Lidhje

Feja dhe jeta publike në Shtetet e Bashkuara - 2004-08-14


Gjatë fushatës presidenciale të këtij viti në Shtetet e Bashkuara, ekspertët po e cilësojnë ”hendekun fetar” si ndarjen më themelore në mjedisin politik. Disa anketa tregojnë se niveli i angazhimit fetar të individit është më i rëndësishëm në prirjet e votimit sesa arsimimi, niveli i të ardhurave apo gjinia. Korrrespondentja jonë, Serena Parker, i hedh një vështrim rolit që feja luan në jetën e sotme politike të Shtetet e Bashkuara.

Vija e re ndarëse në politikën amerikane nuk bazohet në gjini apo racë, por në fe. Ndryshe nga Irlanda ku katolikët dhe protestantët vihen shpesh kundër njeri-tjetrit, apo India, ku hindutë dhe myslimanët përplasen vazhdimisht, ndarja në Amerikë nuk bazohet në llojin e besimit që ka individi. Sipas profesorit të shkencave politike në Universitetin e Marylandit, Jim Gimpel, ndarja ekziston ndërmjet atyre që praktikojnë rrregullisht fenë dhe të tjerëve.

”Studimet më të fundit tregojnë se ndarjet politike janë ndërmjet atyre që janë tepër të dhënë pas fesë, pavarësisht se cilës fe i përkasin, dhe laikëve apo atyre që nuk i përkasin asnjë feje”.

Gati gjysma e amerikanëve marrin pjesë rregullisht një herë në javë në shërbime fetare, shifër shumë më e lartë se në vende të tjera të zhvilluara, por mjaft më e ulët se në Afrikë apo Azi. Treguesi kryesor që ndikon në votën e një amerikani është nëse ai merr pjesë rregullisht apo jo në shërbime fetare. Anketat tregojnë se 2 ndër 3 prej atyre që marrin pjesë rregullisht, ka të ngjarë të votojnë për republikanët. I njëjti raport, por i pëmbysur, është edhe në rastin e atyre që nuk shkojnë kurrë në kishë. Ata priren të votojnë për demokratët.

Profesori Gimpel thotë se kjo ndarje ndërmjet amerikanëve është relativisht e re.

”Njerëzit po e politizojnë besimin e tyre në mënyra që nuk ka ndodhur në të kaluarën. Në krahasim me zgjedhjet e mëparshme presidenciale, këtë herë ky hendek është tepër më i theksuar, për shembull, në garën presidenciale të vitit 1960 ndërmjet John Kennedit dhe Richard Nixonit. Edhe pse katolicizmi i Kenedit ishte çështje për të cilën u debatua gjatë fushatës, feja nuk u politizua në masën që po ndodh sot”.

Në zgjedhje të tjera të mëvonshme lufta në lidhje me lutjet në shkollë, ligjsimin e abortit dhe të drejtat e homoseksualëve i kanë polarizuar edhe më tej njerëzit. Ndërkohë që Partia Republikane e ka pozicionuar veten si kampione të vlerave fetare konservatore, Partia Demokrate u është shmangur mjaft diskutimeve publike në lidhje me fenë.

Luis Lugo, drejtor i Forumit Pew mbi Jetën Fetare dhe Publike, thotë se demokratët nuk i përmbahen këtij laicizmi, kur vjen puna për të fituar votat e afrikano-amerikanëve.

”Komunitetet më fetare në Amerikë, sido që ta shohësh, janë zezakët dhe të bardhët evangjelistë konservatorë. Këto dy komunitete janë tepër të rëndësishme për të dyja partitë politike. Kështu, në çdo cikël presidencial, demokratët përpiqen të mobilizojnë, frymëzojnë dhe bindin për të votuar për ta komunitetin afrikano-amerikan, kurse republikanët bëjnë të njëjtën gjë me evengjelistët e bardhë. Të dyja palët i referohen fesë për të tërhequr këto kategori votuesish”.

Presidenti Bush flet vazhdimisht për besimin e tij dhe vlerat fetare konservatore i ka bërë temë qendrore të fushatës për t’u rizgjedhur. Ndërkohë, kandidati demokrat për president, John Kerry shpesh nuk ka dëshirë të flasë për besimin e tij katolik në fushatën e tij, me përjashtim të rasteve kur viziton kisha në lagje zezake apo takohet me organizata të afrikano-amerikanëve.

Sipas zotit Lugo, një politikë e tillë është e gabuar, sepse shumica e amerikanëve u pëlqejnë politikanët që flasin haptas për besimin e tyre.

”Kur i pyesim njerëzit se sa të qetë ndjehen nëse feja përfshihet në jetën publike, përfshirë politikën, përgjigja e publikut amerikan është mjaft pozitive. Në anketën tonë më të fundit, rreth 70 për qind e të pyeturve u përgjigjën se niveli i përfshirjes së fesë në jetën publike është në masën e duhur ose duhet të jetë më i lartë”.

Në varësi të rëndësisë që amerikanët i japin fesë, disa demokratë shpresojnë të ndryshojnë opinionin se ata nuk janë fetarë apo se madje janë kundër fesë. John Podesta, shef i personelit të Shtëpisë së Bardhë në administratën e ish Presidentit Clinton, tani drejtues i Qendrës për Progresin Amerikan, kohët e fundit ka filluar një projekt mbi besimin fetar dhe politikën progresiste. Mbetet të shihet nëse demokratët do të kenë sukses në tërheqjen e votuesve besimtarë nga kontigjenti republikan para zgjedhjeve të nëntorit.

XS
SM
MD
LG