Lidhje

KOSOVË: UNMIK-u dhe Qeveria ftojnë serbët e zhvendosur të kthehen në shtëpitë e tyre dhe të marrin pjesë në zgjedhjet e tetorit - 2004-08-10


Zyrtarë të UNMIK-ut dhe Qeverisë së Kosovës, u bënë thirrje sot pjestarëve të komunitetit serb, që të marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare të vjeshtës, ndërsa atyre që janë zhvendosur, të kthehen në shtëpitë e tyre. Ata i bënë këto komente në Fushë Kosovë, rreth 6 kilometra në perëndim të Prishtinës, gjatë një vizite që u bënë objekteve dhe shtëpive që po rindërtohen pas shkatërrimit të tyre gjatë trazirave të dhunshme të muajit mars, të cilat lanë pas vetes të vrarë e të plagosur dhe shumë dëme materiale.

Ushtruesi i detyrës së shefit të UNMIK-ut, Charles Brayshaw, tha se 71 për qind e shtëpive të dëmtuara janë riparuar ose janë në proces të rindërtimit dhe projekti pritet të përmbyllet gjatë verës. Sipas tij, tashmë janë shënuar përparime për krijimin e mjedisit të sigurt për kthimin e personave të zhvendosur dhe dëshmi për këtë janë të dhënat për rënie të krimeve ndëretnike pas trazirave të marsit.

Kjo, tha ai, pasqyron përpjekjet e ndërkombëtarëve dhe posaçërisht të udhëheqësve politikë shqiptarë, të cilët janë vetëdijshëm se duhet të angazhohen që të mos lejojnë përsëritjen e trazirave të tilla. “Megjithatë ende ka vështirësi të rivendosjes së besimit, meqë të zhvendosurit kanë përjetuar përvoja traumatike gjatë traizrave dhe natyrshëm janë të frikësuar për sigurinë e tyre” tha zoti Brayshaw, duke siguruar të gjitha komunitetet se “UNMIK-u dhe KFOR-i punojnë për një mjedis të qetë dhe të sigurtë për të gjithë”.

Zoti Brayshaw tha se përfaqësuesit serbë duhet të marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare të vjeshtës në Kosovë dhe se kjo, tha ai, është thirrje e tërë komunitetit ndërkombëtarë, meqë rruga e vetme që ata të përfitojnë nga institucionet demokratike është pjesmarrja në këto institucione.

Ndërkaq, ministri Behxhet Brajshori, udhëheqës i Komisionit qeveritar për rindërtimin e objekteve të dëmtuara gjatë trazirave, njoftoi se puna në terren është e kënaqshme dhe se sipas tij 82 për qind e objekteve janë rindërtuar ose janë në proces të rindërtimit. Zoti Brajshori tha se qeveria u bënë thirrje serbëve të kthehen në shtëpitë e tyre dhe të marrin pjesë në zgjedhjet e tetorit. “Unë I ftoj edhe sot që ata ta bëjnë këtë, sepse janë qytetarë të Kosovës dhe duhet të marrin pjesë në zgjedhje. Besoj se edhe ky projekt është një program që do të ndërtojë edhe më tepër mirëbësimin ndërmjet komunitetve të Kosovës dhe ata patjetër duhet të marrin pjesë në zgjedhje”, tha ministri Brajshori.

Por, përfaqësuesit e komunitetit serb janë shprehur të pakënaqur me ritmin e rindërtimit dhe aq më shumë, me ritmin e kthimit të personave të zhvendosur. Këto cështje, së bashku me kërkesat për reformimin e pushtetit sipas një plani të hartuar nga Beogradi, renditen në kushtet për pjesmarrjen e tyre në zgjedhjet parlamentare të tetorit.

//ze//

XS
SM
MD
LG