Lidhje

Sekretari amerikan i Shtetit Colin Powell viziton papritur Irakun - 2004-07-30


Sekretari i Shtetit Colin Powell, gjatë një vizite të papritur sot në Irak, ritheksoi angazhimin e Amerikës për qeverinë e përkohshme të Irakut, ndërkohë që kjo e fundit rindërton vendin.

Sekretari Powell u zotua se Washingtoni do të përshpejtojë dhënien e ndihmave prej miliarda dollarësh për të krijuar vende të reja pune dhe për të rindërtuar infrastrukturën e Irakut, e cila tha ai do të kontribuonte në sigurinë e vendit.

Në një konferencë të përbashkët shtypi, zëvëndës-kryeministri Barham Salih tha se ndërtimi i një Iraku demokratik në zemër të Lindjes së Mesme nuk është një propozim i lehtë dhe se irakianët do të kenë nevojë për ndihmë. PO sot, sekretari Powell u takua me presidentin e Irakut, Gazi al-Jawar.

Zoti Powell është zyrtari më i lartë amerikan që viziton kryeqytetin irakian që pas kalimit të sovranitetit në duart e qeverisë së përkohshme më 28 qershor. Ndërkohë, afati i caktuar për ekzekutimin e një shoferi kamjoni të rrëmbyer në Irak kaloi pa ndonjë lajm rreth fatit të të rrëmbyerit.

Një grup, që e quan veten Pankartat e Zeza, po mban peng 3 indianë, 3 kenianë dhe një egjiptian. Rrëmbyesit kërcënuan se do të vrasin sot njërin nga pengjet nëse kompania kuvajtiane që i ka punësuar ata nuk ndal veprimtarinë në Irak.

Në Irak, një sheik fisnor, i cili po përpiqet të ndërmjetësojë lirimin e pengjeve tha se ka shpresë që ekstremistët nuk do ta bëjnë realitet kërcënimin e tyre.

Po sot, duke komentuar mbi valën e rrëmbimeve në Irak, Sekretari i Shtetit Colin Powell tha se nuk mund të lejohet që kjo veprimtari të bëhet pengesë. Zoti Powell foli sot në Bagdat ku i bëri thirje botës që të qëndrojë e bashkuar përballë këtyre krimeve.

//ze//

XS
SM
MD
LG