Lidhje

Vazhdon Kuvendi Kombëtar Republikan - 2004-09-01


Nënpresidenti Cheney, do të flasë sot në mbrëmje në Kuvendin Kombëtar Republikan në New York, ku pritet që të mbrojë me forcë luftën e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara në Irak. Zoti Cheney, që i takon pjesës më konservatore të partisë, do të flasë në kuvend, pas dy ditë fjalimesh ku kanë mbizotëruar udhëheqës republikanë të moderuar. Fjalimin kryesor për sot do ta mbajë senatori demokrat Zell Milles nga shteti Xhorxhia. Megjithëse anëtar i partisë kundërshtare, zoti Miller mbështet me forcë Presidentin Bush dhe e ka kritikuar hapur kandidatin John Kerry. Dje, delegatët emëruan zyrtarisht Presidentin Bush si kandidatin republikan për zgjedhjet e nëntorit. Zoti Bush mbërrin sot në New York dhe do ta pranojë zyrtarisht kandidaturën nesër. Ndërkohë kundërshtarë të politkës së Presidentit Bush dhe të Kuvendit Kombëtar Republikan, mbajtën sot një protestë tjetër në New York. Mijëra persona formuan në mënyrë simbolike një radhë të papunësh prej pesë kilometrash që nga Wall Street deri në ndëtesën Madison Square Garden, ku mbahet kuvendi. Ata mbanin në duar fletë në ngjyrë rozë, që simbolizonin kartat rozë që marrin punonjësit amerikanë kur humbin punën. Në fletë shkruhej “Mund të jetë radha juaj që të merrni karta rozë”. Protesta e sotme u bë një ditë pasi mbi 1000 persona u arrestuan në zona të ndryshme të New Yorkut, përfshirë vendin ku u kryen sulmet e 11 shtatorit. Arrestimet e djeshme ishin në kontrast me marshimin e protestës kryesisht paqësor të së dielës, ku qindra mijëra vetë protestuan në prag të kuvendit, kundër politikave të administratës së presidentit Bush.

XS
SM
MD
LG