Lidhje

Eduard Selami: U takon lojtarëve politikë në Shqipëri të vendosin, nëse duhet t’i kthehem jetës politike - 2004-07-21


Ish-kryetari i Partisë Demokratike, Eduard Selami, nuk e përjashton mundësinë e rikthimin në jetën politike shqiptare, por thotë se nuk ka marrë ndonjë ftesë konkrete. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, ai tha të martën se u takon grupimeve politike që të vendosin për një gjë të tillë, pasi ata janë lojtarët kryesorë. Zoti Selami ishte i ftuar në seancën për Shqipërinë që organizoi Komisioni Amerikan i Helsinkit.

Zëri i Amerikës: Zoti Selami, ju ndoqët seancën për Shqipërinë të organizuar nga Komisioni i Helsinkit dhe ju i ndiqni me siguri zhvillimet në Shqipëri. Si mendoni se është situata në Shqipëri aktualisht dhe çfarë doli nga kjo seancë, sipas mendimit tuaj?

Eduard Selami: Në radhë të parë unë dua të falenderoj Komisionin e Kongresit, Senatit amerikan për këtë seancë e cila drejton vëmendjen drejt Shqipërisë dhe siç e ndoqët edhe ju, siç pata rast ta ndjek edhe unë, Komisioni ka shqetësimet e veta për situatën në Shqipëri. Duke vlerësuar arritjet që janë bërë, njëkohësisht theksoi edhe vështirësitë që ka dhe në radhë të parë dhe kryesorja, rëndësinë që kanë zgjedhjet e vitit 2005 për proceset demokratike në Shqipëri. Shqetësimi kryesor i Komisionit është që 2005-a është një test shumë i madh për demokracinë në Shqipëri dhe nuk duhet të përsëritet 1997-a kur Shqipëria bëri një hap shumë të madh mbrapa, pas atij fillimi jashtëzakonisht të suksesshëm të demokracisë në fillim të viteve 1990.

Zëri i Amerikës: Nga pozita që ju i shikoni zhvillimet në Shqipëri, konfliktet atje politike dhe se si zhvillohen ngjarjet atje, cili është mendimi juaj për situatën aktuale në Shqipëri?

Eduard Selami: Natyrisht që unë jam i zhgënjyer që një pjesë jo e vogël, mbase pjesa më e madhe e energjisë politike në Shqipëri, derdhet duke u marrë me njëri-tjetrin dhe duke u grindur me njëri-tjetrin, por në të njëjtën kohë unë jam optimist dhe mendoj që Shqipëria nuk do të përsërisë 1997-ën. Siç e përmenda pak edhe në fjalën time, unë kam besim që pozita do të koncentrohet në mbajtjen e premtimeve për të cilat është votuar, sepse në fund të fundit ai është qëllimi kryesor dhe nga ana tjetër unë kam besim tek opozita, ka sinjale pozitive që ajo do të hartojë një platformë tërheqëse dhe që do të arrijë të ketë sukses në zgjedhjet e ardhshme.

Zëri i Amerikës: Juve a jeni përfshirë tek kjo platformë tërheqëse, keni ndonjë plan që ju vetë të kontribuoni përsëri në jetën politike shqiptare?

Eduard Selami: Akoma asgjë konkrete, por ...

Zëri i Amerikës: A keni patur ndonjë ftesë?

Eduard Selami: Jo konkretisht, ftesat kanë qenë më tepër në distancë, por mendimi im është që është e rëndësishme që grupimet që janë atje dhe lidershipi i atjeshëm të vijë në atë konkluzion, sepse ata janë lojtarët kryesorë.

Zëri i Amerikës: Juve i keni bërë të ditura mendimet tuaja atje, përmes kontakteve tuaja me kolegët tuaj?

Eduard Selami: Kontaktet e mia nuk kanë qenë kontakte të rregullta, por ky ishte një rast, dëshmia që mbajta këtu ishte si të thuash mënyra e kontaktit dhe e bërjes publike të mendimeve të mia.

Zëri i Amerikës: Njëri nga mendimet që ekziston në politikën shqiptare, më saktë jo në politikën shqiptare, por më shumë në jetën civile shqiptare dhe mbase edhe në disa qarqe ndërkombëtare, është që konflikti politik në Shqipëri është përqendruar tek dy persona: zoti Fatos Nano dhe zoti Sali Berisha, megjithëse edhe Partia Socialiste ka problemet e veta brenda saj. Cili është mendimi juaj? A duhet të vijë një brez i ri politikanësh? Ka kaq vjet që flitet për këtë. A mendoni se ka ardhur momenti për një ndërrim të udhëheqjes të partive kryesore politike në Shqipëri?

Eduard Selami: Unë mendoj që këto janë probleme të cilat u takojnë vetë partive për të vendosur për këtë gjë. Për mendimin tim këto janë probleme që u takojnë partive përkatëse të tyre, jo individëve. Po të marr anën e Partisë Demokratike që unë kam drejtuar në bashkëpunim me zotin Berisha, unë pa dyshim vlerësoj kontributin e tij për demokracinë. Asnjeri nuk është i përsosur, por mendoj që ai është lideri legjitim i zgjedhur i Partisë Demokratike dhe unë i qëndroj atij mendimi dhe e respektoj atë si një lider të zgjedhur të Partisë Demokratike.

XS
SM
MD
LG