Lidhje

Gjermania pranon planet amerikane për tërheqjen e 30 mijë trupave - 2004-08-17


Sipas një zëdhënësi të qeverisë gjermane, planet amerikane për të tërhequr 30 mijë trupa nga Gjermania përbëjnë një shenjë të kushteve ndërkombëtare në ndryshim. Ai shtoi se vendimi amerikan nuk është i papritur, por udhëheqës rajonalë thonë se ekonomitë e tyre do të dëmtohen nga tërheqjet e forcave amerikane.

Qeveria amerikane tha se planet amerikane janë të kuptueshme, po të kihen parasysh shqetësimet e Shteteve të Bashkuara mbi sigurimin. Karsten Voigt, bashkërendues i Berlinit për marrëdhëniet gjermano-amerikane, thotë se megjithë këto ndryshime, Gjermania do të mbetet një pikë strategjike për trupat amerikane.

“Ne duam që trupat amerikane të qëndrojnë në Gjermani, por nga ana tjetër ne i kuptojnë arsyet e riorganizimit të forcave nga qeveria amerikane. Dhe si pjesë e këtij riorganizimi, qeveria amerikane po pakëson numrin e trupave amerikane të dislokuara në Gjermani. Madje ne jemi të kënaqur që në të ardhmen Gjermania do të jetë vendi me praninë më të madhe ushtarake amerikane në Evropë.”

Presidenti Bush njoftoi dje planet për të kthyer në atdhe brënda 10 vjetëve të ardhshëm deri në 70 mijë trupa nga Evropa dhe Azia. Zyrtarë amerikanë të mbrojtjes thanë se rreth 30 mijë trupa, që ndodhen në Gjermani, do të tërhiqen.

Për më shumë se gjysëm shekulli trupat amerikane kanë qënë të dislokuara në Gjermani. Zoti Voigt tha se prania amerikane ishte një sukses i vërtetë në marrëdhëniet amerikano-gjermane. “Marrëdhëniet midis komuniteteve lokale dhe trupave amerikane ishin shumë të afërta. Ne gjithnjë kemi menduar se trupat amerikane jo vetëm që ndjeheshin rehat në Gjermani, por ata ishin përfaqësuese të mirë për një Gjermani të re, moderne dhe demokratike kur ktheheshin në Shtetet e Bashkuara.”

Kryetarë bashkish, udhëheqës komunitetesh dhe grupe biznesi në gjithë pjesën jugore të Gjermanisë, ku janë të dislokuara shumica e trupave amerikane, thonë se ekonomitë e tyre do të dëmtohen si pasojë e humbjes së vendeve të punës dhe sepse numra të mëdhenj të pjesëtarëve të familjeve do të largohen me ushtarët. Kryeministri bavarian, Edmund Stoiber, rajoni i të cilit do të preket shumë nga planet amerikane, ka kërkuar ndihmën e qeverisë federale.

Pentagoni i kishte këshilluar zyrtarët amerikanë në fillim të këtij viti se po shqyrtonte mundësinë e lëvizjes së njësive amerikane nga Gjermania dhe zëvëndësimin e tyre me forca më të vogla dhe më të manovrueshme.

//ze//

XS
SM
MD
LG