Lidhje

Figura e zonjës së parë të Amerikës: Laura Bush  - 2004-08-31


Këtë javë, republikanët do të mbajnë kuvendin kombëtar republikan në New York, për të emëruar zyrtarisht Presidentin George W. Bush për një mandat të dytë. Një nga folëset në kuvend do të jetë bashkëshortja e Presidentit, Laura. Zonja e parë e Shteteve të Bashkuara është shumë e zënë këto ditë. “Unë jam gati për këtë. Tani jam duke lexuar pikërisht programin.”

Nga udhëtimet nëpër Shtetet e Bashkuara ku ka mbajtur fjalime në emër të presidentit, deri tek aktivitetet e organizuara për çështje që ajo është e interesuar, puna e saj nuk ka të mbaruar.

Megjithëse ligji apo kushtetuta nuk parashikojnë asnjë rol për bashkëshorten e Presidentit, zonjat e para kanë mbështetur tradicionalisht çështjet e tyre të preferuara.

Zonja Bush është e pasionuar me arsimin dhe leximin. Ish mësuesja dhe bibliotekarja organizon Festivalin Kombëtar të Librit me Bibliotekën e Kongresit si dhe aktivitete të tjera të shumta për letërsinë dhe mësuesit.

“Ne duam mësues me përgatitje akademike nga më të ndryshmet.”

Pas 11 shtatorit, ajo ndihmoi për të qetësur vendin dhe për të këshilluar prindërit se si të bisedonin me fëmijët rreth terrorizmit. Ajo mbështet çështje që kanë të bëjnë me shëndetin e grave, duke përfshirë edhe ndërgjegjësimin e njerëzve për sëmundjet e zemrës.

“Ato duan të na kujtojnë se gratë janë në rrezik kudo që ndodhen.”

Por jeta e saj si zonjë e parë është tepër larg kushteve të saj të rritjes në një familje të shtresës së mesme në Teksas.

Laura Welch Bush lindi në vitin 1946 në Midland të Teksasit. Ajo punoi si mësuese dhe si bibliotekare nga fundi i viteve 60-të deri në vitet 70-të. Ajo u njoh me Xhorxh Bushin në vitin 1977 dhe ata u martuan nga fundi i atij viti. Ata u bënë prindërit e dy vajzave binjake, Xhenës dhe Barbarës, në vitin 1981. Laura ishte zonja e parë në Teksas, kur Presidenti Bush ishte guvernator nga viti 1995 deri në vitin 2000. Zonja Bush ka një ton të butë në të folur, është e drojtur kur del në publik dhe nuk pranon se ka ndonjë ndikim në vendimet e Presidentit. Por nuk ka asnjë dyshim se ajo mund të ketë ndikim tek votuesit, veçanërisht tek gratë.

“Ajo do të ndikojë tek ato gra të moderuara republikane, që janë të shqetësuara nga terrori, por që nuk janë konservatore nga ana sociale.”

Alida Bllek është profesore e historisë dhe çështjeve ndërkombërate në Universitetin Xhorxh Uashington në Distriktin e Kolumbias. Ajo ka studjuar rolin e zonjave të para moderne dhe thotë se zonja Bush mund të ketë një ndikim të ndjeshëm në këtë garë të ngushtë presidenciale.

“Këto zgjedhje do të jenë aq të forta sa që Laura Bush mund të bëhet një nga dy faktorët vendimtarë të tyre. A do të ketë ajo mundësi të bindë votuesit e pavendosur, të moderuarit e pavendosur dhe ata që nuk i përkasin asnjë partie, se bashkëshorti i saj nuk është në fakt aq konservator sa duket, pa e prekur bazën konservatore? Ajo mund të jetë një faktor vendimtar në zgjedhje.”

Zonja Bush i ka dalë në mbrojtje Presidentit Bush shumë herë, gjatë fushatës zgjedhore, duke mbrojtur politikat e tij, shërbimin ushtarak dhe karakterin e tij si President.

XS
SM
MD
LG