Lidhje

SHBA: Republikanët dhe Kuvendi Kombëtar - 2004-08-27


Republikanët në Shtetet e Bashkuara po përgatiten për veprimtarinë e tyre më të rëndësishme në prag të zgjedhjeve presidenciale të nëntorit. Të hënën në Nju Jork fillon Kuvendi Kombëtar i kësaj partie, që përfundon të enjten me fjalimin e presidentit Bush. Sipas analistëve dhe ashtu siç e tregojnë edhe anketat e fundit, gara pritet të jetë e fortë.

Intervistë me komentatorin politik të gazetës “Uashington Times”, Donald Llambro, mbi përpjekjet e presidentit Bush për t’u rizgjedhur në nëntor.

Zoti Llambro është me origjinë nga Shqipëria.

Zëri i Amerikës: Zoti Llambro çfarë vendi zë kuvendi kombëtar republikan në fushatën elektorale të Presidentit Bush?

Donald Llambro: Besoj do të jetë një përpjekje për t’u dalluar nga Kuvendi Demokrat ku nuk pati asgjë të re dhe u përqëndrua më së shumti rreth senatorit Kerry. Pres që Presidenti Bush do të ofrojë diçka të re, ndoshta propozime të reja që do të përcaktojnë fushatën e tij gjatë dy muajve të ardhshëm. Fjalimi i tij pritet të jetë ngjarja kryesore, pjesa tjetër e punimeve do të jetë, siç e dini edhe ju, kuvendet sot janë kthyer në reklama informative. Fjalimi në kuvend do të jetë fjalimi më i rëndësishëm elektoral për Presidentin, pasi do të ndiqet nga një numër tepër i madh shikuesish. Pas kuvendit presidenti pret që mbështetja për të të shtohet. Ndërsa pas kuvendit demokrat, senatori Kerry nuk pa ndonjë shtim të popullaritetit në anketa. Sipas anketave të fundit të firmës Gallup, mbështetja për Presidentin Bush është shtuar dhe ai do të synojë ta thellojë këtë pas kuvendit. Pra unë pres propozime të reja nga Presidenti Bush në kuvend.

Zëri i Amerikës: Zoti Llambro duket se politika e jashtme dhe çështjet e sigurimit kombëtar do të jenë përcaktuese për zgjedhjet e nëntorit. Le të ndalemi për pak çaste tek politika e jashtme. Në një libër të ri të titulluar “Amerika e Vetme”, dy autorët Stefan Halper dhe Jonathan Clarke e kritikojnë ashpër politikën e jashtme të administratës së tanishme duke thënë se qëndrimi i saj i njëanshëm po rrezikon të dëmtojë imazhin moral të Amerikës në botë. Një prej autorëve, Stefan Halper ka qënë nën sekretar shteti në administratën e Presidentit Regan. A mendoni se pikëpamje të tilla, të shprehura nga njerëz të brendshëm të vetë Partisë Republikane, do të ndikojnë tek votuesit?

Donald Llambro: Nuk besoj. Unë e njoh Stefan Halperin dhe ai e ka mbështetur administratën e Presidentit Bush për shumicën e politikave që ndjek. Edhe mua më habiti ky qëndrim i tij, që në fakt është qëndrimi i demokratëve. Mesa duket diçka ndodhi kur ai u largua nga Amerika dhe shkoi për të punuar në Britani, ku ka shumë profesorë liberalë të krahut të majtë. Presidentit Bush iu desh të merte një vendim: ose të godiste terroristët duke ndjekur një politikë parandaluese, ose të ndiqte politikën e vjetër të pritjes, derisa të bëhej një sulm tjetër e pastaj të përgjigjej. Kjo nuk mund të lejohej më. Unë i hedh plotësisht poshtë kritikat se Amerika vepron e vetme. Ne kemi shkuar disa herë tek Kombet e Bashkuara, para sulmit në Irak dhe aty morëm shumicën e votave të Këshillit të Sigurimit, që është organi më i madh shumë-palësh në botë. Po ashtu ne kemi shumë aleatë në Irak, rreth 30 vende që na mbështesin me trupa. Pra është gabim të thuhet që Amerika veproi e vetme, vetëm pse nuk siguroi mbështetjen e Francës dhe Gjermanisë. Por edhe këto dy vende, janë me ne në Afganistan. Pra kjo kritikë është e ekzagjeruar dhe nuk mendoj se votuesit amerikanë do të ndikohen. Edhe ky libër i fundit nuk ka patur shumë vëmendje këtu dhe nuk besoj të ketë as në të ardhmen.

Zëri i Amerikës: Le të ndalemi tek problemet e sigurimit kombëtar. Duket se dy çështjet kryesore këtu janë reformimi i agjencive të zbulimit dhe ristrukturimi i forcave të armatosura, siç është rasti i tërheqjes së disa dhjetra mijëra trupave nga Evropa dhe Azia. Tradita në Amerikë është që probleme të tilla zgjidhen me konsensus të të dy palëve, të republikanëve dhe demokratëve. A do të bien tani këto dy probleme madhore viktimë e politikës, aq më tepër që jemi në prag të zgjedhjeve këtë vit?

Donald Llambro: Jo, Presidenti ka bërë disa propozime në mes të fushatës së tij elektorale. Shumë demokratë që kam takuar janë shprehur se fakti që propozimet për ristrukturimin e forcave ushtarake, duke kthyer në atdhe 70 mijë trupa nga Evropa Perëndimore dhe Koreja e Jugut, u bënë gjatë një fjalimi politik, në një farë mënyre ia uli vlerën këtij propozimi. Por propozime të tilla mund të bëhen edhe gjatë fushatës, pa u kritikuar për përfitime politike. Administrata e ka thënë se forcat duhen ristrukturuar për t’iu përshtatur epokës së re. Demokratët deri më sot kanë qënë në krye të përpjekjeve për kthimin e trupave në Amerikë nga Evropa. Por tani ata po thonë se ky është një propozim shumë i gabuar. Mendoj se koha ka ardhur për këtë. Përsa i përket agjencive të zbulimit është bërë një propozim radikal nga republikanët në Kongres, pasi ata kërkojnë shpërbërjen e CIA-s dhe heqjen e kontrollit të Pentagonit ndaj disa angjencive të tjera të zbulimit dhe ta ribëjnë gjithë aparatin e zbulimit. Ky propozim shkon shumë më thellë se rekomandimet e Komisionit të 11 shtatorit. Debatet do të jenë të shumta, po nuk besoj se do të ketë ndonjë lëvizje në këtë drejtim tani shpejt, të paktën deri në përfundim të zgjedhjeve. Nuk më duket se duhet ta shpërbëjmë plotësisht aparatin e zbulimit sidomos tani në epokën e terrorizmit.

Zëri i Amerikës: Edhe një pyetje e fundit, si e parashikoni garën presidenciale për këtë vit? A do të jetë ajo aq e fortë dhe aq e afërt sa 4 vjet më parë, kur fati i zgjedhjeve u përcaktua vetëm me disa qindra vota?

Donald Llambro: Në se i hedhim një vështrim anketave të çdo shteti duket se fati do të përcaktohet në rreth 12 deri 17 shtete ku gara është tepër e ngushtë. Presidenti Bush pritet të fitojë gjithë shtetet e perëndimit, ndoshta me përjashtim të Nju Meksikos, ku nuk i dihet, po ashtu ai pritet të fitojë në shtetet e jugut, ku kryeson në anketa, me përjashtim të Floridës, të cilën besoj se në fund do ta fitojë, dhe kjo lë disa shtete të mëdha në qendër dhe në lindje. Do të jetë një garë e ngushtë deri në fund dhe ndoshta në disa shtete fituesi do të përcaktohet nga një numër i vogël votuesish. Unë vetë parashikoj që presidenti Bush do të fitojë. A mundet të humbasë? Kjo është e mundur, por unë besoj se me përmirësimin e ekonomisë dhe qetësimin disi të gjendjes në Irak, Presidenti Bush është në një pozitë më të fortë për të fituar.

XS
SM
MD
LG