Lidhje

Program i ri për lehtësimin e procedurave të udhëtimit në SHBA - 2004-09-05


Një grupi të përzgjedhur udhëtarësh me avion nuk do t’u duhet më të presin në radhë të gjata, për shkak të intensifikimit të masave të sigurisë në aeroporte. Një program i ri po provohet për t’ua lehtësuar procedurat e udhëtimit personave që përdorin shpesh avionët. Programi i ri përdor biometrikën: shenjat e gishtërinjve dhe skanimin e bebes së syrit, për të verifikuar identitetin e rreth 10 personave që udhëtojnë shpesh me avion.

Shumë prej tyre janë njerëz që udhëtojnë për punë, që mezi presin ta shkurtojnë kohën e harxhuar në radhë të gjata për kontrollin e sigurisë. Departamenti i Sigurisë Kombëtare thotë se kishte më shumë vullnetarë nga ç’i duheshin.

Të premten, Tom Ridge, Sekretari për Sigurinë Kombëtare tha se ai e mbështet me forcë përdorimin e biometrikës për t’i bërë amerikanët më të sigurt.

“Mendojnë se është me të vërtetë mënyra e vetme, mënyra e shekullit të 21-të për të verifikuar identitetin dhe për të shtuar një nivel tjetër mbrojtjeje, ose sigurie”, - tha zoti Ridge.

Programi po vihet në provë në pesë aeroporte amerikane, mes të cilëve edhe ai kombëtar Ronald Reagan, këtu në Washington.

Pjesëmarrësit vullnetarë u dhanë agjentëve federalë informacione të shumta personale. Pastaj atyre iu dha një kartë biometrike. Kur fluturojnë nga aeroporti ku janë regjistruar, ata u nënshtrohen marrjes së shenjave të gishtërinjve dhe skanimit të bebes së syrit që të shihet nëse ato përputhen me të dhënat e kartës. Atyre do t’u duhet gjithsesi t’i nënshtrohen kontrollit të parë të sigurisë në aeroporte, por do të shmangin një kontroll të dytë më të hollësishëm dhe që shpenzon më shumë kohë.

Sipas këtij programi të ri, Sekretari Ridge tha se koha e pritjes për ta është më pak se 10 minuta. Sapo të përfundojë programi i provës dhe të studiohen rezultatet, departamenti do të vendosë nëse ky program duhet të zbatohet edhe në aeroporte të tjera të vendit.// lk //

XS
SM
MD
LG