Lidhje

BE: sa vjet do t’u duhen anëtarëve të rinj të kapin Evropën Perëndimore? - 2004-08-04


Në Bashkimin Evropian ka filluar një debat lidhur me pyetjen se sa vite do t’u duhen anëtarëve të rinj të tij për të arritur standardet e jetesës që dominojnë në vendet e tjera anëtare. Siç njofton korrespondenti ynë Barry Wood, shumë ekonomistë parashikojnë se edhe atyre vendeve të reja anëtare që kanë ekonomi relativisht të forta do t’u duhen të paktën 30 vjet për të arritur të ardhurat për frymë të Evropës Perëndimore.

Nga vendet e reja anëtare, Sllovakia dhe shtetet baltike përgjithësisht konsiderohen si vendet me rritjen më të shpejtë ekonomike. Secili prej tyre aspiron të arrijë nivelin e njërit prej vendeve më të vjetra anëtare Irlandës, e cila në vitet 90 regjistroi ritme të rritjes ekonomike mbi 8 përqind. Willem Buiter, kryekonomist në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, BERZH në Londër, thotë se Irlanda është një model dinjitoz për vendet e reja anëtare të Bashkimit.

"Irlanda e arriti objektivin. Nga një vend i varfër evropiano perëndimor, ajo është tani një shtet i pasur evropian, më i pasur se sa mesatarja e vendeve evropiane dhe madje edhe se Britania. Por ata kanë pasur një numër faktorësh që i kanë ndihmuar dhe që nuk ekzistojnë në Evropën Lindore, dhe kryesorja prej tyre është demografia."

Irlanda, thotë zoti Buiter, kishte një popullsi shumë të re, të arsimuar dhe që fliste anglisht - gjuha botërore e biznesit. Rritja e mahnitëshme ekonomike e Irlandës, thotë ai, vjen nga thithja e investimeve mjaft të mëdha të drejtpërdrejta kryesisht amerikane dhe kryesisht në teknologjinë e lartë. Arësyeja që u zgjodh Irlanda për investime të tilla ishte se ajo shërbente si bazë me çmim të ulët për operacionet e investimeve të biznesit në të gjithë Evropën.

Barbara Boettcher, ekonomiste në Deutsche Bank të Frankfurtit, mendon se modeli irlandez nuk do të jetë i lehtë për t’u imituar.

"Këtë nuk do ta shikojmë në Evropën Lindore. Vendet evropianolindore që do të dalin fitues në këtë mes do të jenë ato që kanë arritur të tërheqin shumë investime të huaja të drejtpërdrejta të orientuara në sektorët prodhues, siç kanë bërë Sllovakia, Hungaria dhe Republika Çeke."

Megjithatë, tre vitet e fundit, tre shtetet baltike kanë arritur një progres të habitshëm këto vitet e fundit. Brenda periudhës katërvjeçare që mbaron këtë dhjetor, të tre këta vende do të kenë arritur ritme të rritjes vjetore prej më se 6 përqind. Ndërsa në rastin e Letonisë dhe Lituanisë, ritmet kanë arritur mesatarisht në rreth 7 përqind.

Kjo do të thotë mëse 4 përqind më shumë se sa Evropa Perëndimore. Eksperti i BERZH-it, Willem Buiter thotë se matematikisht kjo nënkupton se ato do ta arrijnë nivelin e Evropës Perëndimore brenda 30 vjetësh, por me kusht që vendet baltike të ruajnë një avantazh prej të paktën 2 përqind në vit ndaj perëndimit.

"Ata mund ta arrijnë këtë edhe në më pak se 30 vjet nëse rritja çdo vit është 4 përqind më e shpejtë se e perëndimit. Por më duket se të arrish ta mbash nivelin e rritjes ekonomike tre përqind për tre dekada me radhë do të ishte mjaft e vështirë."

Zoti Buiter thekson se vendet baltike po e fillojnë nga një bazë shumë e ulët zhvillimi ku të ardhurat për frymë kapin një përqindje mjaft të vogël të asaj që është në perëndim. Zonja Boettcher e Deutsche Bank-ës thotë se duke u bërë gjithnjë e më të pasur dhe me kërkesa gjithnjë e më të mëdha për shpenzime në sektorin shoqëror, vendet baltike dhe shtetet e tjera evropianolindore do ta kenë më të vështirë t’ja kalojnë Evropës Perëndimore përsa u përket ritmeve.

"Kjo ishte relativisht e lehtë për këto vende në 2-3 vitet e fundit sepse në Evropën Perëndimore, në 15-she, nuk ka patur ndonjë rritje të madhe Por tani, me zgjerimin e Bashkimit ne do të shikojmë 2 përqind rritje për këtë vit dhe për vitin tjetër, prandaj mund të jetë e vështirë për vendet e Lindjes që ta kalojnë këtë nivel."

Mendimi i përgjithshëm i ekspertëve është se, nëse në rastin më të mirë, vendet e reja anëtare me rritjen më të shpejtë do të kenë nevojë për 30 vjet që të arrijnë perëndimin procesi do të jetë shumë më i gjatë për ekonomitë me ritme më të ulta rritjeje. Pesimistët thonë se vendet me rritje të ngadaltë ndoshta nuk do t’i arrijnë kurrë standardet e jetesës që dominojnë në pjesën perëndimore të asaj që dikur quhej Perdja e Hekurt.

XS
SM
MD
LG