Lidhje

Si arriti në Shqipëri arma që vrau Musolinin - 2004-08-04


Deri në vitin 1991 automatiku që qëlloi mbi diktatorin fashist italian ka qenë i ekspozuar prej shumë kohësh në stendat e Muzeut Historik Kombëtar këtu në Tiranë, mes shumë armëve të tjera dhe trofeve të luftës së dytë botërore.

Por të paktë kanë qenë ata që kanë ditur historinë e saj. Edhe disa shkrime te viteve te fundit qe nxirrnin ne drite te vërtetën, kaluan në heshtje dhe pa zhurmë. U desh publikimi në Itali i disa dokumentave të gjetur në arkivin e shtetit shqiptar që t’i rikthente kësaj arme vlerën historike që ajo ka.

Javën e shkuar, në gazetën më të madhe italiane Corriere della Sera u publikua një artikull i shkruar nga drejtuesi i fondacionit Antonio Gramshi dhe Drejtori i Arkivave shqiptare Shaban Sinani, ku bëhej i njohur zbulimi i një letre që Valter Audisio, komandanti i togës së partizanëve që pushkatuan Benito Musolini dhe të dashurën e tij Clara Petacci, i kishte dërguar autoriteteve shqiptare.

Sipas saj, në shenjë mirënjohjeje për popullin shqiptar ai u dërgonte atyre armën me të cilën u ekzekutua krimineli i luftës Musolini, shkruhej në teskt. Arma është sjellë në Shqipëri nga fundi i nëntorit të vitit 1957 dhe për këtë ka edhe një letër të zëvendësministrit të jashtëm shqiptar të asaj kohe Vasil Nathanaili ku kërkohet që ky fakt të mbahet i fshehtë.

Bashkë me armën janë edhe katër gëzhojat e plumbave që qëlluan mbi Musolinin dhe Petaccin. Ato ruhen në arkivin e shtetit shqiptar.

Ndërsa automatiku u ekspozua sot nga drejtori i Muzet Historik Kombëtar Moikom Zeqo. Mbi të dallohen qartë të dhënat teknike që përputhen me ato të dhëna nga komandanti Italian Audisio. Eshtë pikërisht ky fakt i cili bën që sipas drejtorit Zeqo të mos ketë asnjë dyshim mbi autenticitetin e armës.

Së bashku me dokumentacionin historik që e shoqëron arma do të rikthehet në stendat e Muzeut në nëntro të këtij viti kur do të festohet edhe 60 vjetori i fitores mbi nazifashizmin.

XS
SM
MD
LG