Lidhje

Presidenti Bush: plani i riorganizimit të trupave në ndihmë të luftës kundër terrorizmit - 2004-08-22


Presidenti George Bush bëri të ditur kohët e fundit një plan për riorganizimin e forcave amerikane, i cili, siç thotë ai, do të ndihmojë për të kursyer fondet dhe për ta bërë ushtrinë amerikane më elastike për të luftuar terrorizmin. Presidenti Bush thotë se disa trupa do të dërgohen në vende të reja dhe rreth 60 deri në 70 mijë ushtarë që tashmë janë të dislokuar jashtë vendit do të sillen në Shtetet e Bashkuara, nga bazat në Evropë dhe Azi, veçanërisht në Gjermani dhe Korenë e Jugut.

"Gjatë dekadës së ardhshme ne do të dislokojmë një forcë më të zhdërvjellët dhe më elastike, gjë që do të thotë se do të kemi më shumë trupa të dislokuara në vend. Do t’i dërgojmë disa nga trupat në vendndodhje të reja ku të jenë në gjendje t’u përgjigjen me shpejtësi kërcënimeve të papritura"- thotë presidenti Bush.

Presidenti Bush e bëri këtë njoftim në kuvendin e veteranëve amerikanë në luftra të huaja. Ai tha se ushtria ndeshet tani me sfida të reja.

Plani i ri do të na ndihmojë të luftojmë dhe t’i fitojmë luftrat e shekullit të 21. Ai do të forcojë aleancat tona në botë ndërkohë që ndërtojmë partneritete të reja për ta ruajtur më mirë paqen.

Kundërshtari politik i presidentit, senatori demokrat John Kerry mbajti fjalim në të njëjtin kuvend dy ditë pas presidentit:

"Plani i papërcaktuar qartë i presidentit nuk e forcon luftën tonë kundër terrorizmit. Nuk arrin të ulë tensionin mbi personelin tonë ushtarak."- thotë zoti Kerry.

Senatori Kerry tha se plani i presidentit Bush u dërgon mesazhin e gabuar aleatëve të Shteteve të Bashkuara se po dobësohet angazhimi ndaj Evropës Perëndimore dhe Koresë së Jugut, dhe se kjo ndodh në momentin e gabuar. Senatori theksoi luftën kundër al-Kaidës si dhe negociatat aktuale me Korenë e Veriut për programin bërthamor. Vetëm pak ditë pas njoftimit për ridislokimin e trupave, zyrtarët jugkoreanë të mbrojtjes u kërkuan Shteteve të Bashkuara të shtyjnë planet për tërheqjen e trupave nga gadishulli i ndarë korean. Në Gjermani, ku ndodhet kontigjenti më i madh amerikan në Evropë, ministri i mbrojtjes Peter Struck tha se tërheqja do të jetë një humbje e madhe ekonomike për Gjermaninë. Lawrence Korb, ish Ndihmës Sekretar i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara thotë se tërheqja e trupave amerikane nga Gjermania mund të dëmtojë edhe luftën kundër terrorizmit:

Nëse i kthejmë në atdhe dy divizionet që ndodhen në Gjermani, Divizionin e Parë të Bliduar dhe Divizionin e Parë të Këmbësorisë, kjo i largon ata nga zonat e paqëndrueshmërisë. Divizioni i parë i Këmbësorisë, i cili e ka bazën në Gjermani aktualisht ndodhet në Irak. Divizioni i parë i blinduar ka qenë në Irak. Ata janë shumë më pranë vijës së frontit nëse ndodhen në Gjermani sesa po të kthehen në Shtetet e Bashkuara, -tha zoti Korb.

Zoti Korb tha gjithashtu se tërheqja e trupave nga Koreja mund t’i dërgojë mesazhin e gabuar udhëheqësit të Koresë së Veriut Kim Jong Il.

Në një seancë që zhvilloi kohët e fundit Komisioni i Senatit për Shërbimet e Armatosura, Sekretari i Mbrojtjes Donald Rumsfeld iu përgjigj kësaj akuze:

"Nuk do të dobësohet në asnjë mënyrë efekti parandalues. Është gabim të vihet shenja e barazimit ndërmjet numrit të trupave dhe aftësisë asgjësuese dhe kapacitetit. Shpejtësia, zhdërvjellsia dhe precizioni janë shumë të rëndësishme, më të rëndësishme se shifrat, sesa numri i trupave apo i bombave."-tha zoti Rumsfeld.

Sekretari Rumsfeld tha se Shtetet e Bashkuara ia kanë transferuar përgjegjësitë ushtrisë së Koresë së Jugut dhe po shtojnë faktorë të tjerë parandalues në këtë gadishull. Ai shtoi se ndryshimet do të vihen në zbatim gradualisht.// lk //

XS
SM
MD
LG