Lidhje

Lojrat Olimpike vazhdojnë, në temperaturat e larta të Athinës - 2004-08-23


Temperaturat e larta dhe kodrat përgjatë rrugës së lashtë të maratonës nuk ishin pengesë për Mizuki Noguçin e Japonisë, e cila fitoi medaljen e arit për Japoninë, e pasuar nga Katerina Ndereba e Kenias dhe Dina Kastor e Shteteve të Bashkuara.

Por rekordmenja botërore, Paula Radklif e Britanisë, u tërhoq nga gara pas 35 kilometrash, mesa duket për shkak të një lëndimi në këmbë.

Ndërkaq, Xhastin Gatlin i Shteteve të Bashkuara zuri vendin e parë në garën 100 metra. Medaljen e argjendit në këtë garë e fitoi Francis Obikuele i Portugalisë, i pasuar nga ish kampioni olimpik Maorice Green i Shteteve të Bashkuara me medaljen e bronzit.

Stefan Holm i Suedisë fitoi medaljen e arit në kërcimin së larti. Amerikani Mat Heminguej zuri vendin e dytë dhe në vend të trtetë u radhit Jarosllav Baba i Republikës Çeke.

Edhe në trehapësh në vend të parë doli sportisti suedez Kristian Ollson, i pasuar nga Marian Oprea i Rumanisë dhe Danila Burkenia i Rusisë. Medaljen e arit në hedhjen e çekiçit e fitoi hungarezi Adrian Annus.

Sarah Ulmer e Zelandës së Re fitoi medaljen e arit, duke thyer rekordin botëror, në garën tre kilometra të çilizmit. Në vend të dytë me medaljen e argjendit doli Katie Maktier e Australisë dhe Leontien Zixhlard-Van Morsel e Holandës fitoi medaljen e bronzit.

Në skermë, Franca fitoi medaljen e arit në për meshkuj, duke mundur në finale Hungarinë me razultatin 43-32. Gjermania u radhit e treta.

Në zhytje nga platforma 10 metra, kampione doli Shantelle Njuberi e Australisë. Në vend të dytë me medaljen e argjendit doli Lao Lishi e Kinës dhe Loudi Tourki e Australisë në vend të tretë.

Në kaluçin me doreza, Teng Haibin i Kinës fitoi medaljen e arit. Medaljen e argjendit e fitoi Marius Daniel Urzica i Rumanisë dhe në vend të tretë doli japonezi Takehiro Kashima.

Gjimnasti Dimosthenis Tamapakos gëzoi sportdashësit grekë duke fituar medaljen e arit në unaza. Jordan Jovçev i Bullgarisë siguroi medaljen e argjendit, i pasuar nga italiani Juri Çeçi.

Gjimnastja rumune Monika Rosu doli e para në garën e kërcimit të kalit, duke lënë pas amerikanen Ania Hatç dhe rusen Ana Pavllova.

Amerikani Mat Emons bëri një gabim të rrallë që i kushtoi atij medaljen e arit në qitje në garën 50 metra me pushkë në tre pozicione. Ai kryesonte me rezultat të thellë deri në qitjen e fundit, kur qëlloi objektivin e gabuar duke rënë në vend të tetë. Medaljen e arit në këtë garë e fitoi Gjia Zhanbo i Kinës, i pasuar nga amerikani Majkëll Anti dhe australiani Kristian Planer.

Nikolas Masu i Kilit zuri vendin e parë në tenis për meshkuj, duke mundur në finale amerikanin Mardy Fish. Medaljen e bronzit e mori Fernando Gonzales po i Kilit.

Kina fitoi garën në tenis në dyshen për femra. Kinezja Zhang Jining fitoi në lojrat e Athinës medaljen e dytë të arit në pingpong.

Siren Sundbi e Norvegjisë fitoi titullin e kampiones në garën klasike evropiane të lundrimit. Robert Sheidt i republikës Çeke mori medaljen e arit, në garën kalisike Lazer të lundrimit, për meshkuj, i pasuar nga Andreas Geritser i Austrisë dhe Vasilij Zbogar i Sllovenisë.

Në kanotazh, amerikanët fituan medaljen e parë të arit pas 40 vjetësh në garën tetëshe për meshkuj. Rumania mbrojti me sukses titullen e kampiones olimpike për femra në këtë garë.

Vasilejos Plimeros dhe Nikolas Skiathitis i dhanë Greqisë medaljen e parë olimpike në kanotazh, duke zënë vendin e tretë.

Ndërkohë, Komiteti Ndërkombëtar Olimpik konfirmoi se kampionia olimpike ruse në hedhjen e gjyles, Irina Korzhanenko rezultoi pozitive në kontrollin për droga. Ajo është sportistja e 14-të në Lojrat Olimpike të Athinës që kapet në fushatën kundër prëdorimit të drogave.

Të njëjtin fat pësoi edhe Olga Shukina e Kazakistanit. Në këtë fushatë, e cila filloi më 30 korrik, janë kapur edhe 9 ngritës peshash, dy basketbollistë grekë dhe një boksier nga Kenia. Dy atletë të tjerë grekë, Kostadinos Kenteris dhe Ekaterini Thanu janë tërhequr nga lojrat pasi nuk u paraqitën për kontroll.

Pas 9 ditësh, Kina kryeson në kategorinë e medaljeve të arit me 22 e pasuar nga Shtetet e Bashkuara me 21. Por, sportistët amerikanë kanë fituar deri tani gjithësej 56 medalje, kurse kinezët 46. Në vend të tretë radhitet Japonia me 26 medalje, 13 prej tyre të arta.

Ndërkaq, Sekretari amerikan i Shtetit, Colin Powell, tha se do të përfaqësojë Shtetet e Bashkuara në ceremonitë e përfundimit të Lojrave Olimpike më 29 gusht. //kk//

XS
SM
MD
LG