Lidhje

Kapet një person që mendohet të jetë ish-zëvendësi i Sadam Husseinit - 2004-09-05


Njoftohet se forcat irakiane me mbështetjen e forcave amerikane kanë kapur sot një person që mendohet të jetë ish-zëvendësi i Sadam Husseinit, Izzet Ibrahim al-Douri.

Një zëdhënës i Ministrisë irakiane të Mbrojtjes, tha se trupat e Gardës Kombëtare u përleshën sot me forcat ekstremiste në Tikrit, duke vrarë rreth 70 prej tyre.

Zyrtarët irakianë thanë se ish-nënpresidenti irakian u arrestua në një klinikë mjekësore, ku mendohet se po kurohej për sëmundjen e leuçemisë.

Zyrtarë të ushtrisë amerikane mohuan se zoti Al-Duri ishte ndaluar nga amerikanët dhe shtuan se nuk mund të konfirmonin në se ai ishte ndaluar nga forcat irakiane. Autoritetet irakiane thonë se kanë marrë mostrën e gjakut nga personi i arrestuar për të konfirmuar në se ai ishte zoti Al-Duri.

Zyrtarët irakianë kishin ofruar një shpërblim prej 10 milionë dollarësh për informacione që do të ndihmonin në kapjen e zotit Al-Duri, të cilin e akuzonin se mbështeste forcat ekstremiste në Irak.

Ndërkohë, një kompani turke transporti tha se do të tërhiqet nga Iraku, pasi forcat ekstremiste rrëmbyen një prej shoferëve të saj dhe e kërcënuan atë se do t’i presin kokën.

Një zëdhënës i kompanisë tha sot në Ankara se shpreson që shoferi të kthehet shëndoshë e mirë në atdhe. Dje, një grup islamik pretendoi se e ka kapur peng shoferin turk dhe u kërcënua se do ta vriste atë, në se punëdhënësi i tij nuk ndalonte punën për ushtrinë amerikane në Irak.

Në një videokasteë, forcat e armatosura, të vetëquajtura Muxhahedinët e Falluxhas, thanë se rrëmbimi ishte një ”paralajmërim përfundimtar” për ata që punojnë për forcat amerikane. Nuk ka patur konfirmime të pavarura lidhur me rrëmbimin, apo identitetin e shoferëve.

//ze//

XS
SM
MD
LG