Lidhje

Brovina: Të zhdukurit, ”të burgosurit e vdekur - 2004-08-30


Sot, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur, në Prishtinë u organizua një protestë me pjesëmarrjen e familjarëve të personave të zhdukur. Gjatë së cilës u ndaluan rreth 30 persona sipas pohimeve të policisë, për shkak të mosrespektimit të vendimit të autoriteteve, që protestuesit të mos bllokinin rrugët. Pjesëmarrësit në protestë kërkuan të ndriçohet fati i mbi 3 mijë e 500 personave që edhe pesë vjet pas luftës, mbetet i paqartë. Për të diskutuar më gjerë lidhur me ecurinë e problemit të zhdukurve në Kosovë, Zëri i Amerikës intervistoi zonjën Flora Brovina, Kryetare Komisionit Parlamentar për Çështjen e të Zhdukurve.

Zëri i Amerikës: Çështja e të zhdukurve është një nga problemet për t’u diskutuar në dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit, megjithatë e mendoni se institucionet e Kosovës nga ana a tyre kanë bërë sa duhet për këtë çështje?

Flora Brovina Është e vërtetë se çështja e personave të zhdukur arriti të jetë pika e parë e bisedimeve me Beogradin, por Parlamenti i Kosovës edhe Komisioni Parlamentar për personat e zhdukur është i pakënaqur me rrjedhën e këtyre bisedimeve dhe nivelin në të cilin mbahen. Këto mbahen në nivele teknike të bisedimeve dhe kjo nuk përkon me problemin kaq të rëndë që mundon Kosovën tani e pesë vite.

Zëri i Amerikës: Cila është gjendja aktuale, sa të zhdukur figurojnë gjithsej, sa janë gjetur dhe sa mbeten ende për t’u kthyer?

Flora Brovina: Më e rënda çështje është se edhe të gjeturit në varreza masive në Beograd, në Serbi, që janë 900 ose më tepër, sepse nuk dihet numri i saktë, ndodhen në kompetencë të Ministrisë së Drejtësisë të Serbisë dhe për çështje politike, ata nuk kthehen në Kosovë. Unë për veten time i kam quajtur ata ”të burgosur të vdekur”, dmth të ekzekutuar dhe të burgosur, mbasi ndodhen ende në këto kompetenca. Numri i të kthyerve ose të gjeturve është shumë i vogël, është afër 300 dhe ata kthehen nga 20, 30 ose 40, që është shumë e padrejtë. Çështja kryesore është se as ekzekutorët e këtij krimi nuk janë dënuar deri më sot, asnjë.

Zëri i Amerikës: A mendoni se janë shfrytëzuar të gjitha mundësitë për t’i dhënë zgjidhje sa më shpejt këtij problemi dhe cilat janë kompetencat e organeve vendore për këtë çështje?

Flora Brovina: Natyrisht, që nuk janë shfrytëzuar. Ne kemi pritur që Bashkësia Ndërkombëtare, Kombet e Bashkuara dhe Amerika do të interesohen dhe do të bëjnë presion më të madh tek qeveria e Beogradit, që të zbardhë fatin e personave të rrëmbyer gjatë luftës, kur dihet se ata këtë zhdukje e bënë në formë institucionale me organet e tyre, që është policia ose ushtria që mbajtën dhe evidenca. Për sa i përket organeve vendore ato nuk kanë kompetenca për këtë çështje, sepse ne nuk kemi Ministrinë e Drejtësisë dhe UNMIK-u i ka të gjitha kompetencat. Ne vetëm bëjmë presion dhe kjo është e pamjaftueshme, prandaj edhe rezultatet janë këto që janë dhe janë të pakënaqshme.

Zëri i Amerikës: Çfarë masash janë marrë lidhur me familjet e të zhdukurve dhe si po i ndihmon ata shteti?

Flora Brovina: Deri tani, ne si Komision Parlamentar kemi kontaktuar vazhdimisht me familjet dhe i dimë hallet e tyre të mëdha, qofshin ato shëndetësore, qofshin psiqike për shkak të humbjes dhe kërkimit të të dashurve tani për një kohë të gjatë; qofshin edhe ekonomike, që janë shumë të rënda; dhe në këtë aspekt, jemi duke punuar në nxjerrjen e ligjit për mbrojtjen institucionale të familjeve. Kujtoj se në këtë ligj e drejta kryesore që duhet të mbrohet është e drejta për të ditur fatin e personave të rrëmbyer dhe fajtori të vihet pranë organeve të ndjekjes dhe të marrë dënimin e merituar.

XS
SM
MD
LG