Lidhje

11 shtatori nga objekt uniteti në temë debati - 2004-09-05


Pas një jave bëhen tre vjet nga sulmi më i egër terrorist në historinë amerikane, megjithëse shumë amerikanëve u duket sikur nuk ka kaluar shumë kohë që nga 11 shtatori 2001. Ngjarjet e asaj dite ishin në qendër të vëmendjes së Kuvendit Kombëtar Republikan, ku delegatët dhe zyrtarët e mbledhur në New York kujtuan kurajon, frikën dhe heroizmin, si edhe zemërimin që ngjallën ato sulme.

Ajo ditë ka lënë gjurmë në zemrat dhe mendjet e të gjithë amerikanëve që janë në moshë për të kuptuar. Rudolph Giuliani, që në atë kohë ishte kryetar bashkie i New Yorkut u tha republikanëve në kuvendin e tyre në New York se i kujtoheshin fare qartë ndjenjat që provonte, në rrugët e Manhattanit kur shihte kullat që digjeshin.

“Pa menduar gjatë, vetëm i përfshirë nga emocionet, spontanisht, e kapa nga krahu Bernard Kerikun që në atë kohë ishte shefi i policisë dhe i thashë: ‘Falë zotit, kemi president George Bushin”, - tha zoti Giuliani

Edhe Senatori John McCain i Arizonës, që në vitin 2000 kishte qenë rivali i Presidentit Bush për kandidaturën e partisë republikane për president, u tha delegatëve se pas sulmit ai u bind që kishte marrë vendimin e duhur kur ishte tërhequr atëherë nga gara dhe kishte mbështetur George Bushin.

“E kuptova në atë moment që kisha të drejtë që kisha patur besim tek ai, kur e pashë mbi rrënojat e Qendrës Botërore të Tregëtisë, duke i hedhur krahun një heroi të 11 shtatorit dhe sesi në momentet tona të zisë dhe zemërimit, e forcoi unitetin tonë duke premtuar se do të ndreqte këtë gjë kaq të gabuar dhe se do të luftonte me vendosmëri për vlerat tona të shtrenjta”.

Disa banorë të New Yorkut kanë shprehur indinjatë, duke thënë se republikanët po e shfrytëzojnë tragjedinë për synimet e tyre politike.

Por a duhet të pritet nga partia që ishte në pushtet që të mos krenohet për heroizëm, të mos e përdorë për të krijuar një imazh pozitiv për vendimet e politikës së jashtme që janë marrë që në atë kohë? Ja ç’thotë Stuart Rothenberg, botues i revistës “Rothenberg Political Report”.

“Ngjarjet e 11 shtatorit janë pjesë e historisë amerikane. Ato janë ndoshta momenti më i rëndësishëm i presidencës së George Bushit. Ta lësh mënjanë 11 shtatorin, do të ishte njëlloj sikur të zhdukje një pjesë të historisë. Çështja është a po i veshin republikanët shumë politikisht referencat e tyre për 11 shtatorin, apo thjesht po e identifokojnë veten me to, duke e përdorur në një mënyrë të arsyeshme dhe të ndjeshme?”, - thotë zoti Rothenberg.

Megjithëse është herët të thuhet përfundimisht nëse është gjë e keqe, apo e mirë që të përdorej 11 shtatori, Stuart Rothenberg thotë se referencat e republikanëve për atë ditë nuk ishin të papërshtatshme. Por sesa efekt kishin ato referenca do të shihet kur të numërohen votat pas zgjedhjeve presidenciale.// lk //

XS
SM
MD
LG