Lidhje

Një nga temat kryesore të këtij viti zgjedhor në Shtetet e Bashkaura pritet të jetë siguria e brendshme dhe lufta në Irak - 2004-07-27


Avokati shqiptaro - amerikan Bardhyl Tirana, sot drejton zyrën e tij të avokatisë në Uashington. Zoti Tirana, ka marrë pjesë në tre kuvende të partise demokrate, në vitin 1968, 1972 dhe 1976. Ne e ftuam zotin Tirana për të na dhënë mendimet e tij për kuvendin e tanishëm të partisë demokrate.

Zëri i Amerikës: Zoti Tirana Kuvendi Kombëtar Demokrat që filloi dje pritet të zhvillohet sipas një skenari të parapërcaktuar qysh më parë dhe nuk pritet asnjë gjë e re, nuk pritet asnjë mendim ndryshe nga ato të partisë. Në të pritet të vihen në dukje meritat e partisë dhe të thellohet kritika ndaj adminsitratës së Presidentit Bush. Në ksuhte të tilla, kur kuvendet janë tashmë të përcaktuara që më parë cili është roli i tyre?

Bardhyl Tirana: Kuvendi do të përpiqet të përcaktojë programin demokrat, atë që do të bëjë qeveria e Seantori Kerry dhe Senatorit Edwards, cilat do të jenë përparësitë e tyre, në se ata zgjidhen si presidentë dhe nënpresident.

Zëri i Amerikës: Ju keni qënë i pranishëm në disa kuvende të Partisë Demokrate, në vitin 1968 në Çikago, në vitin 1972 dhe në vitin 1976. Në vitin ’68 Paetia Demokrate ishte e përçarë dhe mosmarrëveshjet brenda saj në atë kohë i kushtuan Shtëpinë e Bardhë. Sa kanë ndryshuar kuvendet e partive që nga ajo kohë?

Bardhyl Tirana: Kanë ndryshuar rrënjësisht. Në vitin 1968 1968 Boby Kenedi u vra. Ai do të kishte fituar emërimin e Partisë Demokrate dhe ishte pothuajse e sigurtë që do të ishte zgjedhur president. Por pas vrasjes së tij kishte vetëm 2 muaj deri në Kuvendin e Partisë. Askush nuk e dinte se cili do të ishte kandidati i kësaj partie. Ekzistonte një mundësi e vogël që të emërohej nënpresidenti Humphry. Por ashkush nuk e dinte. Ishte një mister. Deri atëhere, kandidati i partisë për president përcaktohej pikërisht në kuvend. Ndërsa sot të gjithë e dinë se kush do të jetë kandidati para kuvendit.

Zëri i Amerikës: Në ditën e parë të Kuvendit Demokrat në Boston, dje fjalimi kryesor u mbajt nga ish Presidenti Klinton. Para 4 vjetësh, kandidati demokrat në atë kohë, Al Gore, gjatë fushatës së tij elektorale u përpoq ta distanconte veten nga Presidenti i atëhershëm Bill Klinton. Ndërsa tani Seantori Kerry pritet ta shfrytëzojë më shumë emrin e Prewsidentin Klinton dhe vetë presidentin për fushatën e tij elektorale. Çfarë roli ka sot presidenti Klinton në Partinë Demokrate dhe si mund ta ndihmojë ai Senatorin Kerry në këtë fushatë?

Bardhyl Tirana: Presidenti Klinton është një nga komunikuesit më të mirë që mund të gjenden me publikun. Kur ai flet në televizion ose në takime, njerëzit, me përjashtim të një pakice, e kuptojnë dhe gjejnë veten tek ato që ai thotë. Ai ishte shumë i suksesshëm gjatë 8 vjetëve që drejtoi vendin. Roli i Presidentit Klinton sot është t’u kujtojë banorëve, votuesve se në se zgjedhin kandidatin demokrat kohët e mira, kohët e lumtura do të kthehen përsëri, në vend të vështirësive që ka sjellë presidenti Bush dhe nën presidenti Çeni.

Zëri i Amerikës: Një nga temat kryesore të këtij viti zgjedhor në Shtetet e Bashkaura pritet të jetë siguria e brendshme dhe lufta në Irak. Zakonisht në periudha luftrash, presidenti që është në pushtet ka më tepër avantazhe për të fituar. A mendoni se këtë viti do të vazhdojë kështu?

Bardhyl Tirana: Nuk besoj se do të jetë kështu, për arësyen e thjeshtë se lufta ishte e panevojshme, ose të paktën ishte e panevojshme të fillohej dhe të na shkaktonte kaq probleme. Presidenti Bush dhe nëpn presidenti Çeni, nuk i treguan e keq-informuan popullin amerikan dhe shumica e njerëzve e di këtë. Prandaj, avantazhi që ka presidenti në kohë luftrash nuk do të zhfrytëzohet dot nga Presidenti Bush.

Zëri i Amerikës: Dhe një pyetje e fundit. A vazhdoni ju sot të mbani lidhje me Partinë Demokrate? A luani më ndonjë rol në të?

Bardhyl Tirana: Jo nuk kam më ndonjë rol. Njerëzit janë shprehur se politika është loja e të rinjve. Për momentin jo nuk kam më ndonjë rol.

XS
SM
MD
LG