Lidhje

Kuvendi i Partisë Demokrate hyri sot në ditën e dytë - 2004-07-27


Ndër folësit që do të mbajnë sot fjalime në Kuvendin e Partisë Demokrate janë ish-kandidati presidencial dhe ish-guvernatori i Vermontit, Howard Dean, anëtarë të Kongresit, si dhe një tjetër njeri i pazakontë, Ron Reagan, djali i ish-presidentit republikan Ronald Reagan, që vdiq muajin e kaluar.

Fjalimin kryesor do ta mbajë afrikano-amerikani Barack Obama, që po kandidon për në Senatin amerikan. 42-vjeçari Obama thotë se nuk e kupton shkakun e popullaritetit të tij të menjëhershëm. Por, në se zgjidhet, ai do të jetë afrikano-amerikani i vetëm në Senat dhe vetëm i treti në dekadat e fundit.

Zoti Obama lindi në Hawaii. I ati i tij ishte nga Kenia dhe nëna e tij ishte amerikane e bardhë, nga shteti i Kansasit. Kur ishte nxënës në shkollën fillore, nëna e tij u martua me një shtetas indonezian dhe familja e tij u zhvendos në Indonezi.

Ai u diplomua nga Universiteti Columbia dhe nga Fakulteti Juridik në Universitetin Harvard dhe kaloi një pjesë të kohës duke punuar si jurist për të drejtat civile në Harmen dhe Çikago, ku aktualisht shërben i senator i shtetit Ilinois.

Ndërsa delegatët presin fillimin e punimeve të ditës së sotme të Kuvendit, në qendër të bisedave të tyre ishin fjalimet e ditës së djeshme, që u kurorëzuan me personalitetin e Partisë Demokrate, ish-presidenti Bill Clinton.

Zoti Clinton vlerësoi kandidatin presidencial të Partisë Demokrate, John Kerry, si personin që mund ta bashkojë vendin dhe mund t’i forcojë aleancat e Shteteve të Bashkuara me vende të ndryshme të botës.

Ne duhet të zgjedhim për postin e presidentit të ardhshëm njërin prej dy burrave, të cilët që të dy e duan vendin e tyre, por që kanë pikëpamje shumë të ndryshme për botën. Kandidati ynë i Partisë Demokrate, John Kerry, i cili është për ndarjen e përgjegjësive, oportuiniteteve dhe për bashkëpunimin global. Dhe nga ana tjetër, republikanët, me presidentin e tyre dhe partinë e tyre në Kongres, që favorizon përqëndrimin e pasurisë dhe pushtetit në duart e një grupi njerëzish, duke i lënë njerëzit e zakonshëm t’ia dalin mbanë me vështirësi, si dhe që mbështesin veprimet e njëanshme, tha presidenti Clinton.

Në fjalimin e tij, një tjetër ish-president i demokratëve, Jimmy Carter, e akuzoi administratën e presidentit Bush dhe Partinë Republikane se po i çon dëm rastet për unitet me vende të ndryshme të botës pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit të vitit 2001 ndaj Shteteve të Bashkuara.

Pas 11 shtatorit, Amerika qëndroi krenare, e lënduar, por e bashkuar. Një sulm frikacakësh ndaj civilëve të pafajshëm bëri që vende nga e gjithë bota të na ofronin një nivel bashkëpunimi të paparë. Por vetëm në 34 muaj, ne kemi parë plot shqetësim, se si e gjithë ajo dëshirë e mirë ndaj nesh është çuar dëm nga një vazhdë gabimesh dhe llogaritjesh të gabuara, tha zoti Carter.

Presidenti Bush nuk do të shihet shumë në publik gjatë ditëve të Kuvendit të demokratëve. Ai po qëndron në fermën e tij në Teksas. Kuvendi i i Partisë së tij Republikane zhvillohet muajin e ardhshëm në New York.

Ndërkohë, në Boston vazhdojnë protestat, para Qendrës Fleet, ku po zhvillohet Kuvendi i Partisë Demokrate, me pjesëmarrjen e më tepër se 4 mijë e 300 delegatëve të Partisë Demokrate dhe mijëra udhëheqës të kësaj partie. Demonstruesit, të cilët janë kundër luftës në Irak dhe bëjnë thirrje për më tepër liri fjale, e përshkruajnë zonën ku janë lejuar të protestojnë si një kafaz. Por atuoriteet thonë se masat e forta janë marrë për hir të sigurisë.

//ze//

XS
SM
MD
LG