Lidhje

Ish-kryeministri Ilir Meta deklaron përgatitjet për formimin e një force të re politike - 2004-08-16


Në Shqipëri ish-kryeministri Ilir Meta deklaroi të martën se përgatitjet për formimin e një force të re politike janë në fazën përfundimtare. Ish-kryeministri, i cili prej muajsh udhëhoqi një lëvizje brenda partisë socialiste, u shpreh se partia e re do të jetë e treta për nga madhësia në parlamentin shqiptar duke funksionuar si një grup i ri parlamentar. Zoti Meta saktësoi edhe një herë se në zgjedhjet e ardhshme partia e re do të jetë e gatshme të dalë më kandidatë në të gjitha zonat e vendit.

Tashmë është vetëm çështje ditësh. Listës së gjatë të shumë partive politike do ti shtohet edhe ajo e ish-kryeministrit Ilir Meta. E nisur si një nismë brenda partisë socialiste që iu kundërvu drejuesve aktualë dhe linjës qeverisëse të ndjekur nga partia në pushtet Lëvizja Socialiste për Integrim shumë shpejt do të jetë edhe de facto një forcë e re.

Ish-kryeministri Ilir Meta konfirmoi të martën atë që e kishte paralajmëruar prej kohësh: "Puna për përgatitjen e dokumentave kryesorë të shndërrimit të Lëvizjes Socialiste për Integrim në një forcë të re politike është në fazën përfundimtare dhe në 20 gusht, dokumentat kryesor statuti dhe programi politik do jenë gati për diskutim nga komisioni përpara përfundimit të të gjitha pr oceduareve për legalizimin e kësaj force të re politike".

Në një aspekt numerik partia e re starton me një prani të ndjeshme deputetësh në parlament. Të paktën 8 deputetë të Partisë Socialiste janë të konfirmuar. Jo publikisht pretendohet për një numër më të madh. Por ish-kryeministri nuk pranon të japë shifra. Të paktën deri në momentin kur do të legalizohet partia, numri i deputetëve do të vazhdojë të jetë pré e hamendjeve. Zoti Meta mjaftohet të thotë se ata do të jenë grupi i tretë parlamentar për nga madhësia: "Do të jemi forca e tretë parlamentare në fillim të shtatorit. Përsa i takon numrit - tha zoti Meta - kjo nuk është një çështje e rëndësishme, por jam i bindur se numri do të jetë në rritje të vazhdueshme dhe ne jemi të ahpur për të gjithë deputetët që do të kenë mundësi të reflektojnë në të ardhmen që ti bashkohen grupit parlamentar".

Të qenurit forca e tretë në parlament nuk është megjithatë treguesi real i kësaj force politike, duke qenë se të gjithë janë zgjedhur nën siglën e partisë socialiste. Drejtuesit e lëvizjes për integrim mbajnë të gjallë optimizmin se po gjejnë gjithnjë e më tepër mbështetje të gjerë. Por sprova e vërtetë e tyre do të jenë zgjedhjet e ardhshme. Ish-kryeministri Meta deklaron që tani se ata do të jenë të gatshëm të konkurrojnë me deputetët në të gjitha zonat e vendit.

Eksperiencat e deritanishme të partive të krijuara nga shkëputjet prej partive të mëdha kanë zhgënjyese. Ato nuk kanë bërë gjë tjetër, veçse kanë pjellë forca politike që për të mbijetur janë detyruar të sigurojnë aleanca duke u sjellë majtas e djathtas e duke u larguar të dy partitë kryesore. Por nëse për partinë e re, gjithshka mbetet për t’u verifikuar, një gjë është e sigurt se ajo pavarësisht nga përkrahja që do të gjejë, do t’i prish punë vetëm socialistëve në pushtet. //az//

XS
SM
MD
LG