Lidhje

Uragani Frances dobësohet ndërsa lëviz me ngadalë në mbarë shtetin Florida - 2004-09-05


Uragani Frances është dobësuar ndërkohë që lëviz me ngadalë në mbarë shtetin Florida, duke shkaktuar kudo ndërprejen e energjisë elektrike dhe përmbytje. Uragani pritet të drejtohet nga Gjiri i Meksikës dhe gjatë 24 orëve të ardhshme të godasë përsëri shtetin Florida në pjesën e saj veriore si dhe pjesën jug-lindore të Shteteve të Bashkuara. Korrespondenti ynë, njofton se autoritetet e Miamit po punojnë për të rikthyer energjinë elektrike dhe për të vlerësuar dëmet e shkaktuara nga uragani i dytë më i rëndë që godet Floridën në më pak se një muaj.

Presidenti Bush i shpalli distriktet e goditura nga uragani si zona nën mbrojtjen e qeverisë federale pas katastrofave natyrore, duke bërë që banorët e goditur rëndë të mund të marrin ndihma federale.

Uragani Frances vazhdoi të përshkojë shtetin Florida, duke e goditur atë me erëra të forta si dhe me 20 deri 30 centimentra shi. Në disa zona ka rënë deri në 50 centimetra shi.

Uragani shkaktoi ndërprerjen e energjisë ekektrike për rreth 4 milion banorë në mbarë shtetin. Guvernatori Jeb Bush bëri thirrje për durim dhe i paralajmëroi banorët që të mos dalin nga vend-strehimet deri sa të sigurohen se një gjë e tillë është e sigurtë.

“Ju lutem kini durim. Ndihma do të jetë e shpejtë dhe do të vijë nga mijëra njerëz. Mos harroni se ju dhe familja juaj janë më të vlefshme se sa sendet tuaja personale. Pra mos shkoni në shtëpitë tuaja në se tani jeni në vend-strehime dhe mos dilni nëpër rrugë për t’u kthyer deri sa t’ju thuhet që ta bëni këtë.”

Uragani Frances është një prej stuhive më të ngadalshme që mbahet mënd dhe shkaktoi dëme të mëdha dhe disa vdekje në ishujt Bahamas para se të godiste Floridën. Ugarani qëndroi në ishujt Bahamas për gati 2 ditë, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale.

Frances bëri që të mbylleshin aeroportet në gjithë shtetin Florida si dhe parqet e mëdha të argëtimit, si Disneyworld, që zakonisht janë shumë të zënë në këtë fund javë feste me rastin e Ditës së Punës këtu në Shtetet e Bashkuara.

Frances ishte uragani i dytë më i madh që godit Floridën në më pak se një muaj, pas uraganit Charley, i cili shkatërroi pjesë të Floridës jug-perëndimore muajin e kaluar. Guvernatori Bush tha se shteti do t’i kapërcejë dëmet e shkaktuara nga këto dy stuhi.

“Siç dihet kanë ndodhur disa gjëra që do të shkaktojnë një zbrapsje të përkohshme për ne. Por unë jam shumë optimist rreth së ardhmes ekonomike të shtetit tonë. Ne do të bëjmë të gjitha përpjekjet që së pari të sigurojmë ndihma për njerzit që kanë humbur çdo gjë. Kjo është përparësia jonë kryesore. Pastaj do të vazhdojmë me operacionet e ndihmave për viktimat, të cilat kanë filluar tashmë për viktimat e uraganit Charley.”

Ndërkohë, në Atlantik është formuar një stuhi tjetër, uragani Ivan, i cili ndodhet rreth 1mijë e 900 kilometra në lindje të Antileve të Vogla. Ky është uragani i pestë këtë vit, që konsiderohet si vit me një numër të pazakontë uraganësh. Parashikuesit e motit thonë se uragani Ivan mund të godasë ishujt Karaibe si dhe pjesën jug-lindore të Shteteve të Bashkuara javën e ardhshme.

//ze//

XS
SM
MD
LG