ndaj atij sovjetik, i cili kishte nisur satelitin e parë në orbitën e Tokës dhe anijen e parë në Hënë, dhe së shpejti mund të mposhtëte Shtetet e Bashkuara përsëri me njeriun e parë në orbitën e Tokës.

Por në vitin 1969, konkurenca në hapësirë do të merrte një drejtim tjetër kur Neil Armstrong, Buzz Aldrin dhe Michel Collins hynë në modulin Kolumbia të anijes Apollo 11, e cila ishte vendosur mbi raketën gjigande Saturn-5.

Gati një milion njerëz u mblodhën përgjatë plazheve dhe rrugëve në bregdetin e Floridas pranë qendrës së fluturimeve ku teknikët bënin përgatitjet e fundit. Njëri nga astronautët, Buzz Aldrin ndjeu një si moment vetmie para se të hynte në kabinën e ekuipazhit. "Çasti më i paharruar i asaj dite ishte kur qendrova i vetëm dhe i hodha një vështrim raketës gjigande. Në qetësi, pashë diellin që po lindëte dhe atëhere e kuptova se pas pak çastesh do të niseshim në një rrugë të gjatë për një ngjarje të lavdishme", tregon Aldrin.

Katër ditë pas nisjes, pa asnjë lidhje radiofonike me tokën, anija Eagle u shkëput nga Apollo 11. Kur u sigurua përsëri kontakti me qendrën e kontrollit në Houston, Neil Armstrong konfirmoi se manovra ishte bërë, duke thënë, Eagle, Shqiponja ka krahë.

Por duke zbritur në Hënë, ai pa se sistemi automatik i drejtimit po i çonte ata drejt disa gurëve të mëdhenj. Armstrong e drejtoi vetë anijen në një zonë të sheshtë të quajtur Deti i Qetësisë.

Gjashtë orë e gjysëm më pas, dy astronautët dolën nga anija dhe filluan disa eksperimente, mblodhën copa shkëmbi dhe dheu. Neil Armstrong e përshkruan kështu skenën:

"Eshtë një pamje tepër e rrallë dhe e veçantë. I ngjan shumë shkretërës së Arizonës. Është ndryshe por shumë bukur".

Gjatë ecjes për 2 orë e gjysmë në Hënë, ekuipazhi vendosi flamurin amerikan dhe mori një telefonatë nga presidenti Richard Nixon i cili e quajti këtë një arritje të madhe.

"Nga puna juaj, qiejt u bënë pjesë e botës së njeriut. Për një moment të paçmuar në gjithë historinë njerëzore, të gjithë njerëzit në Tokë janë të bashkuar me krenari për atë që keni arritur", tha presidenti Richard Nixon.

21 orë e gjysmë pas uljes, austronautët Armstrong dhe Aldrin nisën raketat dhe u bashkuan me modulin Kolumbia me astronautin Michael Collins për tu kthyer në tokë duke realizuar kështu atë që Armstrong e quajti trashëgimia e pashuar e Apollo 11-s.

"Arritja e rëndësishme e Apollos ishte demonstrimi se njerëzimi nuk është i gozhduar përgjithmonë në këtë planet dhe se vizionet tona shkojnë më tej se kaq. Mundësitë janë të pafundme", tha Armstrong.

//rd//

XS
SM
MD
LG