Lidhje

Peshëngritësi Shabani zhvishet nga Medalja Olimpike - 2004-08-22


Peshëngritësi me origjinë shqiptare Luan Shabani, pjesëtar i ekipit olimpik grek në Athinë, i cili konkuron me emrin Leonidas Sampanis, u zhvesh nga medalja e bronxtë sot për shkelje të rregullores së dopingut.

Shabani është fitues i medaljes së argjendtë në dy Olimpike të mëparshme dhe doli në këto Lojra në vend të tretë në konkurimet për peshat 62 kilogramë, por u skualifikua më pas nga bordi drejtues i Komitetit Olimpik dhe u përjashtua nga lojrat:

“Ju njoftoj se zoti Leonidas Sampanis është përjashtuar nga Lojrat Olimpike pasi rezultoi pozitiv në analizat e dopingut. Sampanis rezultoi pozitiv në analizat për testosteron më 16 gusht, pasi ishte zhvilluar konkurimi në kategorinë e 62-kilogramëve në peshëngritje, ku ai fitoi medaljen e bronxtë. Të gjithë peshëngritësit që renditen në 4 vendet e para të këtij konkurimi iu nënshtrohen analizave të Komitetit,” tha zëdhënësja e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar.

32-vjeçari Shabani rezultoi pozitiv për një sasi dy herë më të madhe testosteroni se masa e pranueshme dhe nga vlerësimi i mjekëve, ky nivel i lartë i hormonit nuk ishte prodhurar në mënyrë të natyrshme nga trupi.

Vetë atleti, në një deklaratë emocionale, këmbënguli se ishte i pafajshëm:

“Dua të deklaroj me sinqeritet se gjatë 10 vjetëve që kam konkuruar asnjëherë nuk kam marrë substanca të palejueshme. Kam kaluar shumë analiza dhe asnjëherë nuk kam rezultuar pozitiv. Dua të them para popullit grek se betohem para Zotit dhe për dy fëmijët e mi të vegjël se asnjëherë nuk kam marrë doping. Dua të më besoni dhe të mos më braktisni. Dua që të keni besim tek unë,” tha peshëngritësi Shabani.

Sportadëshit grekë e pritën me zhgënjim lajmin e Komitetit Olimpik:

“Një njeri që betohet para Zotit dhe për fëmijët e tij se nuk e ka bërë këtë, unë e besoj. Të gjithë e besuan se ai nuk kishte bërë asgjë të parregullt,” tha një sportdashës në Athinë.

Kjo ishte një tjetër goditje ndaj ekipit olimpik grek, vetëm pak ditë pasi sprintierët më të fortë të ekipit, Kostas Kenteris dhe Katerina Thanou u tërhoqën nga lojrat pasi nuk u paraqitën për analizat e dopingut.

Komiteti Olimpik Ndërkombëtar ka urdhëruar Komitetin Olimpik Grek të dorëzojë menjëherë medaljen që i është dhënë Shabanit. Ka mundësi që Federata Ndërkombëtare e Peshëngritjes të marrë masa të tjera ndëshkuese, përfshirë edhe përjashtimin nga konkurimet ndërkombëtare.

Si rrjedhojë e vendimit të Komitetit, medalja e bronxtë do t’i jepet tani peshëngritësit nga Venezuela Israel Jose Rubio Rivero, i cili avancon nga vendi i katërt në vend të tretë. Medalja e artë dhe ajo e argjendtë u fituan nga peshëngritës kinezë.

XS
SM
MD
LG