Lidhje

Ringjallet kinematografia në Kosovë - 2004-08-06


Filmi titullohet “Kukumi” dhe e ka marrë titullin nga përsonazhi kryesor. Ky film është projekti më i madh i industrisë së filmit në Kosovë në 20 vitet e fundit. Producentët dhe sponsorizuesit e këtij projekti shpresojnë se ky film do të shënojë fillimin e një periudhe të re që do të rinovonte një industri që asnjëherë nuk pati ditë të lavdishme. Ngjarja zhvillohet në zonat e thella të Kosovës. Përsonazhi kryesor, Kukumi dhe dy të tjerë, Mara dhe Hasani, arratisen nga spitali i të metave mendore pas çlirimit të vendit nga forcat e Natos në vitin 1999.

Tre ish pacientët enden rrugëve të Kosovës duke u munduar që të zënë shokë, si dhe të jetojnë një jetë përtej rrethimit të ndaluar. Por shumë shpejt ata e kuptojnë se shpresat e tyre nuk ishin gjë tjetër veçse iluzione pasi nuk mirëpriten as në tubimet e as në festat që organizohen. Realiteti i ri pas vite shtypjeje i ka lënë ata me një zgjedhje të vetme, për t’u kthyer në azilin e të sëmurëve mendor. Xhirimet për filmin “Kukumi” filluan në qershor dhe përfunduan pas 40 ditësh. Filmi është një prodhim i përbashkët i kompanisë kosovare të filmit, Kosovafilm dhe kompanisë kroate, Jardan Film, financuar nga ministria e kulturës. Xhirimi i filmit kushtoi rreth 277 mijë dollarë dhe regjisori i filmit,Isa Qosja, shpreson që filmi të marrë pjesë në festivalin e filmit ndërkombëtar.

"Çdo regjisor dhe artist shpreson që puna e tij të shfaqet në kinematë ndërkombëtare si dhe në festivalet e filmit në Evropë. Kjo është ajo që shpresoj."

Kjo është hera e parë që aktorët kryesorë po debutojnë në ekranin gjigand. Deri më sot karriera e tyre ka parë vetëm skenën e teatrove, duke intepretuar para çlirimit, larg nga sytë e regjimit jugosllav e më pas atij serb. Luan Jaha luan rolin e Kukumit në film.

"Unë luaj një personazh që ka përballë situata të ndryshme dramatike e që nuk është në gjendje të gjejë zgjidhje, por ndesh në probleme edhe më të mëdha. Më në fund ai vdes aksidentalisht, ndërsa dy peronazhet e tjerë mbyllen përsëri në spitalin psikiatrik. Roli ishte interesant, por tepër i vështirë për t’u luajtur”.

Industria e filmit në Kosovë u godit rëndë në mesin e viteve 90, kur vendit ju hoq autonomia nga ish presidenti jugosllav Sllobodan Millosheviç i cili vuri në zbatim politikat e tij të dhunës, duke përjashtuar nga puna shumicën e shqiptarëve që punonin në instuticionet e vendit, përfshi këtu edhe filmin. Kjo industri filloi të ringjallej vetëm pas ndërhyrjes ushtarake të Natos në mesin e vitit 1999, duke i dhënë fund edhe luftës në Kosovë.

XS
SM
MD
LG