Lidhje

Lojrat Olimpike: Dita e Dymbëdhjetë sjell medalje e rezultate interesante - 2004-08-26


Pas një loje dramatike, Shtetet e Bashkuara kaluan një provë të vështirë duke mundur një nga skuadrat favorite për medalje në volejboll për meshkuj, atë të Greqisë e cila u mbështet fort nga tifozët e zjarrtë grekë. Donald Suxho dha kontributin e tij në momente vendimtare të kësaj ndeshjeje e cila përfundoi 3-2. Shtetet e Bashkuara do të ndeshen të premtën me Brazilin i cili mundi Poloninë me rezultat të pastër tre me zero. Amerikë-Brazil takohen për të dytën herë në pesë ditë. Fituesja del në finale, kurse skuadra që humb, do të diskutojë vendin e tretë e të katërt me skuadrën që mundet në ndeshjen ndërmjet Rusisë dhe Italisë, e cila do të luhet po nesër. Rusia mundi po të mëkurën Serbinë e Malin e Zi 3-1 dhe Italia Argjentinën me të njëjtin rezultat.

Në zhvillime të tjera të veprimtarive olimpike, Shtetet Bashkuara e ruajtën epërsinë e tyre të lehtë në tabelën e medaljeve me 76, prej të cilave 25 medalje të arta. Në vend të dytë vjen Kina me 52 medalje gjithsejt, 24 të arta. Australia u ngjit në vend të tretë me 42 medalje, 16 nga të cilat janë të arta.

Në atletikë, Fani Halkia e Greqisë, e brohoritur nga mijëra sportdashës të zjarrët, fitoi garën 400 metra me pengesa duke merituar kështu edhe medaljen e artë. Grekja 25-vjeçare e përfundoi garën në 52 sekonda e 82 të qindtat.

Veronica Campbell e Jamikës fitoi medaljen e artë në garën e 200 metrave me kohën 22 sekonda e 05 të qindtat.

Duke thyer rekordin olimpik në hedhjen e çekiçit për femra, rusja Ollga Kuzenkova fitoi edhe medaljen e artë. Hedhja e saj ishte 75 metra e 2 centimetra.

Çiklizëm në velodrom: Ryan Bauley i Australisë fitoi medaljen e artë në garën individuale Keirin. Po me çiklizmin: Australia fitoi garën ekipore Madison.

Në bejzboll Kuba mundi Australinë me rezultatin 6-2 dhe fitoi kështu medaljen e artë.

Në mundje klasike u dhanë katër medalje të arta. Fituesit ishin Istvan Majoros i Hungarisë për peshën deri në 55 kilogram; Farid Mansurov i Azerbaixhanit për peshën deri në 66 kilogram; Alexei Michine i Rusisë për peshën deri në 84 kilogram dhe Hassan Baroev po i Rusisë për peshën e 120 kilogramëve.

Në vaterpol për meshkuj Rusia mundi Gjermaninë 12-5 dhe do të luajë kundër kampiones olimpike në fuqi, Hungarisë në gjysëmfinale. Serbia dhe Mali i Zi mundi Spanjën 7-5 dhe do të ndeshet po në gjysëmfinale me Greqinë.

Ndërkohë, basketbollistet amerikane vazhduan në rrugën e tyre drejt fitores së medaljes së artë për të tretat lojra olimpike radhazi. Ato fituan të mëkurën me lehtësi kundër Greqisë 102-72. Shtetet e Bashkuara do të luajnë të premtën në gjysëmfinale kundër Rusisë e cila mundi të mëkurën Republikën Çeke 70-49. Në ndeshjen tjetër gjysëmfinale do të ndeshen Brazili dhe Australia. Brazili mundi Spanjën 67-63 dhe Australia mundi thellë Zelandën e Re 94-55. Basketbollistet australiane nuk kanë humbur asnjë ndeshje në Lojrat e Athinës. //az//

XS
SM
MD
LG