Lidhje

Shtetet e Bashkuara kanë hartuar një politikë të “tolerancës zero” ndaj ushtarakëve të tyre, të dislokuar në botë, që përfshihen në trafikun e grave - 2004-07-23


Shtetet e Bashkuara kanë hartuar një politikë të “tolerancës zero” ndaj ushtarakëve të tyre, të dislokuar në botë, që përfshihen në trafikun e grave ose krijojnë lehtësira për këtë trafik. Ndërsa një nga zonat, ku ky shqetësim haset është Ballkani, me bazat ushtarake ndërkombëtare, Kryetari i Komisionit Amerikan të Helsinkit, anëtari i Kongresit Christopher Smith, flet në një intervistë për Zërin e Amerikës për këto përpjekje. Zoti Smith, që është edhe anëtar i Nënkomisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Terrorizmin Ndërkombëtar, Mospërhapjen e Armëve Bërthamore dhe të drejtat e njeriut, thotë se me nxitjen e Shteteve të Bashkuara, edhe NATO-ja ka miratuar një politikë të tillë dhe përpjekjet tani janë drejtuar ndaj Kombeve të Bashkuara. Zoti Smith foli edhe për angazhimin e Komisionit që ai drejton për situatën në Ballkan. Fillimisht zoti Smith tregoi se pse lindi nevoja për një luftë të ashpër ndaj trafikut.

Intervistë e anëtarit të Kongresit amerikan, Christopher Smith për Zërin e Amerikës.

Christopher Smith: E gjitha filloi para disa vjetësh, kur ne filluam të vëmë re se trafiku njerëzor, veçanërisht me rënien e Bashkimit Sovjetik, që shumë aparatçikë, shumë njerëz që punonin në KGB, dhe njerëz të korruptuar të shumë qeverive, papritur e pakujtuar, u kthyen në krerë të krimit të organizuar. Gjithmonë ka ekzituar dukuria e trafikut, por asnjëherë në përmasat, ose në nivelin e sofistikuar që kemi sot. Kështu që ne hartuam një kuadër ligjor që përcaktonte dënime deri në burgim të përjetshëm për trafikantët. Pastaj filluam të merreshim me klientët, ose më saktë shfrytëzuesit, dhe zbuluam që ata ishin nëngrupe të caktuara dhe njëri prej tyre doli që ishte ai i paqeruajtësve. Kështu ne morëm masa, Presidenti Bush, i cili ka gjithë meritën për këtë, nxorri politikën për tolerancë zero”, për ushtarët amerikanë kudo që janë dislokuar. Hapi i mëtejshëm ishte NATO-ja. Objektivi ynë i ardhshëm, do të jetë OKB-ja, paqeruajtësit e së cilës dihet që kanë qenë klientë të grave të trafikuara. Duhet të theksoj se një gjë e tillë vlen edhe për kontraktuesit dhe policinë. Përmes seancave tona ne zbuluam se kompania Dinecorp dhe kompani të tjera kontraktuese, kishin njerëz që ishin bashkëfajtorë në trafikun e grave në Ballkan. Kështu ne hartuam një projekt-ligj, ku thuhej se mund t’i hiqen kontratat kompanive amerikane të përfshira në trafik.

Zëri i Amerikës: Sa i rëndë është ky problem në Ballkan?

Christopher Smith: Është shumë i rëndë, përfshirë Bosnjen dhe Kosovën. Në Bosnje problemi është shumë i rëndë. Ne po punojmë me qeverinë boshnjake. Po ashtu edhe Serbia, që në raportin e këtij viti për trafikun ishte në vendin e tretë, po ashtu edhe Rusia ishte një vend i grupit të tretë. Ne po kërkojmë partnerë, që të lirojnë gratë dhe të burgosin trafikantët dhe kjo do të thotë që duhet të luftosh krimin e organizuar, sepse krimi i organizuar po fiton miliarda e miliarda dollarë duke shfrytëzuar këto gra.

Zëri i Amerikës: Çfarë po bën komisioni juaj, tani që vëmendja nuk është më tek Ballkani. Cilat janë përpjekjet tuaja për ta mbajtur gjallë interesin për këtë rajon?

Christopher Smith: Ne në asnjë moment nuk e kemi hequr vëmendjen nga ky rajon. Ndonjëherë nuk marrim një vëmendje aq të madhe nga media, por ne po i angazhojmë çdo ditë parlamentarët, krerët e qeverive, shoqatat jo qeveritare, paqeruajtësit, ushtrinë, të gjitha segmentet e interesuara. Ne kemi në komision, anëtarë të stafit që janë ekspertë për këtë rajon, po ashtu edhe anëtarë të komisionit që shqetësohen shumë për Ballkanin, ndërkohë që njerëz të tjerë thonë “le të merremi tani me rajone të tjera”. Ne duhet të mos e heqim vëmendjen: demokracia është një proces i gjatë dhe të drejtat e njeriut janë një problem që do të mbeten përgjithmonë, kështu që nuk duhet ta largojmë vëmendjen.

Zëri i Amerikës: Sipas disa ekspertëve, gjendja në Kosovë mund të jetë shpërthyese, për shkak të ngjarjeve të marsit dhe sepse statusi përfundimtar nuk është përcaktuar ende. Çfarë po bën komisioni juaj në këtë drejtim?

Christopher Smith: Komisioni ynë, ka mbajtur seanca dhe ka patur të ftuar me peshë, përfshirë kryepeshkopin Artemije, për shkatërrimin e objekteve të shenjta. Duhet thëse se edhe paqeruajtësit nuk u treguan aq vigjilentë sa duhet për të frenuar këto akte shkatërrimi.

Zëri i Amerikës: Por njëra nga arsyet, që është dhënë për ato ngjarje, ishte se njerëzit janë të dëshpëruar, për shkak të mbajtjes pezull të çështjes së statusit.

Christopher Smith: Dialogu dhe negociatat për statusin përfundimtar, sigurisht që janë të nevojshme, por askush nuk është në gjendje që me një të lëvizur të shkopit magjik të përcaktojë statusin përfundimtar. Por e rëndësishme është tani që të garantojmë se nuk do të ketë dhunë, e cila është absolutisht e papranueshme.

//ze//

XS
SM
MD
LG