Lidhje

Greqia: masat e sigurimit kanë patur sukses, nuk do ta ulim vigjilencën - 2004-08-20


Ministri grek i mbrojtjes tha se masat e sigurimit të marra nga vendi i tij për Lojrat Olimpike të Athinës kanë patur aq sukses, saqë Greqia do të jetë tani në gjendje t’i japë këshilla Kinës për Lojrat e 2008-s, pra se si mund të evitohen sulmetg terroriste. Por siç njofton nga Athina korrespondenti ynë, Roger Wilkison, ministri tha se Greqia nuk ka ndërmend të ulë vigjilencën para se të përfundojnë lojrat e Athinës.

Java e parë e lojrave ka kaluar pa ndonjë incident dhe ministri grek i mbrojtjes Spilios Spiliotopullos e ndjen veten shumë të lehtësuar në krahasim me disa javë më parë, kur ekspertët dhe mediat perëndimore paralajmëronin se vonesat në ndërtimin e objekteve olimpike po dëmtonin aftësinë për të testuar sistemet e sigurimit.

Në një drekë që dha për korrespondentët e huaj në zyrën e tij, ministri tha se Greqia ka bërë gjithçka është e mundur që Lojrat e Athinës të zhvillohen në siguri maksimale në rrethanat e reja, të krijuara pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit në Shtetet e Bashkuara.

"Të gjitha Lojrat Olimpike që do të organizohen në të ardhmen do të kenë në qendër masat e sigurisë dhe ky do të jetë modeli për organizimin e lojrave të tilla në të ardhmen."

Zoti Spiliotopullos thotë se një numër provash paraolimpike lejoi që institucione të ndryshme që nga ushtria, policia, kompanitë elektrike dhe deri te spitalet të bashkpëpunonin si asnjëherë më parë. Ai tha se qëllimi ishte të bëheshin përgatitje për skenarin më të keq, për shembull një sulm që mund të shkaktonte mijra viktima.

"Ne duhet të merrnim parasysh faktin që rrethanat e sigurisë sot janë shumë të paparashikueshme. Pra, askush nuk e di se kur, si dhe prej kujt mund të vijë e keqja, apo kundër kujt. Prandaj është e nevojshme që përgatitjet të bëhen për skenarin më të keq. Pikërisht sepse kishim në mend skenarin më të keq prandaj edhe shpenzuam edhe aq shumë para."

Ministri thotë se Greqia po shpenzon 1 miliard e 200 milion dollarë për sigurimin e lojrave. Kjo është më pak se sa parashikimet por përsëri katër herë më shumë se sa shpenzoi Australia për Lojrat e Sidnit të vitit 2000. Një numër i madh ekspertësh të sigurisë nga Shtetet e Bashkuara, Australia dhe Izraeli kanë shërbyer si këshilltarë për operacionet e sigurisë së lojrave. Zoti Spiliotopullos thotë se tani Greqia ka besim se mund ta ndihmojë Kinën në përgatitjet e lojrave të Pekinit në vitin 2008.

"Ne kemi një ftesë nga Kina për disa ekspertë grekë që merren me masat e sigurimit që të shkojnë atje dhe të japin këshilla për masat e sigurisë. Pra, herën tjetër, Kina do të ketë këshilltarë nga 8 vende."

Por zoti Spiliotopullos thotë se edhe pse deri tani çdo gjë ka shkuar mirë, Greqia nuk ka ndërmend ta ulë vigjilencën para se të kenë mbaruar lojrat olimpike dhe ato paraolimpike për handikapatët, pra deri në fund të shtatorit. Askush nuk e ka ulur vigjilencën dhe nuk ka rënë në vetkënaqësi, tha ministri grek i mbrojtjes.

XS
SM
MD
LG