Lidhje

Pucini - kompozitori më i dashur italian për amerikanët - 2004-08-08


Për publikun shqiptar, kompozitori i famshëm italian Giacomo Puccini, është mjaft i njohur, kryesisht me operat “Madam Butterfly” dhe “Tosca”. Ariet e tyre janë po aq të njohura, sa edhe fundi tragjik i heronjve. Ky vit shënon 100 vjetorin e operas “Madam Butterfly” së Puccinit, bazuar në libretin e amerikanit David Belasco. Puçini, kompozoi edhe një opera tjetër, bazuar në dramën e Belascos “Vajza e Perëndimit të Praruar”. Ajo pati një sukses të jashtëzakonshëm në premierën e saj në Shtetet e Bashkuara, por nuk e arriti dot kurrë famën e “Madam Butterfly”, megjithëse për amerikanët, Puccini mbeti gjithmonë kompozitori më i dashur italian i operave. Por opera “Vajza e Perëndimit”, mund të jetë duke zënë vendin e saj të merituar mes artdashësve amerikanë. Ngjarjet e “Vajzës së Perëndimit”, mbështetur në libretin e Belascos, zhvillohen në Kaliforni gjatë periudhës së Etheve të Arit. Të izoluar e të pushtuar nga ethet e arit, në mesit të shekullit të 19-të, të pashpresët, ëndërrimtarët dhe të përjashtuarit nga shoqëria janë në kërkim të pasurisë. Por në vend të arit, Minnie, një parukiere dhe mësuese e Biblës dhe Ramerrez, ose ndryshe Dick Johnson, një bandit meksikan, zbulojnë dashurinë.

Me një mënyrë të rrëfyeri që të sjell ndër mend filmat e hershëm me kaubojs nga perëndimi amerikan, por e kënduar në italisht, opera është quajtur shpesh si vepra e parë amerikane në italisht. William Berger, autor librash për kompozitorin italian Giuseppe Verdi dhe atë gjerman Richard Wagner dhe që aktualisht po shkruan një libër edhe për Puccinin. Ai thotë se një përcaktim i tillë nuk është i drejtë dhe se “Vajza e Perëndimit”, është një opera komplekse dhe e pjekur.

“Për vite e vite me radhë, shumë nga dirigjentët më të mirë nuk e merrnin seriozisht Puccinin. Ata parapëlqenin vetëm operat e Wagnerit. Por ajo kohë ka kaluar. ‘Vajza e Perëndimit’ është një sfidë e madhe për çdo dirigjent të madh,” thotë zoti Berger.

Puccini e mori subjektin për operan e tij amerikane, gjatë një vizite në New York në vitin 1907, ku mori pjesë në premierat e operave të tij “Madam Butterfly” dhe “Manon Lescaut”.

William Berger thotë se Amerika u dashurua me Puccinin, i cili nga ana e tij e donte Amerikën, veçanërisht gratë amerikane. Në atë kohë ai pa pjesën teatrale të Belascos “Vajza e Perëndimit të Praruar”.

Zoti Berger thotë se Puccini kishte ngelur i mahnitur nga disa fragmente të pjesës: një stuhi, një lojë pokeri, dhe një grua e fortë. Heroina e operas “Vajza e Perëndimit”, është vërtet mësuese e Biblës, por kjo nuk e pengon atë të bëjë hile teksa luan me letra dhe të përdorë armën për të shpëtuar të dashurin.

Ndërsa largohen me kalë në të perënduar të diellit, duket qartë se Minnie së bashku me jetën i shpëton edhe shpirtin Dick Johnsonit. Çfarë ndryshimi nga epilogu tragjik i Madam Batterfly, Toskës, apo Mimit!

Puccini shkoi përsëri në New York në vitin 1910 për premierën e “Vajzës së Perëndimit”. Me zërin e legjendave të tilla si Enrico Caruso dhe Emmy Destinn dhe nën dirigjimin e Arturo Toscaninit, opera pati një sukses të jashtëzakonshëm, ndryshe nga premiera e “Madam Butterfly”, në Itali, gjashtë vjet më parë.

Opera Vajza e Perëndimit fitoi zemrat e audiencave në gjithë Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera. Por pas valës së parë të entuziazmit, suksesi i saj ra shumë në Amerikë. Një nga arsyet, sipas Bergerit, është vështirësia për ta vënë “Vajzën e Perëndimit” në skenë. Zërat duhet të jenë më të fuqishëm, si ato që përdoren për operat e Wagnerit e megjithatë duhet të jenë në gjendje që të përcjellin ëmbëlsinë e muzikës së Puccinit. Një faktor tjetër ishte, se ariet nuk janë aq të thjeshta për t’u kapur sa ato të operave të tjera të tij. Dhe së fundmi, popullariteti i filmave me kaubojs të Hollivudit, e bënte variantin operistik italian t’u dukej amerikanëve, në një farë mënyre qesharak.

Gjithsesi, vitet e fundit brezat e rinj të të apasionuarve të operas në Amerikë, kanë filluar t’ia njohin vlerën kryeveprës së Puccinit dhe William Berger thotë se kjo është fare e natyrshme, pasi sipas tij “Vajza e Perëndimit” është opera më e mirë e kompozitorit italian.

Zoti Berger thotë se Puccini ia ka kushtuar veprat e tij më të mira Amerikanëve dhe ka ardhur koha që ata ta vlerësojnë një gjë të tillë.

XS
SM
MD
LG