Lidhje

Greqia në prag të Lojërave Olimpike Verore - 2004-08-07


Greqia ka mobilizuar 35 mijë trupa shtesë për të fuqizuar sigurimin e Lojërave Olimpike, në kushtet kur i gjithë vendi është në pritje të hapjes së Lojërave javën e ardhshme.

Për të siguruar mbrojtjen e nevojshme në Lojërat Olimpike të Athinës, janë mobilizuar 70 mijë ushtarë dhe policë. Autoritet greke thonë se ky është mobilizimi më i madh i këtij lloji që kanë bërë ndonjëherë në kohë paqeje forcat e armatosura të vendit.

Por të mërkurën e kaluar, vetëm 9 ditë para datës 13 gusht, kur do të jetë ceremonia e hapjes së Lojërave Olimpike, qeveria vendosi edhe për 35 mijë trupa shtesë, shumica për të patrulluar zonat më pak të populluara, larg Athinës.

Duket se në çdo qoshe rruge të kryeqytetit grek tani ka agjentë të armatosur mirë. Por kjo është vetëm maja e ajsbergut. Po të mërkurën, një anije minaheqëse, kontrolloi për eksplozivë të mundshëm portin e Pireut. Porti që përdoret nga mijëra vetë çdo ditë për të vizituar ishujt e Greqisë, do të jetë gjithashu edhe vendi ku do të qëndrojnë nëpër anije luksoze gjatë Lojërave autoritetet e rëndësishme. Mes tyre është edhe ish-presidenti amerikan George Bush, i cili do të jetë kryetari i delegacionit amerikan në Athinë.

Megjithë masat e forta të sigurisë, të cilat kushtojnë rreth 1,5 miliardë dollarë, Presidenti i Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Jacques Rogge, thotë se megjithatë, lojrat do të zhvillohen në një atmosferë të gëzuar.

Zoti Rogge i bëri këto komente të mërkurën, kur shkoi në Athinë, duke deklaruar se gjithshka më në fund është gati, sipas të gjitha kërkesave të Komitetit.

“Jam i sigurt se Athina është gati. Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Olimpike ka patur gjithmonë besim te miqtë e tij grekë. Ne e dinim se premtimet e komitetit oraganizator dhe ato të qeverisë do të plotësoheshin. Jam shumë i kënaqur që ndodh kështu dhe që ne po shkojmë drej lojërave tepër të suksesshme,” tha zoti Jacque Rogge.

Por në Greqi, disa janë të shqetësuar se masat e sigurisë janë të tepruara. Një rrjet i ri kamerash vëzhguese janë bërë objekt kritikash të disa personave, të cilët i kanë lyer ato me bojë, për t’u treguar kalimtarëve prezencën e tyre.

Këtë javë, pati mjaft diskutime, kur gazetarët e televizionit meksikan po filmonin përreth portit të Pireut, u arrestuan nga një roje bregdetare, dhe që sipas pohimeve të tyre i morën mënjanë dhe i rrahën.

Sipas një prej gazetarëve, Eduardo Salazar, i cili ngriti aktpadi ndaj rojes, policët e kishin kërcënuar edhe se do ta vrisinin.

“Ata na thanë se do të na vrisnin dhe se do ta pësonim keq,”- tregon ai.

Megjithë kufizimet e shkaktuara nga masat e forta të sigurisë, Athina po fillon të gjallërohet nga fryma e Lojërave Olimpike. Pas një kohe të gjatë përgatitjesh dhe vështirësish të shumta, qyteti tani po zgjohet nga fakti se atje do të zhvillohet ngjarja më e rëndësishme sportive e planetit, vetëm pas një jave.

Më në fund atje kanë përfunduar projekte gjigande inxhinierike, si ndërtimi i rrugëve dhe i një sistemi publik tramvaji, që do të lidhë qendrën e Athinës me vendin ku do të zhvillohen Lojërat Olimpike. Në pemët e mbjellura rishtazi nëpër rrugë varen pankarta; një vizë e re portokalli e sapolyer, tregon korsinë e posaçme për trafikun e automjeteve me destinacion Lojërat Olimpike.

Vështirësitë e trafikut janë konsideruar për një kohë të gjatë si një prej problemeve më të mëdha të mundshme, që mund të dëmtojë Lojërat e Athinës. Athina është një qytetet i njohur për trafikun tepër të ngjeshur. Por për çudinë e të gjithëve, athinasit i kanë respektuar kufizimet e trafikut, duke i lënë disa prej arterieve kryesore të qytetit të rezervuara vetëm për atletët.

Kudo mbizotëron një ndjenjë ngazëllimi. Edhe mediat greke po kontriubuojnë duke, duke u lënë vendin kryesor programeve për Lojërat Olimpike dhe mesazheve të politikanëve, si ato të kryeministrit të vendit, Costas Karamanlis. “Të gjithë ne kemi arritur këtu ku jemi. Të gjithë së bashku do të arrijmë synimin tonë të përbashkët: organiziamin e Lojërave Olimpike të jashtëzakonshme, në kushtet e sigurisë sa më të madhe,” tha kryeministri Karamanlis.

Për zotin Karamanlis, qeverinë greke, organizatorët e Athinës dhe një vend që ka dëgjuar pak gjëra të tjera dhe kaq shumë për Lojërat Olimpike për rreth 7 vjet me radhë, pritja tashmë ka marrë fund. Tani në Athinë të gjithë e kanë mendjen te data 13 gusht që shënon fillimin e Lojrave.

XS
SM
MD
LG