Lidhje

Uashingtoni dhe masat e sigurisë - 2004-08-13


Kohët e fundit, qeveria amerikane ngriti nivelin e paralajmërimit ndaj rrezikut terrorist për disa ndërtesa në New York dhe Washington. Për të mbrojtur kryeqytetin e vendit, masat e sigurisë janë forcuar përreth ndërtesave të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar - që të dy objektiva të mundshëm, si dhe Kapitolin ku ka selinë Kongresi amerikan. Në disa rrugë është ndaluar kalimi i kamionëve, në disa rrugë të tjera janë vënë postblloqe ndërsa një rrugë është mbyllur plotësisht. Por si po reagojnë qytetarët dhe zyrtarë të tjerë ndaj këtyre masave.

Pikat turistike të Uashingtonit janë ende të hapura - po ashtu edhe i gjithë kompleksi i Kapitolit. Por në disa nga rrugët afër tij, mund të shikosh skena të tilla ku policia inspekton automjete, autobusë dhe kamionë në përgjigje të ngritjes së nivelit të paralajmërimit ndaj rrezikut terrorist në Washington në shkallën e dytë më të lartë. Rreshterja Contricia Sellers-Ford -- zëdhënëse e policisë së Kapitolit, thotë se njerëzit e kuptojnë nevojën e rritjes së sigurisë dhe reagimi i tyre ka qenë pozitiv.

"Në mënyrë që këto objekte të mbahen të hapura, na duhet që të forcojmë masat e sigurimit për shkak të rritjes së shkallës së paralajmërimit, thotë zëdhënësja e policisë."

Por përfaqësuesja e Washingtonit në Kongres, Eleanor Holmes Norton, i shikon problemin ndryshe. Ajo thotë se masat e tanishme përbëjnë një reagim të tepruar.

"Në këtë vend qytetarët nuk interesohen thjesht për sigurinë por edhe për të patur një shoqëri të hapur. Pra për të dyja bashkë dhe jo vetëm për njërën nga të dyja. Por shumë nga zyrtarët tanë të sigurisë, për shkak të sfidave që dolën nga 11 shtatori, duket se janë përqendruar vetëm tek siguria dhe jo tek ajo që ne e shikojmë si mision të dyfishtë - pra që ne të jemi një shoqëri e sigurt por edhe e hapur."

Zonja Norton dhe zyrtarët e qytetit të Uashingtonit shqetësohen se sa më shumë që të qendrojnë në fuqi masat e rrepta të sigurisë, aq më e vështirë do të jetë për bizneset e qytetit. Qysh tani, shoferët e taksive në Uashington po e ndjejnë presionin. Postblloqet dhe mbylljet e rrugëve po ua bëjnë atyre më të vështirë për të qarkulluar.

"Barrierat janë të tmerrshme dhe na e bëjnë shumë të vështirë të qarkullojmë. Nuk mund ta ngasësh makinë shumë sepse policia të ndalon, shikon brenda në makinë dhe thotë në rregull, mund të kalosh. Por kur shkon më tej, rruga është e mbyllur, " thotë një taksiste.

"Për shoferët e taksive është shumë keq sepse nuk mund të lëvizim lirisht kështu që po dalim me humbje."

Për një taksist tjetër, shtimi i sigurisë është i nevojshëm por ai mendon se policia duhet të kishte punuar më mirë pasi barrierat mund të jenë të rrezikshme.

"Nëse ka ndonjë emergjencë, policia të tregon se nga të shkosh por ajo rrugë është e mbyllur kështu që kjo mund të shkaktojë probleme më të mëdha."

Zonja Norton thotë se do të takohet me zyrtarët për të diskutuar këto probleme. Por ajo thotë se Amerikës kurrë më parë nuk i është dashur të verë në balancë nevojat e shoqërisë së lirë me sigurinë e qytetarëve.

"Ne kurrë nuk e shkëmbejmë sigurinë me lirinë, por ne i balancojmë ato të dyja."

Nga ana e tyre, shumë turistë nuk shqetësohen shumë nga masat e sigurisë.

"Mendoj se masat janë të nevojshme për mbrojtjen e të gjithëve, thotë një turist."

Ndërkohë, shefi i policisë së Kapitolit ka thënë se shpreson që këto masa të rrepta në Uashington të mbeten në fuqi të paktën deri në zgjedhjet e nëntorit. Zyrtarët shqetësohen se pas mbarimit të sezonit të verës, kur shumë njerëz janë me pushime, kufizimet e tanishme mund të shkaktojnë probleme të trafikut kudo në qytet, të cilat ata do të duhet t’i zgjidhin.

XS
SM
MD
LG