Lidhje

SHBA: Masa kundër dy bankave të huaja, për shkelje të ligjeve anti-terroriste - 2004-08-25


Shtetet e Bashkuara kanë vënë në shënjestër dy banka të huaja për sanksione për shkelje të ligjeve anti terroriste që synojnë të pengojnë pastrimin e parave.

Departamenti amerikan i Thesarit akuzoi Infobankën e Bjellorusisë se ka ndihmuar regjimin e Sadam Husenit për të pastruar para të përfituara nga programi i Kombeve të Bashkuara i njohur me emrin naftë për ushqime.

Akuza janë ngritur edhe ndaj Bankës Tregtare të Republikës Turke të Qipros së Veriut. Kjo e dyta akuzohet se ka lidhje me krimin e organizuar dhe ka ndihmuar në pastrimin e parave. Departamenti i Thesarit propozoi sanksionet më të ashpra që ka në dispozicion, shkëputjen e lidhjeve të këtyre bankave me sistemin financiar amerikan.

William Fox është drejtor i antikrimit në Departamentin amerikan të Thesarit:

“Ne do të imponojmë një masë të posaçme kundër këtyre dy bankave dhe kjo masë do tu ndalojë institucioneve financiare amerikane që të mbajnë llogari bankare të këtyre bankave ose në emër të tyre”, tha zoti Fox.

Ndërkohë do të lihet një afat 30 ditor që palët e interesuara në Shtetet e Bashkuara dhe në vende të tjera të mund të paraqesin opinionet e tyre para se sanksionet të hyjnë në fuqi.

Në bazë të ligjit Patriot, të miratuar pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit, departamenti i thesarit ka të drejtë të shpallë institucione të huaja financiare si problematike për pastrim parash.

Ky departament pastaj ka të drejtë të propozojë masa të tjera si kërkimin e dokumentacioneve shtesë për verifikime të transaksioneve financiare e deri në prerjen e lidhjeve të tyre me sistemin financiar të Shteteve të Bashkuara.

Në luftën kundër terrorizmit, njëri nga qëllimet kryesore të administratës së presidentit Bush është që të shterrojë burimet financiare të terroristëve dhe të shkatërrojë rrjetin e tyre financiar. Për një kohë të gjatë, Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të; zbatojnë një strategji të tillë kundër trafikut të drogës dhe krimit të organizuar.

XS
SM
MD
LG