Lidhje

Bush, Kerry: Fjalime në radio - 2004-08-07


Në fjalimin e përjavshëm në radio, Presidenti Bush mori në mbrojtje vendimin e administratës për të rritur nivelin e kërcënimit terrorist në New York dhe Washington. Ndërsa kandidati demokrat për president, John Kerry e shfrytëzoi fjalimin e tij në radio për të folur mbi një çështje tjetër që mund të luajë rol në fushatën zgjedhore, kërkimet shkencore rreth qelizave embrionale.

Presidenti Bush thotë se rritja e nivelit të kërcënimit terrorist për New York-un, New Jersey-n verior dhe Washington-in janë një kujtesë e zymtë për rreziqet me të cilat vazhdojnë të përballen amerikanët.

Administrata e Presidentit Bush u kritikua javën e kaluar nga disa demokratë, të cilët shtruan pyetjen nëse prapa rritjes së nivelit të kërcënimit terrorist në këto qytete apo rajone fshiheshin motive politike. Në fillim, administrata tha se vendimi bazohej në informacione zbulimi sipas të cilave terroristët e al-Qaidës kishin piketuar disa institucione financiare në këto zona qysh para tre vjetësh.

Në fjalimin e tij të përjavshëm në radio, presidenti Bush tha se vendimi bazohej mbi prova që tregonin se një pjesë e këtij informacioni ishte rifreskuar kohët e fundit, bazohej gjithashtu mbi informacione të reja zbulimi që mbështesnin atë ekzistues.

"Detyra ime më solemne si president është të mbroj këtë vend dhe gjatë tre vjetëve të fundit që kur vendi u sulmua, ne kemi marrë masa të rëndësishme për të përballuar kërcënimet terroriste ndaj vendit.”

Megjithë këto masa, tha presidenti, amerikanët ende nuk janë të sigurt. Prandaj, ai po krijon një post të ri të drejtorit të zbulimit kombëtar për të mbikqyrur dhe bashkërenduar punën e mbledhjes së informacioneve të zbulimit brenda dhe jashtë vendit.

"Drejtori i zbulimit kombëtar do të ketë përegjësi më të gjera për të drejtuar komunitetin e zbulimit në të gjithë sektorët e qeverisë. Ai ose ajo do të ketë mjetet dhe autoritetein për të përmbushur këtë përgjegjësi."

Krijimi i postit të drejtorit të zbulimit ishte një ndër rekomandimet e komisionit dypartiak që u mor me hetimin e sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001. Por ky komision kishte propozuar një post që të kishte kontroll buxhetor mbi të gjithë punën e zbulimit, ndërsa plani i presidentit e le të paprekur sistemin ekzistues.

Rivali demokrat në garë, John Kerry e kritikoi përgjigjen e presidentit ndaj rekomandimeve të komisionit. Megjithatë, ai preferoi ta shfrytëzonte fjalimin në radio të partisë së tij për një çështje tjetër politikisht delikate për amerikanët - studimet shkencore lidhur me qelizat embrionale njerëzore.

Tre vjet më parë, Presidenti Bush i vuri kufizime kërkimeve të tilla, të cilat kundërshtohen nga shumë aktivistë kundër abortit, pasi qelizat embrionale përftohen nga embrione njerëzore disaditëshe dhe kanë aftësinë për të formuar çdo lloj indi njerëzor.

Senatori Kerry thotë se njerëzit që kanë dëshirën dhe arësyen e duhur mund të zgjidhin çështjet etike pa u dashur të ndalohen kërkimet shkencore që mund të shpëtojnë jetë njerëzish.

"Pikërisht sot, disa nga kurat më të përparuara janë gati për tu zbuluar nga njerëzit. Por për shkak të ndalimit të kërkimeve shkencore me qelizat embrionale, ne nuk jemi në gjendje t’i zbulojmë ato. Nuk është kjo rruga për t’i bërë gjërat në Amerikë. Këtu në Amerikë ne nuk e sakrifikojmë shkencën për ideologjinë,” tha zoti Kerry.

Ai tha se nëze zgjidhet, ai do të hiqte ndalimin e kërkimeve për qelizat embrionale.

Kanë mbetur më pak se tre muaj nga dita e zgjedhjeve dhe të dy kandidatët i pret një javë plot aktivitete fushate. Presidenti Bush do të shkojë në shtetet Virginia, Florida, New Mexico, Arizona, Nevada, California, Oregon, Washington dhe Iowa. Ndërsa Senatori Kerry do të bëjë fushatë në Colorado, New Mexico, Arizona, Nevada dhe Californi.

XS
SM
MD
LG