Lidhje

Banka e Shqipërisë ul sërish normat e interesit - 2004-07-28


Niveli i ulët i inflacionit i cili pritet të ruhet edhe në pjesën e dytë të vitit brenda normave të parashikuara dhe stabiliteti i treguesve ekonomikë ishin arsyet që motivuan Bankën e Shqipërisë që për të katërtën herë me radhë, të ulë, ndonëse në mënyrë të moderuar normën bazë të interesit.

Tashmë ajo është në minimumin e saj historik duke zbritur në 5.5 përqind. Banka e Shqipërisë synon të ruajë normat e ulta të interesit në mbështetje të kreditimit të ekonomisë dhe ruajtjen e një niveli të pranueshëm të kursit të këmbimit në mbështetje të qëndrueshmërisë afatgjatë të pozicionit valutor të vendit, deklaroi guvernatori i Bankës Shkëlqim Cani në raportin e tij mbi analizën e zhvillimeve të 6 mujorit të parë të këtij viti. Në këtë këndvështrim ka shpjeguar ai Banka gjykoi të poërshtatshme hedhjen e hapit tjetër në ciklin e zbutjes së politikës monetare.

Vendimi i sotëm pritet të sjellë ndikime në zbutjen e trysnisë mbivlerësuese të monedhës vendase lekut i cili kohët e fundit ka njohur një forcim të qëndrueshëm ndaj valutave. Ndërhyrja e Bankës vjen në një moment kur tradicionalisht monedha shqiptare njeh forcim të mëtejshëm si pasojë e fluksit të valutave nga emigrantët dhe turistët që vijnë në Shqipëri për sezonin veror, por edhe si pasojë e shtimit në treg të prodhimit vendas. Nga ana tjetër ulja e normës së interesit do të ketë si reagim të menjëhershëm edhe uljen e normave të interesit të depozitave në lekë por edhe të interesave të kredive në monedhën vendase duke favorizuar kështu kreditimin e e ekonomisë në lekë.

Gjatë analizës së 6 mujorit të parë të këtij viti guvernatori Cani ka deklaruar se ekonomia shqiptare ka vazhduar të ruajë ritmet e mërparshme të rritjes, në kufirin rreth 6 për qind. "Sigurimi i stabilitetit makroekonomik, përmirësimi i situatës energjitike në vend, niveli relativisht i kënaqshëm i prodhimit bujqësor dhe mbështetja më e mirë e nevojave të ekonomisë për financim nga sistemi bankar, kanë kontribuar në nxitjen e aktivitetit ekonomik për vitin 2004" eshte shprehur guvernatori. Ekonomia shqiptare parashikon të ruajë stabilitetin e saj edhe në pjesën e dytë të vitit duke e mbyllur 2004 sipas parashikimeve me një rritje prej 6 përqind dhe inflasion brenda niveleve të 2-4 përqind.

//rd//

XS
SM
MD
LG