Lidhje

Komisioni i Helsinkit shqyrton gjendjen në Shqipëri - 2004-07-20


Zgjedhjet që do të mbahen në Shqipëri vitin e ardhshëm, polarizimi politik, krimi i organizuar, korrupsioni dhe trafiqet e paligjshme ishin ndër temat e një seance dëshmish të mbajtur sot në Uashington nga Komisioni amerikan i Helsinkit, një agjenci e pavarur federale që vëzhgon dhe inkurajon hapat e bëra në zbatimin e marrëveshjeve të Helsinkit për Sigurimin dhe Bashkëpunimin në Evropë. Komisioni përbëhet nga 9 senatorë, 9 anëtarë të Dhomës së Përfaqësuesve dhe nga një zyrtar nga Departamenti i Shtetit, i Mbrojtjes dhe i Tregtisë.

Kryetari i Komisionit amerikan të Helsinkit, anëtari i Kongresit Christopher Smith tha se marrëdhëniet zyrtare midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë janë shumë të mira. Por marrëdhëniet dypalëshe, tha ai, nuk janë thjesht marrëdhënie midis qeverive por edhe midis popujve dhe populli shqiptar ka treguar në shumë raste afërsinë e tij me Shtetet e Bashkuara.

Ai tha se kjo dëshmi organizohet pikërisht sepse Shtetet e Bashkuara duan ta inkurajojnë Shqipërinë të arrijë sukses në tranzicionin e saj demokratik. Ne, tha zoti Smith, duam marrëdhënie të mira dypalëshe por edhe respekt për të drejtat e njeriut dhe për shtetin ligjor.

Është detyra jonë ndaj popullir shqiptar, tha kongresmeni Smith, që ai të ngulë këmbë që të merren masa për të luftuar korrupsionin zyrtar dhe krimin e organizuar. Ai tha se nuk duhet të bëhemi fatalistë dhe nuk duhet t’i quajmë këto fenomene diçka të pashmangëshme.

Komisioni amerikan i Helsinkit, tha zoti Smith, është sidomos i shqetësuar për trafikun njerëzor. Toleranca ndaj korrupsionit dhe krimit në botën e sotme bëhet joshje për kriminelët dhe terroristët.

Kryetari i pranisë së OSBE-së në Shqipëri, Osmo Lipponen, tha se megjithëse treguesit makroekonomikë të Shqipërisë kanë qenë përgjithësisht pozitivë, vemendje e mëtejshme u duhet kushtuar atyre faktorëve socio-ekonomikë që përbëjnë rrezik.

Konsolidimi i shtetit, tha zoti Lipponen, e ka vënë situatën e rendit nën kontroll, por korrupsioni galopant në administratën publike dhe në sektorin juridik dëmton rëndë besimin e publikut. Një faktor tjetër rreziku, tha zoti Lipponen, është krimi i organizuar i cili përfiton nga dobësitë e vazhdueshme në sistemin e policisë dhe të drejtësisë.

Zoti Lipponen tha se pa një atmosferë të normalizuar politike ku forcat politike dhe institucionale të balancojnë njëra-tjetrën, zhvillimi demokratik i vendit nuk do të jetë i plotë.

Shoqëria civile, tha ai, më në fund është njohur si faktor por ende mbetet mjaft e dobët.

Zoti Lipponen i bëri gjithashtu thirrje komunitetit ndërkombëtar që të angazhohet kolektivisht për të ndihmuar në procesin e zgjedhjeve.

Ai tha se ndërveprimi qeveri-opozitë duhet të verë në plan të parë çështjet e qeverisjes së vendit e jo të përqendrohet tek ndarjet partiake.

Gjatë seancës, anëtari i Dhomës së Përfaqësuesve Frank Wolf shprehu preokupim për gjendjen e trafikut njerëzor nga Shqipëria, e cila tha ai duket se mbetet e rëndë. Ai shprehu shqetësim edhe për fenomenin e largimit të trurit nga Shqipëria si dhe për varfërinë midis shtresave të caktuara të popullatës.

Kritika të rrepta i drejtoi klasës politike shqiptare Erion Veliaj, Drejtor Ekzekutiv i Lëvizjes Majft. Ai tha se për fat të keq, kjo klasë politike nuk ka arritur të marrë rolin udhëheqës në procesin e demokratizimit për të nxitur ndryshimet e bëra në Shqipëri gjatë dekadës së fundit. Të rinjtë shqiptarë, tha ai, vështirë se e shikojnë si model ndonjërën prej figurave politike kryesore të vendit. Politikat e dështuara, tha Veliaj, kanë bërë që të shuhen shpresat e të rinjve.

Kongresmeni Christophet Smith u interesua për çështjen e abuzimeve me personat e burgosur ose të ndaluar në Shqipëri. Ai tha se merrte shkas për ta bërë këtë pyetje nga ajo që ndodhi në burgun amerikan Abu Graib të Irakut.

Një çështje tjetër që shtruan anëtarët e Komisionit të Helsinkit ishte nëse shqiptarëve u dërgohet i njëjti mesazh nga aktorët e ndryshëm ndërkombëtarë: Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, OSBE-ja, për shembull lidhur me zgjedhjet e ardhëshme.

Zoti Lipponen tha se bashkëpunimi për Shqipërinë brenda komunitetit ndërkombëtar është shumë i ngushtë. Ai tha se megjithëse Shqipëria është aktualisht në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, ajo po shfaq një angazhim shumë të fortë në drejtim të Shteteve të Bashkuara.

Nicholas Pano, profesor i studimeve ballkanike në Universitetin Western Illinois, i bëri një pasqyrë të hollësishme skenës politike shqiptare, duke thënë se qeveria dhe partitë politike duhet t’i japin përparësinë më të lartë përgatitjes për zgjedhjet duke mësuar nga gabimet e së kaluarës. Ai tha se tani që po afrohen zgjedhjet është e qartë se lojrat politike janë një luks që vendi nuk mund ta përballojë. Një Shqipëri e paqendrueshme, tha ai, do të shërbente si shembull negativ për Kosovën dhe për shqiptarët e Maqedonisë.

Ambasadori i Shqipërisë në Uashington, Fatos Tarifa, tha në deklaratën e paraqitur në emër të qeverisë, se vitet e fundit në Shqipëri janë realizuar një numër arritjesh që pjesa më e madhe e të huajve nuk i dinë.

Ai i bëri një përshkrim të hollësishëm arritjeve që sipas tij janë realizuar në ekonomi, në ligjin e pronësisë, në tolerancën fetare dhe të drejtat e pakicave dhe në legjislacionin e zgjedhjeve.

Lidhur me luftën kundër korrupsionit, zoti Tarifa tha se kjo dukuri nuk u shpik në Shqipëri. Ai foli pastaj mbi masat e marra në vend për të luftuar korrupsionin. Ai tha se janë nxjerrë jashtë ligjit të gjitha format e pastrimit të parave.

Përsa i përket trafikut njerëzor, ambasadori Tarifa iu referua një deklarate të Departamentit të Shtetit ku thuhet se sipas ekspertëve rajonalë dhe ndërkombëtarë, roli i Shqipërisë si vend tranzit për Evropën Perëndimore është zvogëluar ndjeshëm.

Por folës të tjerë në seancë, si Kreshnik Spahiu, Drejtor i Zyrës për të Drejtat e Qytetarëve, bëri kritika të ashpra në adresë të qeverisë sidomos lidhur me depërtimin e krimit të organizuar në strukturat e larta shtetërore. Ai tha se industria e ndërtimit, e cila aktualisht po njeh një bum në Shqipëri, thuhet se po lulëzon përgjithësisht me anë të parave të zyrtarëve të korruptuar që janë të lidhur me pastrimin e parave.

Fatmir Mediu, kryetar i Partisë Republikane, u përqendrua te çështja e zgjedhjeve, duke thënë se problemi më i madh që nuk po e lejon Shqipërinë të futet përsëri në rrugën e demokratizimit është pamundësia e shqiptarëve për të votuar në zgjedhje të drejta e të lira.

Në seancë dëshmoi gjithashtu Eduard Selami, ish drejtues i lartë i Partisë Demokratike në vitet 90. Ai tha se përveç grindjeve midis rivalëve politikë, një tjetër çështje që po lihet jashtë vemendjes është fakti se disa zyrtarë të partisë në pushtet përpiqen për interesa vetiake. Në mçnyrë që demokracia të funksionojë, ka rëndësi që si patitë në fuqi edhe ato në opozitë të luajnë një rol kryesor në forcimin e institucioneve demokratike.

Ai kritikoi Partinë Demokratike të opozitës se jo gjithmonë e ka përqendruar vemendjen tek paraqitja e alternativave. Megjithatë, është inkurajuese të shikosh se gjatë vititg të fundit, udhëheqësit e saj kanë’ kërkuar publikisht ide nga shoqëria civile, nga qarqet akademike, nge mediat dhe nga komuniteti i biznesit. Është gjithashtu inkurajuese të dëgjosh nga zyrtarë të kësaj partie se ata do të dëshironin të shihnin njerëz të rinj në pozitat drejtuese të partisë. Opozita, tha zoti Selami, duhet të shikojë më shumë drejt së ardhmes.//ii

XS
SM
MD
LG