Lidhje

Në Naxhaf vendoset qetësia, pas një marrëveshje paqeje - 2004-08-27


Në Naxhaf mbretëroi qetësia dje, pasi ekstremistët shiitë u larguan nga xhamia e Imam Aliut, duke respektuar një marrëveshje paqeje të arritur me ndërmjetësinë e kryeklerikut shiit të Irakut, Ayatollahu Ali Al-Sistani. Marrëveshja i dha fund një rebelimi trejavor të klerikut radikal Moqtada al-Sadr. Por në Irakun verior, vazhdon dhuna.

Ndërkohë Italia po mban zi për një gazetar italian që u ekzekutua nga ekstremistët në Irak.

Luftëtarët besnikë të klerikut Moqtada al-Sadr u larguan dje paqësisht nga xhamia e shenjtë e Naxhafit, duke i dhënë fund një krize trijavore me forcat amerikane dhe irakiane.

Për herë të parë pas tri javësh, lutjet e së premtes u mbajtën pa zhurmën e breshërive të armëve.

Në një marrëveshje paqeje që u arrit të enjten vonë, ekstremistët ranë dakord të ulin armët dhe t’ia dorëzojnë çelsat e xhamisë Ajatollahut të Madh Sistani.

Policia irakiane do të marrë në dorë ruajtjen e rendit në qytetin e shenjtë, ndërsa forcat amerikane do të largohen. Qeveria kalimtare e Irakut ka rënë dakord të paguaj kompensim për viktimat e luftimeve.

Banorët e Naxhafit shprehin një optimizëm të përmbajtur se marrëveshja e paqes do të zbatohet dhe po përpiqen të gjejnë mënyrat për të riparuar dëmet në qytet dhe për t’iu rikthyer normalitetit. Pjesa më e madhe e qendrës së qytetit është dëmtuar rëndë nga shkëmbimi i zjarrit dhe shpërthimet e bombave.

Po ndërsa në Naxhafi mbretëroi paqja dje, zona të tjera në Irak nuk ishin të qeta. Avionë luftarakë amerikanë bombarduan dje objektiva në qytetin perëndimor të Falluxhës, që konsiderohet bazë kryengritësish. Tetë të dyshuar u ndaluan në Bagdad në lidhje me dy sulme me granata në qendër të qytetit. Ndërsa në qytetin verior të Mosulit, disa civilë irakianë dhe një ushtar amerikan u plagosën kur një bombë shpërtheu pranë një autokolone amerikane.

Në zhvillime të tjera, italianët mbajtën zi dje për vdekjen e gazetarit Enzo Baldoni që u ekzekutua nga rrëmbyes irakianë. Ekstremistët kishin kërcënuar ta vrisnin atë, nëse Italia nuk tërhiqte trupat nga Iraku.

Ministri i Jashtëm italian Franco Frattini e quajti ekzekutimin një tragjedi mizore, por tha se vendi i tij do ta vazhdojë praninë ushtarake në Irak.

“Italia është dhe do të jetë e angazhuar për paqen, demokracinë dhe qendrueshmërinë në Irak. Kështu që ne do të vazhdojmë praninë tonë atje, sepse qeveria e re e kryeministrit Allawi na e ka kërkuar një gjë të tillë”.

Ndërsa presidenti francez, Zhak Shirak, e ka ftuar presidentin e përkohshëm të Irakut për bisedime muajin e ardhshëm. Franca nuk pranoi të merrte pjesë në ndërhyrjen e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara në Irak, por tani do që të bashkëpunojë me autoritetet e Irakut për stërvitje në fushën e sigurisë dhe për përpjekjet e përgjithshme për rindërtimin.

XS
SM
MD
LG