Lidhje

Presidenti Bush pranon emrimin për një mandat të dytë  - 2004-09-03


Pa ndonjë opozitë serioze në zgjedhjet paraprake partiake, Presidenti Bush ishte i sigurt se do të emrohej kandidat i partisë së tij për në zgjedhjet presidenciale të nëntorit. Tani, ai përballet me një garë të fortë, me votuesit thuajse të ndarë në mënyrë të barabartë mes tij dhe rivalit demokrat, John Kerry.

Kështu që presidenti shfrytëzoi fjalimin e rastit për të falenderuar republikanët si edhe për të kërkuar mbështetjen e votuesve të pavendosur: “Unë po konkuroj për president me një plan të qartë dhe pozitiv për ndërtimin e një bote më të sigurt dhe të një Amerike më optimiste. Unë, theksoi presidenti Bush, po konkuroj duke mbështetur platformën në një flozofi të mëshirshme konservatore, sipas së cilës qevevria duhet të përpiqet vazhdimisht për përmirësimin e jetës së qytetarëve të saj dhe jo të përpiqet të drejtojë jetën e tyre. Unë mendoj se Amerika dëshiron të ketë një udhëheqje të qendrueshme e parimore dhe kjo është arsyeja që me ndihmën tuaj ne do të fitojmë në zgjedhjet e nëntorit.”

Në fjalimin e tij, presidenti kritikoi Senatorin Kerry se kundërshton reformën në drejtësinë mjekësore dhe legjislacionin që kufizon martesat midis personave të së njëjtës gjini. Ai e akuzoi dyshen demokrate se ndjek politikën e rritjes së taksave dhe të shpenzimeve, ndërkohë që ka votuar kundër shpenzimeve në masën 87 miliardë dollarë për trupat amerikane në Afganistan dhe Irak.

“Rivali im dhe kandidati demokrat për nënpresident kanë votuar kundër këtyre fondeve për plumba, për benzinë, për makina dhe autoblinda. Kur iu kërkua të shpjegonte mënyrën se si votoi, senatori tha: Në të vërtetë unë kisha votuar për ato shpenzime para se të votoja kundër tyre. Atëherë, ai tha se ishte krenar për mënyrën sesi votoi. Por, më pas tha se kjo ishte çështje shumë e ndërlikuar. Asgjë nuk është e komplikuar, tha presidenti Bush, kur bëhet fjalë për të mbështetur trupat tona në fushën e betejës.”

Senatori Kerry thotë se mbështet trupat amerikane, por votoi kundër propozimit për 87 miliardë dollarë për shkak se kërkonte që këto fonde të vinin nga shkurtimet e taksave të bëra nga presidenti dhe jo t’i shtoheshin deficitit federal.

Në çështjet e politikës së brendshme, presidenti foli për sfidat para një bote që po ndryshon në mënyrë dramatike dhe se çfarë do të bëjë ai gjatë katër viteve të ardhshëm për të ndihmuar amerikanët që t’u përshtaten këtyre ndryshimeve.

Presindenti Bush tha se do ta transformojë sigurimin shëndetsor, pensionet dhe kualifikimin e punëtorëve për t’iu mundësuar qytetarëve që të marrin vendime sipas dëshirës së tyre dhe të realizojnë ëndërrat e tyre. Duke vazhduar mbi çështjen mbizotëruese të terrorizmit, presidenti Bush tha se po e ndërtonte një botë më të sigurtëduke qendruar në ofensivë. Ai foli mbi trefishimin e buxhetit për sigurinë kombëtare, ndërkohë që po transormon ushtrinë dhe shërbimet e sigurimit për të luftuar armikun jashtë territorit amerikan, që amerikanët të mos kenë nevojë të ballafaqohen me këtë rrezik në vendlindje.

“Ky moment në historinë e vendit tonë do të mbahet mend përgjithmonë. Brezat e ardhshëm, tha Presidenti Bush, do ta dinë nëse ne ruajtëm besimin dhe mbajtëm fjalën. Ata do ta dijnë nëse ne e shfrytëzuam rastin e prështatshëm për ndërtimin e një të ardhme të sigurt dhe në paqe. Liria e shumë njerëzve dhe siguria e vendit tonë në të ardhmen varet nga ne dhe sot qytetarë amerikanë unë ju kërkoj të qëndroni me mua.”

Presidenti nuk do të humbë shumë kohë pas pranimit të emrimit të partisë republikane por do t’i kthehet shumë shpejtë fushatës zgjedhore. Ai do të mbajë fjalime sot në Pensilvani, Wisconsin dhe Iowa, ku gara është shumë e fortë dhe nesër do të bëjë një turne me autobus në Shtetin Ohajo.

XS
SM
MD
LG