Lidhje

FMN kundër uljes së taksave në Shqipëri - 2004-07-30


Misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar që qëndroi në Tiranë në fund të këtij muaji deklaroi sot se ulja e konsiderueshme e taksave në fazën aktuale do të kompromentonte objektivat e të ardhurave buxhetore dhe financimin e shpenzimeve publike prioritare. Në përgjigje të kërkesës së biznesit shqiptar për reduktimin e taskave, përfaqësuesit e misionit vlerësojnë se kjo mund të ndodhë kur të ardhurat prej tyre të përmirësohen dhe kur të zgjerohet baza e tatim paguesve.

Misioni i fondit monetar Ndërkombëtar diskutoi me autoritete shqiptare rreth realizimit të buxhetit për vitin 2004, paketën fiskale dhe treguesit kryesorë të buxhetit për vitin e ardhshëm. Në përfundim të takimeve ky mision vlerësoi sot se me vazhdimin e politikave të matura monetare dhe fiskale rritja ekonomike e vendit mbetet e fortë dhe inflacioni i ulët. Zbatimi i buxhetit për vitin 2004 sipas drejtuesit të misionit Julio Escolano është në rrugë të mbarë për të përmbushur objektivat e parashikuara. Një nga pikat e nxehta që shkakton vazhdimisht debate ka qenë ajo e politikës fiskale të parashikuar për vitin e ardhshëm. Diskutimet për buxhetin e ardhshëm dhe paketën fiskale kanë nisur prej disa muajsh duke përfshirë edhe përfaqësuesit e biznesit të cilët kanë kërkuar reduktime të taskave dhe një sistem të tatimit mbi vlerën e shtuar të përshkallëzuar. Por edhe për vitin 2005 ngjan të jetë e pamundur që këto kërkesa të plotësohen.

Drejtuesi i misionit të Fondit Monetar Julio Escolano tha sot se kur të ardhurat nga taksat të përmirësohen dhe të jenë reduktuar mospagesat mund të ketë vend për ulje të normave të taksave në të ardhmen. Një ulje e konsiderueshme e taksave në këtë fazë shpjegoi ai do të kompromentonte objektivat e të ardhurave buxhetore dhe financimin e shpenzimeve publike prioritare që lehtësojnë varfërinë dh nxisin rritjen. Edhe ministri i Financave Arben Malaj u shpreh se niveli i uljes së taksave do të kushtëzohet nga efekti që ato do të sjellin në buxhet dhe qëndrueshmëria e buxhetit në tërësi.

Lidhur me politikat monetare misioni i Fondit u shpreh se zhvillimet në sektorin financiar janë inkurajuese dhe se pavarësia e Bankës së Shqipërisë ka luajtur rol qëndror në konsolidimin e politikës monetare dhe kuadrit financiar dhe në besimin e publikut.

Përsa i përket reformave strukturore misioni vlerësoi zhvillimet pozitive në sektroin e energjisë duke deklaruar se reforma të ngjashme duhet të ndërmerren edhe në sektorin e furnizimit me ujë.

Përfaqësuesit e Fondit monetar konstatuan se investimet e huaja direkte në Sjhqipëri mbeten ende të ulta. Rritja ekonomike dhe si rezultat edhe zhvillimi social ekonomik mund te shpejtohen thanë ata duke zgjidhur disa pengesa kyce ne sektorin privat. Për këto arsye misioni mbëhtet zbatimin e planit të veprimit të qeverisë për të hequr barrierat e investimeve. Megjithatë misioni theksoi se nevojiten hapa të mëtejshëm në një numër fushash si në zbatimin strikt e të bazuar në rregulla të ligjeve për taksat dhe doganat, përmirësime në praktiat e rimbursimit të taksave dhe procedurave të ankimimit për taksat, thejshtëzimin e procedurave për dhënien e licencave dhe vazhdimësinë e regjimit të hapur tregtar.

XS
SM
MD
LG