Lidhje

Hapen Lojrat Olimpike të Athinës - 2004-08-14


Greqia hapi dje Lojrat Olimpike të vitit 2004, me një ceremoni që ishte ndoshta më e kushtueshmja në histori. Me mbi 2 mijë e 400 vullnetarë nga mosha 7 deri në 17 vjeç, Greqia ringjalli historinë dhe artin e saj në stadiumin e ri olimpik, që përfundoi në maj. Lojrat janë gati të fillojnë nën masa të pashembullta sigurie dhe shpenzime të jashtëzakonshme. Drejtuesit artistikë në Athinë kombinuan zjarrin dhe ujin, përzierë me simbolikën dhe mrekullinë e teknologjisë së lartë për të organizuar një ceremoni spektakolare për të hapur Lojrat Olimpike të vitit 2004. Njoftohet se grekët, në përpjekje për t’i bërë ata që e vunë në dyshim aftësinë e tyre për ta organizuar një festë të tillë olimpike, të pendoheshin, kanë shpenzuar mbi 25 milionë dollarë për spektaklin, ndoshta më e kushtueshmja në histori.

Ceremonia, që u hap zyrtarisht nga presidenti Costis Stephanopoulos, ishte një farë ringjalljeje e Lojrave të Para Olimpike të mbajtura në Greqinë e lashtë. Ndërsa muzikantët u rreshtuan në stadiumin olimpik në Athinë, një lodërtar e shoqëronte muzikën e tyre që nga Olimpia, 280 kilometra larg, ku filluan lojrat e para rreth 2 mijë e 700 vjet më parë.

Një paradë krijesash mitologjike dhe personazhesh të Greqisë antike përshkuan stadiumin që ishte mbushur me 2 milionë litra ujë, që simbolizonte lidhjet e lashta të Greqisë me detin.

Në një nga momentet më poetike të spektaklit, burra dhe gra me kostume statujash të lashta përshkuan stadiumin duke u sjellë të pranishmëve ndër mend bukurinë e artit klasik grek.

Më pas, atletët nga 202 vende të botës, përfshirë Shqipërinë, marshuan në stadium.

Pjesëmarrësit përshëndetën delegacionet nga Koreja e Veriut dhe ajo e Jugut që marshuan së bashku, nën të njëjtën banderolë. Brohoritje të fuqishme shoqëruan edhe delegacionet nga Iraku dhe Afganistani. Delegacioni i fundit që marshoi ishte ai i vendit mikpritës, Greqisë që u prit me brohoritje të mëdha.

XS
SM
MD
LG