Lidhje

William Lash: SHBA e konsiderojnë Shqipërinë aleate të afërt - 2004-08-29


Ndihmës-sekretari amerikan i Tregëtisë, William Lash, thotë se Shtetet e Bashkuara e konsiderojnë Shqipërinë një aleate tepër të afërt. Zyrtari amerikan tha se Departamenti i Tregëtisë do të angazhohet që Shqipëria të bëhet më e njohur për mundësitë që ofron në fushën e biznesit dhe të investimeve. Nga ana tjetër ai u bëri thirrje kompanive shqiptare që të konkurojnë në tenderat për kontrata projektesh në rindërtimin e Irakut. Me ndihmës-sekretarin Lash, bisedoi kolegu ynë, Arben Zajmi.

Zëri i Amerikës: Zoti Ndihmës Sekretar, Ju e keni vizituar Shqipërinë dy herë kohët e fundit. Si do t’i pershkruanit këto vizita dhe atë të zëvendës-ndihmës sekretarit për Evropen, Eric Stewart, në muajin korrik?

Ndihmës Sekretari William Lash: Shqipëria është partnere tepër e afërt me Shtetet e Bashkuara dhe ishte nder për mua të isha majin e kaluar kur zyrtari më i lartë amerikan i tregëtisë ndonjëherë që vizitonte ndonjëherë Shqipërinë. Më ka bërë mjaft përshtypje shpirti i miqësisë dhe bashkëpunimit nga ana e administratës shqiptare, si dhe populli shqiptar. Prandaj dërgova në Shqipëri zëvendës-ndihmës sekretarin Eric Stewart për të çuar më tej bashkëpunimin tonë me një plan për zhvillimin e tregëtisë. Do të përqendrohemi tek mundësitë për investime, në ndihmën për privatizimin dhe në mundësi të tjera tregëtare duke bashkëpunuar ngusht në të ardhmen.

Zëri i Amerikës: Zoti Ndihmës Sekretar, kompani amerikane me emër, si General Electric dhe Lockheed Martin, kanë zhvilluar aktivitet në Shqipëri. A e shihni këtë si shenjë të një interesi më të madh të bizneseve amerikane për këtë vend?

Ndihmës Sekretari William Lash: Kur është fjala për kompani të tilla të klasit botëror që zhvillojnë biznes në një vend, i dërgohet një mesazh tepër i rëndësishëm kompanive të tjera se ky është një vend që e kupton rëndësinë e shtetit juridik, të transparencës dhe se është i gatshëm për biznes. Dhe ato do të kërkojnë më shumë partneritete e ndërmarrje të përbashkëta dhe këto gjëra ofrojnë mundësi të mëdha për të dyja palët.

Zëri i Amerikës: Zoti Ndihmës Sekretar, tani Shqipëria po privatizon kompani a ndërmarrje nga sektorë strategjike. Cilat janë ato fusha të ekonomisë shqiptare që do të ishin më me interes për investitorët e huaj në përgjithësi, dhe ata amerikanë, në veçanti? Cilat janë disa nga pengesat për kompanitë e huaja për të shtrirë bizneset e tyre në Shqipëri?

Ndihmës Sekretari William Lash: Pikësëpari dhe më e rëndësishmja është se e dimë që Shqipëria është tepër e interesuar të privatizojë sektorin e telekomunikacionit, si dhe atë të energjisë. Ekipi ynë në Departamentin e Tregëtisë po punon me qeverinë shqiptare për t’i bërë kompanitë të vetëdijshme për mundësitë në këta sektorë. Megjithatë, kjo bën pjesë në në nismën tonë të re për t’u përqendruar tek Shqipëria. Shtatorin që vjen do të jem në New York me Kryeministrin e Shqipërisë në konferencën për investime në Shqipëri. Kjo do të dërgojë mesazhin se ne u qendrojmë afër miqve tanë në Tiranë, se ata janë njerëz të përshtatshëm për biznes, se ekzistojnë mundësi të mira në Shqipëri. Në mbarë botën vendet po konkurrojnë për kapitale, për investime dhe mundësi. Ne do të dërgojmë një mesazh tepër pozitiv përmes miqësisë, partneritetit dhe marrëdhënieve me Shqipërinë se ky është një vend që ofron mundësi në shumë sektorë dhe se mendojmë që administrata e tij është e orientuar drejt biznesit.

Zëri i Amerikës: Zoti Ndihmës Sekretar, siç e përmendët edhe ju, një konference për prezantimin e bizneseve shqiptare do të zhvillohet në New York në muajin shtator. Cilat janë objektivat e kësaj konferencë, disa prej të cilave ju sapo i përmendët, dhe çfarë po bën departamenti juaj për të ndihmuar?

Ndihmës Sekretari William Lash: Kur isha në Shqipëri majin e kaluar, Kryeministri Fatos Nano përmendi konferencën dhe unë ofrova ndihmë për të shfrytëzuar zyrat tona në New York, dhe ç’ka është më e rëndësishmja në të do të marrin pjesë zyrtarë të rangut të lartë që do të flasin dhe do të ftojnë botën e investitorëve të shqyrtojnë mundësitë që ofron Shqipëria. Të dyja palët do të përpiqemi që në Shqipëri të shkojnë kompani të rregullta. Duam të sigurohemi se miqtë tonë në Shqipëri nuk po marrin thjeshtë kapitale e investime, por kapitalet dhe investimet e duhura. Pra, kompani të mira e të përgjegjshme, që sjellin me vete teknologji të përparuar, por edhe transparencë, respekt për ligjin, e në veçanti, mjedis që e kupton rëndësinë miradministrimit.

Zëri i Amerikës: Zoti Ndihmës Sekretar, ju kryesoni Grupin e Punës për Rindertimin e Irakut në Departamentin e Tregëtisë. Meqenëse Shqipëria është një nga vendet pjesëmarrëse në të ashtuquajturin Koaliconi i Vullnetit, për aq sa ju keni dijeni, a ka konkurruar ndonjë firmë shqiptare me sukses për kontrata të projekteve në Irak.

Ndihmës Sekretari William Lash: Ne e mirëpresim përfshirjen e të gjithë partnerëve tanë të koalicionit në rindërtimin e Irakut. Në fazën e parë të rindërtimit, me sa di unë, asnjë kompani shqiptare nuk ka konkurruar në tendera për kontrata të primare. Shpresojmë të shohim një përfshirje edhe më të madhe në fazat e tjera për kontrata dhe nën-kontratash. Gjatë vizitës së zëvendësit tim në Tiranë në muajin korrik, zoti Stewart, me të ne dërguam një anëtar të Grupit të Punës për Rindërtimin e Irakut dhe ata u takuan me komunitetin e biznesmenëve shqiptarë dhe me sektorin privat në përgjithësi për të shpjeguar mundësinë e konkurrimit, për rregullat e procesit të rindërtimit dhe i inkurajuan firmat shqiptare për kontrata primare, nën-kontrata apo të bashkoheshin në ndërmarrje të përbashkëta me kompani të tjera nga vendet e koalicionit në Irak. Ne respektojmë pa masë kontributin, sakrificat dhe angazhimin e popullit shqiptar. Dhe jemi të vetëdijshëm se irakianët duan gjithashtu që Shqipëria të luajë rol në rindërtim.

Zëri i Amerikës: Zoti Ndihmës Sekretar, me sa vë re, ju mbani në xhaketë stemën e flamurit shqiptar. Përse?

Ndihmës Sekretari William Lash: Ajo simbolizon miqësinë tonë. Kjo shenjë tregon se të dy flamurët këtu janë partnerë të barabartë. Të dyja vendet e duam lirinë, jemi të angazhuara ndaj saj dhe i kuptojmë sakrificat që duhen bërë. Në zyrën kam bustin e Skënderbeut. Është shenjë e miqësisë dhe e dashurisë për popullin shqiptar dhe qeveritë shqiptare.Ne kemi aleatë më të mëdhenj se Shqipëria, por vetëm pak aleatë janë për ne më të afërt se shqiptarët.

XS
SM
MD
LG