Los Anxhelosi quhet ndryshe edhe qyteti i tymit, si pasojë e çlirimit të gazrave nga makinat e shumta. Shoqata amerikane kundër sëmundjeve të mushkrive thotë se këto lloj gazrash përbëjnë një nga faktorët kryesore për ndotjen e ajrit që mund të prekin sistemin imunitar të organizmit. Meri dhe Xhorxh Stiven kanë vite që banojnë në Kaliforninë jugore. Ata thonë se me kalimin e viteve ajri ka ardhur duke u bërë më i pastër. “Erdha këtu në vitin 1968, kur cilësia e ajrit ishte shumë më e keqe sesa tani”, thotë Xhorxhi. Por studim i ri që e klasifikon ajrin në rajonin e tyre si më të ndoturin duket se nuk i befason ata. “Disa ditë është me të vërtetë e vështirë të shikosh retë dhe qiellin, aq keq është, madje ka ditë që nuk mund të shohim as parkun që kemi përballë dritares”, thotë Xhorxhi. Studimi i shoqatës kundër sëmundjeve të mushkërive fajëson për këtë kamjonët e shumtë që çlirojnë gazra të dëmshëm. Doktor Henri Wong ka më se 30 vjet që studion efektet e ndotjes së ajrit. Ai thotë se ndërkohë që cilësia e ajrit ka ardhur duke u përmirësuar, kjo nuk do të thotë se ky ajër është i shëndetshëm për organizmin. “Çështja është se dëmet që sjell ky ajër i ngarkuar me gazra nuk mund të shihet menjëherë, thithja e tij mund të shkaktojë dëme jo vetëm në mushkri por në gjithë organizmin”, thotë ai. “Ekzistojnë të dhëna”, thotë doktor Wong, “se ozoni dhe ajrit i ndotur mund të dobësojnë sistemin imunitar të organizmit, duke i hapur rrugën kështu infeksioneve të rrugëve të frymëmarrjes.”
Traumat e pas luftës
Në Afganistan, gjurmët e dhunës dhe luftrave 20 vjeçare janë të dukëshme, por çfarë traumash kanë shkaktuar ato tek populli afgan? “Nivelet e sëmundjeve nervore, ankthi e depresioni janë të larta”, thotë Barbara Kardozo e qëndrës amerikane për kontrollin e sëmundjeve. që kreu një studim mbi këtë çështje. Ajo thotë se simptoma të tilla janë të zakonëshme mes njerëzve që kanë kaluar trauma. “Por rezultatet e studimit ishin befasuese”, thotë zonja Kardozo, “pasi njerëzit që kishin provuar trauma të njëpasnjëshme nuk kishin më shumë simptoma depresioni sesa të tjerët që kishin kaluar vetëm nga një traumë”. Po ashtu, hulumtuesit vunë re se afganët ndjeheshin më të afektuar nga varfëria, mungesa e ushqimit, ujit, dhe strehimit. Shpesh ata i shikonin këto mundime të përditëshme si më traumatike sesa dhuna. Mjekja Kardozo kryesoi një grup ekspertësh që shkuan në Afganistan në vitin 2002. Ky ekip u shpërnda në mbarë vendin dhe krey intervista me persona në 750 familje afgane, duke i pyetur ata rreth gjendjes mendore dhe urrejtjes që kishin njerë. “Interesimi ynë ishte për të parë se në ç’mënyrë urrejtja prek gjendjen mendore dhe në ç’mënyrë kjo urrejtje mund të ndikojë në ciklin e dhunës në një shoqëri”, thotë zonja Kardozo e qëndrës amerikane për kontrollin e sëmundjeve. Gjatë përgatitjes së studimit, ekspertët vunë re se pjesa më e madhe e popullit afgan ndjente urrejtje ndaj atyre që i kishin bërë keq, dhe një numër i konsiderueshëm kishte ndjenjën e hakmarrjes. Por një pakicë gjithashtu u shpreh se nëse personat përgjegjës për këto të këqia gjykoheshin nga një sistem drejtësie, ata do të ndjenin më pak dëshirë për t’u hakmarrë.