Lidhje

Programi i Shteteve të Bashkuara Ushqim-për-Paqe mbush 50 vjet - 2004-07-29


Ky vit shënon 50 vjetorin e Programit Ushqim-për-Paqe që sponsorizohet nga Shtetet e Bashkuara. Gjatë pesë dekadave të fundit, Shtetet e Bashkuara kanë dhuruar më shumë se 100 milion tonë ndihma me ushqime për afro 3 miliardë njerëz në 150 vende.

Në vitin 1954, gjatë Luftës së Ftohtë, presidenti Duait Aizenhauer tha “Paqja që kërkojmë mund të forcohet jo përmes armëve luftarake, por me anë të drithit dhe pambukut, qumështit dhe veshmbathjes, mishit dhe lëndës drusore e orizit.” Zoti Aizenhauer e kishte të qartë se duke ushqyer të uriturit do të merrte fuqi edhe kauza e lirisë.

Për fat të keq, sot, urija ende ekziston në shumë pjesë të botës. “Miliona vetë ndeshen me vështirësi të mëdha,” tha presidenti Bush. Por me ndihmën e Shteteve të Bashkuara, tha ai, “ata nuk do ta përballojnë vetëm këtë gjendje.”

“Ne duhet të veprojmë me vendosmëri për të përballuar krizat humanitare të kohës sonë. Vendi ynë po vepron për të shpëtuar njerëz të prekur nga urija. Çdo vend në çdo kontinent duhet të angazhojë me zemërgjerësi burimet e tij për të luftuar kundër sëmundjeve dhe urisë,” tha presidenti Bush.

Në Sudan, qindra mijëra vetë në rajonin e Darfurit të shkatërruar nga lufta janë dëbuar nga shtëpitë e tyre. Përmes programit Ushqim për Paqe, Shtetet e Bashkuara po dërgojnë 100 mijë tonë ushqime për më shumë se 1 milion sudanezë të zhvendosur, si brenda ashtu edhe jashtë vendit, në Çadin fqinj.

Programi Ushqim për Paqe u angazhua në Irak, pas përfundimit të luftimeve kryesore të koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara. Në Afganistan, programi Ushqim për Paqe ka ndihmuar afro 3 milion afganë, të cilët u kthyen në shtëpitë e tyre pasi ishin larguar për t’i shpëtuar regjimit taleban.

Programi Ushqim për Paqe është vendimtar, tha Sekretari i Shtetit Kolin Pauell. “Urija nuk njeh kombësi, dhe ne amerikanët vazhdojmë të dërgojmë grur, misër dhe ushqime të tjera kudo që nevojiten për të shpëtuar jetë njerëzish,” tha Sekretari i Shtetit.

XS
SM
MD
LG