Lidhje

Ballkani dhe kandidatët presidencialë në SHBA - 2004-08-24


Me vëmendjen e përqendruar tek konfliktet në Irak dhe Afganistan, Shtetet e Bashkuara po merren tani më pak me rajonin e Ballkanit, ku kanë përfunduar konfliktet e viteve 1990. Por gjendja në Kosovë mbetet e pasigurt dhe statusi i saj i papërcaktuar, ndërkohë që ekziston mundësia e tensioneve etnike, në një rajon që është mësuar me to. Kolegia jonë Keida Kostreci njofton se Presisdenti George Bush dhe rivali i tij demokrat John Kerry kanë shprehur pikëpamje të ndryshme për angazhimin që duhet të kenë Shtetet e Bashkuara në Ballkan.

Kur mori detyrën në janar të vitit 2001, Presidenti George Bush tha se donte t’i tërhiqte gradualisht forcat amerikane nga Ballkani, në kuadër të përpjekjeve për të pakësuar misionet paqeruajtëse amerikane në gjithë botën. Dhe ashtu bëri. Më shumë se gjysma e rreth 5 mijë trupave amerikane në Kosovë, janë larguar dhe ato në Bosnjës pritet të tërhiqen krejtësisht nga fundi i këtij viti dhe të zëvendësohen me paqeruajtës evropianë.

John Hulsman, ekspert i çështjeve evropiane dhe të NATO-s në Fondacionin Heritage në Washington thotë se ky pakësim forcash është i arsyeshëm, duke patur parasysh përparësitë e tjera të administratës së presidentit Bush.

“Ndërkohë që interesi i Amerikës është përqendruar në katër drejtime kryesore: Irak, Iran, Koreja e Veriut dhe al-Kaida, interesi i administratës së presidentit Bush për Ballkanin ka zënë një vend tretësor. Kjo administratë ka diskutuar për evropianizimin e misioneve për zgjidhjen e konfliktit, duke u dhënë rolin drejtues udhëheqësve vendas, si edhe Bashkimit Evropian, duke e lënë Amerikën në një rol mbështetës”.

Zoti Hulsman thotë se një shkallë “neglizhence me qëllim të mirë” mund të rezultojë e dobishme politikisht në Ballkan. Në fakt Shqipëria dhe Maqedonia janë konsideruar së fundmi si partnerë, me kontributin e tyre në trupa në operacionet amerikane në Irak dhe Afganistan.

Zoti Hulsman mendon se kandidati demokrat John Kerry mund ta përmbysë këtë prirje, duke u kthyer tek një politikë e ngjashme me atë të administratës Klinton që çoi në fushatën ajrore kundër Serbisë për mbrojtjen e Kosovës, dhe marrëveshjet e Dejtonit të vitit 1995 që sollën fundit e luftimeve në Bosnje.

“Nëse John Kerry vjen në pushtet, problemi me administratën e tij do të ishte se njerëz si Richard Holbrooke kanë ndërtuar gjithë karrierën e tyre me idenë se Dejtoni ishte një sukses i madh dhe do të bënte të gjitha përpjekjet që ta provonte një gjë të tillë. Kështu që mund të pritej një prani e gjerë amerikane në Ballkan”.

Zoti Holbrooke që kishte një rol të rëndësishëm në politikën e administratës së Presidentit Klinton për Ballkanin, përmendet si kandidat i mundshëm për postin e Sekretarit të Shtetit, nëse zgjidhet John Kerry.

James Rubin, ish ndihmës sekretari i shtetit në administratën e Presidentit Klinton, aktualisht këshilltar i zotit Kerry për politikën e jashtme, thotë se ky i fundit do të luante një rol më aktiv në Ballkan dhe do të vazhdonte në gjurmët e përparimit të bërë.

“Ne duhet të konsolidojmë stabilitetin që vendosi atje administrata e ish-Presidentit Clinton dhe të marrim masat që të mos ketë një përsëritje të konfliktit dhe luftës civile. Ne arritëm një sukses të madh në atë rajon dhe nuk duhet ta prishim atë, duke u larguar para kohe, pa u vendosur përfundimisht qendrueshmëria dhe demokracia dhe pa u realizuar integrimi në institucionet evropiane”.

Këshilltarët e John Kerryt thonë se ai do të mbante të njëjtin numër trupash amerikane në Ballkan. Angazhimi i tij në rajon do të anonte më shumë drejt integrimit euro-atlantik të vendeve të Ballkanit, në mënyrë që ato të konsiderohen pjesë e Evropës dhe jo më si oborri i pasëm i saj.

Kathleen Stephens, zëvendës ndimës-sekretare amerikane e shtetit, thotë se angazhimi i Presidentit Bush në Ballkan ka qenë i mjaftueshëm, në shumë drejtime.

“Në përgjithësi, një politikë angazhimi ka qenë thelbësore për përparimin e arritur, një politikë bashkëpunimi me partnerët evropianë dhe me vendet e rajonit, në rrugën drejt integrimit euro-atlantik. Mua më duket se ka patur një konsensus nga të dyja partitë lidhur me këto synime në përgjithësi”.

John Lampe, shef i Departamentit të Historisë në Universitetin e Merilendit dhe ekspert i çështjeve të Ballkanit thotë se Shtetet e Bashkuara kanë një interes të drejtpërdrejtë në ruajtjen e qendrueshmërisë në Ballkan, por sipas tij cilido kandidat t’i fitojë zgjedhjet, atje nuk mund të pritet angazhim më i madh sesa ai aktual.

“Mendoj se publiku në rajon nuk duhet të presë ndihmë më të madhe ekonomike, apo shtim të pranisë ushtarake. Nuk ka aq shumë burime dhe po ashtu ka ardhur vërtet koha që qeveritë dhe popujt e rajonit që të marrin në dorë shanset e tyre”.

Analistët janë të një mendjeje se përsa kohë Shtetet e Bashkuara të vazhdojnë operacionet në Irak dhe Afganistan, cilido qoftë presidenti i ardhshëm amerikan, paratë dhe koha në dispozicion për Ballkanin, do të jenë të kufizuara. Por kjo nuk ia ul rëndësinë rajonit, vetëm ul nivelin e angazhimin amerikan atje.//ii

XS
SM
MD
LG