Lidhje

SHBA: kuvendi republikan sot në ditën e tretë - 2004-09-01


Në Shtetet e Bashkuara, republikanët i dhanë fund ditës së dytë të kuvendit të tyre kombëtar në qytetin e Nju Jorkut, me fjalimet e guvernatorit të Kalifornisë Arnold Schwartzenegger dhe të zonjës së parë Laura Bush, ku ata vlerësuan lart presidentin Bush. Zoti Schwarzenegger kritikoi demokratët dhe i elektrizoi delegatët e mbledhur në Madison Square Garden të Nju Jorkut. Njofton korrespondentja jonë Deborah Tate.

Guvernatori Schwarzenegger e mbajti fjalimin mbrëmë, një natë kjo që organizatorët ia kishin kushtuar asaj që ata e quajnë zemërgjerësia e popullit amerikan.

Schwarzenegger foli rreth përvojës së tij si emigrant, kur erdhi në Amerikë nga Austria dhe që tani arrin të flasë në emër të presidentit të Shteteve të Bashkuara. Kjo ësshtë ëndrra amerikane, tha ai.

Në një kohë kur Shtetet e Bashkuara po përballen me kritika ndërkombëtare mbi rolin e tyre në botë, zoti Schwarzenegger u përcolli këtë mesazh kritikëve:

"Ne jemi Amerika e cila jep më shumë se çdo vend tjetër për të luftuar sidën në Afrikë dhe në botën në zhvillim. Ne jemi Amerika që lufton jo për imperializëm por për të drejtat e njeriut dhe demokraci.”

Zoti Schwarzenegger u kujtoi delegatëve se kur ai ishte ende i vogël, një pjesë e vendit të tij ishte e pushtuar nga Bashkimi Sovjetik. Ai vlerësoi lart presidentin Bush që ndërhyri në Irak si dhe për luftën kundër terrorizmit.

Njëkohësisht, ai u drejtoi fjalë të ashpra demokratëve, të cilët muajin e kaluar në Boston emëruan senatorin John Kerry si kandidat të tyre.

"Një nga filamt e mij quhet Gënjeshtra të Vërteta. Kështu duhet ta kishin quajtur edhe demokratët kuvendin e tyre," tha ai.

Nga ana e tyre, demokratët thonë se folësit në kuvendin republikan nuk po shprehin pikpamjet dhe vlerat ultrakonservatore të bazës së Partisë Republikane.

Folësja tjetër e rëndësishme mbrëmë ishte zonja e parë Laura Bush. Ajo iu prezantua delegatëve nga Presidenti Bush përmes një lidhjeje televizive satelitore.

Zonja Bush foli për arritjet e burrit të saj si president në fusha të tilla si arsimi, ekonomia dhe shëndetësia.

Ajo e quajti zotin Bush një udhëheqës të fortë dhe të vendosur.

”Brezi i prindërve tanë u përball me tiraninë dhe çliroi miliona njerëz. Tani që ne bëjmë punën e vështirë për të përballuar kërcënimin e sotëm, ne kemi gjithashtu të drejtë të jemi krenarë për faktin që 50 milion më tepër burra, gra dhe fëmijë jetojnë në liri në sajë të Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve tanë.”

Zonja Bush tha se përveç faktit që i janë shtuar thinjat, burri i saj është në thelb i njëjti njeri që ajo e njohu në një darkë në Teksas dhe me të cilin u martua tre muaj më vonë.

”Xhorxhi dhe unë u rritëm në Teksasin perëndimor, ku qielli duket i pafund dhe po ashtu edhe mundësitë. Ai sjell me vete optimizmin dhe sigurinë se e ardhmja do të jetë më e mirë,” tha zonja Bush.

Mbrëmë, delegatët emëruan zyrtarisht Presidentin Bush si kandidat të partisë republikane për një mandat tjetër presidencial.

Zoti Bush ndodhet tani përballë një beteje elektorale që do të zgjasë dy muaj me kandidatin demokrat John Kerry.//ii

XS
SM
MD
LG