Lidhje

Roland Mesnier - mjeshtri i kuzhinës - 2004-07-31


Një darkë pa ëmbëlsirë, është një darkë e keqe. Kështu thonë kuzhinierët e Shtëpisë së Bardhë që gatuajnë për presidentin dhe familjen e tij. Njëri nga këta kuzhinierë është Roland Mesnier, i cili deri këtë javë ishte mbreti i ëmbëlsirave për pesë presidentë dhe familjet e tyre. Themi deri këtë javë sepse pas shumë vitesh pune, ai po del në pension. Nuk kanë qenë pak por plot 25 vjet gjatë të cilave atij i është dashur të njihet me shijet e atyre që banojnë apo që vizitojnë Shtëpinë e Bardhë, sepse siç thotë ai, ajo që serviret aty duhet të jetë më e mira në botë.

Roland Mesnier përgatit embëlsirat e tij të fundit.

Pas pesë administratash, ai ende krenohet për çdo lloj ëmbëlsire të re që krijon.

“Ato janë përgatitur në Shtëpinë e Bardhë për pritje të veçanta dhe për Presidentin dhe Zonjën e Parë të Shteteve të Bashkuara. Nuk ka si të bëhet më mirë se kaq. Është maksimumi”, thotë Mesnier.

Në qarqet e kuzhinierëve, Mesnier shihet si gjeni. Për darkat shtetërore ai e merr frymëzimin, apo përdor shijet e vendit të kreut të shtetit që vjen për vizitë. Akullore me kafe për shembull për presidentin e Kenias, vend që prodhon kafe. Pastaj akoma më shumë: Një mulli kafeje, komplet prej çokollate dhe çdo pjatë e zbukuruar me xhirafa prej sheqeri.

“Ajo që serviret atje duhet të jetë më e mira në botë, sipas mendimit tim”, thotë Mesnier.

Ai u mor në punë nga Rosalyn Carter në vitin 1979 dhe ka shërbyer për pesë presidentë me histori të ndryshme, me politikë të ndryshme, shije të ndryshme. Por në një drejtim ai i bëri të ishin të ngjashëm.

“Të gjithë presidentëve u pëlqejnë ëmbëlsirat. Edhe nëse nuk u pëlqenin para se të vinin në Shtëpinë e Bardhë, brenda pak javësh, ata i dashuronin ëmbëlsirat”.

Ish Presaidenti Clinton është një nga klientët e kënaqur.

“Ai është i mrekullueshëm. Ai ishte një pjesë aq e pandashme e Shtëpisë së Bardhë, saqë ne ndjeheshim më shumë pjesë e saj, nga kujdesi që ai tregonte”, thotë Clinton.

Çdo vit për Krishtlindje ai bënte një shtëpi gjigante prej brumi kurabijeje dhe 135 mijë biskota dhe copa keku për festa. Madje edhe një punishte prej çokollate. Kuzhinierë të tjerë thonë se është një mrekulli.

Kjo edhe për arsyen se të gjitha ëmbëlsirat në Shtëpinë e Bardhë bëhen në këtë hapësirë të ngushtë. Edhe çokollatat. Dy makinat e akulloreve nuk bëjnë sasi të mëdha. Frank Ruta që tani ka një restorant të vetin, ka punuar me Rolandin 11 vjet.

“Askush nuk mund ta bëjë atë që bën ai, të punojë për aq shumë orë, nëse nuk ka një pasion të vërtetë për punën e tij”, thotë Franku.

Rolandi nuk beson se ka ushqime të këqia, vetëm gatime të këqia. Me një përjashtim: Dieta me pak karbohidrate.

“Mendoj se është thjesht një fiksim tjetër. Ashtu siç ka patur gjëra të tjera para kësaj. Do të kalojë”.

Ai thotë se një darkë pa ëmbëlsirë, është thjesht një darkë e keqe. Roland Mensier largohet duke lënë pas mijëra kujtime të ëmbla.

XS
SM
MD
LG