Lidhje

SHBA: Partia Demokrate hap kuvendin kombëtar në Boston - 2004-07-27


Partia Demokrate hapi dje në Boston kuvendin e saj kombëtar duke kritikuar ashpër politikat e presidentit Bush dhe duke ftuar amerikanët që të zgjedhin John Kerrin si president të ardhshëm. Në Kuvend, ish presidentët Bill Clinton dhe Jimmy Carter u bënë thirrje demokratëve të sjellin John Kerry-n në Shtëpinë e Bardhë me zgjedhjet presidenciale të nëntorit. Ata kritikuan republikanët dhe Presidentin Bush për politikën e tij lidhur me Irakun dhe ekonominë. Korrespondenti ynë Dan Robinson na sjell këto hollësi nga kuvendi i Partisë Demokrate amerikane që po mbahet në Boston.

Bill Clinton, i cili vazhdon të luajë rol në politikat e partisë demokrate qysh pas largimit nga Shtëpia e Bardhë, i kritikoi një nga një veprimet e Presidentit Bush dhe vendimet e Kongresit ku shumicën e kanë republikanët. Ai tha se këto veprime dhe vendime u kanë sjellë dëm amerikanëve të thjeshtë.

Zoti Clinton tha se këto politika të republikanëve, duke përfshirë ekonominë, deficitet buxhetore, arsimin dhe sigurimin e vendit, kanë bërë që amerikanët të mos kenë rrugë tjetër por marrin një vendim të rëndësishëm.

”Neve na duhet të zgjedhim për president midis dy njerëzve të fuqishëm të cilët që të dy e duan vendin por që kanë botëkuptime shumë të ndryshme. Nga njëra anë është kandidati ynë, John Kerry, i cili është për ndarjen e përgjegjësive, ndarjen e shanseve dhe për më shumë bashkëpunim global, dhe nga ana tjetër është partia e tyre në Kongres e cila favorizon përqendrimin e pasurisë dhe të pushtetit, duke i bërë njerëzit të përpiqen secili për veten e tij, një parti që është për më shumë veprime unilaterale,” tha zoti Clinton.

Duke iu përgjigjur brohoritjeve dhe durtrokitjeve të fuqishme dhe duke e cilësuar veten e tij si një ushtar të thjeshtë në shërbim të John Kerry-t, zoti Clinton u bëri jehonë drejtpërdrejt mjaft prej temave që u prekën nga shumë folës në natën e parë të kuvendit dhe bëri një kontrast midis atyre që ai quajti vlera demokrate dhe republikane.

”Republikanët në Uashington besojnë se Shtetet e Bashkuara duhet të drejtohen nga njerëzit e tyre, në një botë ku Amerika vepron në mënyrë të njëanëshme kur mundet dhe bashkëpunon kur nuk ka rrugë tjetër. Ata besojnë se roli i qeverisë është të përqendrojë pasuri dhe pushtet në duart e atyre që përqafojnë pikpamjet e tyre ekonomike, politike dhe shoqërore,” tha zoti Clinton.

Po dje në kuvend, ish presidenti Jimmy Carter kritikoi zotin Bush për dërgimin e forcave ushtarake amerikane në Irak, duke thënë se udhëheqësit e mëparshëm amerikanë nuk do ta kishin futur vendin në luftra ”të zgjedhura sipas dëshirës së tyre.”

Zoti Carter u hodhi një vështrim atyre që ai i quajti gabime të bëra nga administrata që pas sulmeve të 11 shtatorit.

"Brenda vetëm 34 muajve, ne kemi vëzhguar me shqetësim të thellë se si ky vullnet i mirë i botës ndaj nesh është shpërdoruar nga një seri pothuajse e pandërprerë gabimesh dhe gjykimesh të papeshuar. Aktet dhe kërkesat e njëanshme i kanë izoluar Shtetet e Bashkuara pikërisht nga ato vende që ne kemi nevojë të na bashkohen për të luftuar terrorizmin," tha ish Presidenti Carter.

Mbrëmë në kuvend foli edhe senatorja Hillary Clinton, e cila tha se nëse zgjidhet, senatori Kerry do të ishte një udhëheqës i shkëlqyer i cili do të udhëhiqte edhe botën e jo ta armiqësonte atë.

Javën e kaluar, komisioni dypartiak 11 shtatori publikoi raportin e tij dhe ky komision as që do të kishte ekzistuar po të mos ishin pjestarët e guximshëm të familjeve të 11 shtatorit, të cilët kërkuan me ngulm që qeveria të formonte një komision të tillë për të hetuar sulmet terroriste, tha zonja Clinton.

Kuvendi i vazhdon punimet nesër me fjalimet e dy demokratëve të cilët në zgjedhjet paraprake të kësaj partie ishin rivalë të zotit Kerry. Nesër do të flasë edhe i biri i ish Presidentit Ronald Reagan, i cili vdiq në muajin qershor.//ii

XS
SM
MD
LG