Lidhje

SHBA: ”Akti patriot” dhe sfidat ndaj tij - 2004-08-20


Bashkimi Amerikan për Liritë Civile i ka bërë sfidë një neni tjetër të Aktit Patriot. Bëhet fjalë për masën që i jep qeverisë federale mundësi të pakufizuara për të shqyrtuar të dhëna personale të shtetasve privatë, në kuadër të luftës kundër terrorizmit. Kjo organizatë ka qenë një kundërshtare e zellshme e Aktit Patriot që nga miratimi i tij në tetor 2001. Por këtë radhë bëhet fjalë për një sfidë më personale. Për hollësi të ndjekim materialin e korrespondentes Maura Farrelly.

Kjo sfidë mund t’i kushtojë Bashkimit Amerikan për Liritë Civile 500 mijë dollarë nga fondet e dhuruara nga qytetarë privatë, të cilët punojnë për qeverinë federale. Bashkimi është një ndër afro 2 mijë organizatat bamirëse që marrin fonde nga fushata e donacioneve e punonjësve federalë. Fushata organizohet nga qeveria federale por paratë i dhurojnë punonjës federalë dhe nuk konsiderohen si fonde publike. Në bazë të Aktit Patriot, të gjitha organizatat që marrin fonde nga kjo fushatë nuk duhet të punësojnë individë që janë në listën e personave të mbikqyrur nga qeveria në kuadër të luftës kundër terrorizmit. Emily Whitfield është zëdhënëse e organizatës:

“Është një marrëveshje shumë e mjegullt. Nuk mendoj se ka njeri përveç Prokurorit të Përgjithshëm John Ashcroft që e di me saktësi se si do të zbatohet kjo masë. Por nga kryetarja e Fushatës së Donacioneve të punonjësve federalë mësuam se ajo pret nga ne që të studiojmë emrat në listat e punonjësve dhe t’i marrim ata në pyetje lidhur me organizatat ku bëjnë pjesë dhe besimet e tyre personale. Kjo e vulosi vendimin tonë”.

Në vend që ta zbatonte këtë rregull, Bashkimi Amerikan për të Drejtat Civile ka tërhequr emrin nga lista e organizatave që marrin donacione nga fushata dhe së bashku me një numër organizatash të tjera ka vendosur të sfidojë Aktin Patriot me arsyetimin se bie ndesh me të drejtën e individit për organizim. Rick Cohen është drejtor i Komitetit Kombëtar për Filantropinë e Përgjegjshme, i cili në vitet ’80 ishte angazhuar për zgjerimin e listës së organizatave që përfitonin nga fushata e donacioneve. Zoti Cohen thotë se shumë nga grupet që përfshihen në këtë fushatë punojnë me përfaqësues të pakicave, disa prej të cilëve janë në listën e personave të mbikqyrur nga qeveria:

“Kjo listë me 143 faqe ka disa mijëra emra, shumë prej të cilëve janë persona me prejardhje arabe apo aziatike. Shumë emra ngjajnë në të shkruar apo në të shqiptuar dhe është vështirë të bëhet dallimi dhe verifikimi i personave në bazë të listave të qeverisë”.

Rick Cohen shpreh shqetësim se disa organizata nuk mund të funksionojnë pa donacionet federale, dhe si rrjedhojë do të kundërshtojnë çdo individ që kërkon punë, por që ka një emër të ngjashëm me atë në listën e personave të mbikqyrur. Një tjetër shqetësim që ngre Emily Whitfield e Bashkimit Amerikan për të Drejtat Civile është mënyra e mjegullt dhe pasaktësia në përpilimin e listës:

“Kur ngritëm padi kundër listës së personave që nuk lejohen të udhëtojnë me avion, mësuam se listat e personave të mbikqyrur nga qeveria janë të mbushura me gabime. Jo vetëm gabime në shkrimin e emrave, por edhe në mungesën e mënyrave për të korrigjuar gabimet. Për shembull nëse në listë është futur emri Hulio Ramirez dhe dikush që quhet Hulio Ramirez do të verifikojë me prova se nuk bëhet fjalë për të, por për dikë tjetër me të njëjtin emër, ai mund të mos ketë mundësi ta bëjë një gjë të tillë në kushtet e sistemit aktual”.

Administrata e Sigurisë së Transportit, e cila përgatiti listën e personave që nuk lejohen të udhëtojnë me avion, e ka mbrojtur listën e përpiluar, megjithëse të paktën 7 persona të pafajshëm nuk janë lejuar të hipin në avion, pasi emrat e tyre ishin futur gabimisht në listë. Ndërkaq, zyra e Menazhimit të Personelit të qeverisë federale e cila administron fushatën e donacioneve të punonjësve federalë po ia transmeton të gjitha shqetësimet lidhur me Aktin Patriot Departamentit të Drejtësisë. Ky departament nuk pranon të bëjë komente lidhur me ankesën e Bashkimit Amerikan për të Drejtat Civile derisa të ngrihet padia.

XS
SM
MD
LG