Lidhje

Ish kryeministri Ilir Meta shpall zyrtarisht shkëputjen nga Partia Socialiste - 2004-09-06


Ish kryeministri Ilir Meta dhe mbështetësit e tij kryen sot ritualin e fundit duke zyrtarizuar ndarjen nga partia socialiste dhe daljen më vete si një forcë e re në skenën politike shqiptare.

Ajo do të ketë emrin e nismës që ndërrmorrën pak muaj me parë, Lëvizja Socialiste për Integrim, kur de facto zgjodhën daljen nga Partia Socialiste dhe nisën haptazi kundërvënien e tyre ndaj drejtuesve aktualë të saj.

Partia e zotit Meta i cili është tashmë kryetar i saj premton të sjellë një filozofi të re politike një platformë të re të zhvillimit të vendit dhe një vizion të ri të integrimit politik, shoqëror e kombëtar të shqiptarëve.

“Levizja Socialiste per Integrim hyn sot ne politiken shqiptare jo si forca politike e radhes e aspak si perpjekje individesh ne garen e protagonizmit qe dominon skenen e politikes tradicionale, por si nje komunitet njerezish vullnetmire e te vendosur, per te sfiduar te shkuaren e per t’i hapur rruge te ardhmes me te mire. Ajo nisi dhe do te jete, levizje e te gjithe shqiptareve, brenda e jashte vendit, te gjithe atyre qe besojne ne vlerat e socialdemokracise, atyre qe besojne se demokracia nuk mund te perparoje pa forca te verteta demokratike, atyre qe besojne se nje shoqeri moderne nuk mund te egzistoje pa respektin per qytetarin dhe forcen e votes se tij."

Por përtej premtimeve për transparencë, luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, mbështetjes së shtetit të së drejtës, terma që përdoren rëndom nga të gjitha partitë të së majtës apo të djathtës, partinë e ish kryeministrit e pret një sfidë e madhe përpara. Zhvillimet e deritanishme të poltikës shqiptare nuk kanë ofruar shembuj mbresëlënës për të gjitha ato forca që kanë dalë nga gjiri i dy partive më të mëdha.

Ish kryeministri Meta u shpreh sot optimist për të ardhmen politike:

"Ne jemi te bindur se shume shpejt udheheqesit e perjetshem, lideret historike, prijesit e konflikteve do te mbeten thjesht dhe vetem nje kujtim i hidhur i ketij tranzicioni. Ne, shqiptaret europiane, kemi forcen per te ndryshuar, per te mos mbetur peng i kercenimit e pushtetit abuziv, korrupsionit dhe botes se krimit. Ndaj ne jemi sot ketu, per te formuar nje vullnet te ri politik, per te luftuar pa kompromis kunder ketyre fenomeneve qe na mbajne peng dhe larg Evropes. Ne nuk mund te lejojme me qe askush t’i ndaje qytetaret e lire te ketij vendi sipas kriterit te pronesise “o me ne o kunder nesh”.

Deri në zgjedhjet e vitit të ardhshëm Lëvizja socialiste për Integrim do të shfrytëzoje në maksimum praninë e ndjeshme me të paktën 10 deputetët në parlament. Por edhe këtu loja e saj politike rrezikon të jetë delikate. Cilat do të jenë raportet e saj me socialistët në pushtet, a do t’i jepte kjo forcë një dorë opozitës në përpjekjet e saj për të rrezuar qeverinë e kryeministrit Nano. Janë të gjithë cështje në të cilat ata do të duhet të lëvizin me kujdes për të siguruar një mbështetje në rritje nga elektorati i majtë por edhe për të mos marrë mbi vete zemërimin e asaj pjese tjetër që mund ti shohë si tradhëtarët e vetë së majtës.

Parlamenti filloi sot punimet me një hartë të re politike ku socialistët kanë humbur kontrollin e tyre dhe arrijnë të sigurojnë shumicën vetëm në saj të aleatëve jo gjithmonë besnik e që shpesh kanë ngritur krye. Aq më tepër tani që e dinë se pa ata pushteti i socialistëve mund të bjerë shumë lehtë.

//ze//

XS
SM
MD
LG