Lidhje

OKB-ja kërkon më shumë ndihmë për gratë - 2004-09-09


Kohët e fundit në Londër u zhvillua Konferenca Ndërkombëtare e Popullsisë, e organizuar nga Fondi i Popullsisë i OKB-së, ku u theksua se ndërsa në disa vende në zhvillim është bërë përparim përsa i përket shëndetit dhe të drejtave të grave, disa vende të zhvilluara kanë mbetur në vend, ose kanë bërë hapa prapa në këtë fushë.

Organizata e Kombeve të Bashkuara thotë se vendet në zhvillim kanë bërë përmirësime të mëdha në fushën e riprodhimit dhe atë të të drejtave të grave. Por kjo organizatë thotë se vendet e pasura kanë dhënë vetëm gjysmën e 6 milionë dollarëve të premtuara për këtë qëllim dhjetë vjet më parë.

Drejtoresha e Fondit të Popullsisë të OKB-së e bëri këtë njoftim kohët e fundit në Londër. Zonja Thoraja Ahmed Obaid foli në një konferencë ku merrnin pjesë organizata jo-qeveritare. Në takimet e zhvilluara me këtë rast, u mor në shqyrtim përparimi për përmirësimin e riprodhimit në mbarë botën deri në vitin 2015.

Në takim u përkujtua 10-vjetori i Konferencës Ndërkombëtare për Popullsinë dhe Zhvillimin në Kairo. Në atë kohë, 179 vende miratuan një plan të OKB-së për përmirësimin e shëndetit, arsimit dhe të drejtave të grave.

Zonja Obaid thotë se një studim i ri i Fondit të OKB-së për Popullsinë tregon se 23 vende kanë bërë më tepër përparim në drejtim të përmirësimit të shëndetit të grave lidhur me riprodhimim. Midis tyre janë Zambia, Bangladeshi, Guatemala, Paraguaji, Peruja, Nepali dhe Filipinet. Por, zonja Obaid thotë se pak përparim është bërë në drejtim të arritjes së qëllimeve të tjera, të përcaktuara 10 vjet më parë. Numri i grave që vdesin gjatë shtatzanisë dhe gjatë lindjes mbetet i lartë. Përveç kësaj, SIDA dhe virusi HIV ka prekur tani një numër më të madh grash dhe fëmijësh se kurrë ndonjëherë.

Raporti studjoi 133 vende me popullsi mbi një milionë banorë. Studjuesit shqyrtuan ritmin e vdekjeve në radhët e nënave dhe fëmijëve në këto vende, politikat kombëtare për ndalimin e shtatzanisë, si dhe numrin mesatar të fëmijëve të prekur nga virusi HIV, ose infeksioni i SIDË-s. Në raportin e OKB-së thuhet se midis vendeve që kanë bërë pak ose aspak përparim në këtë drejtim janë Portugalia, Kuvajti, Shtetet e Bashkuara, Botsvana, Namibia, Senegali dhe Afrika e Jugut.

Zonja Obaid identifikoi tre fusha të rëndësishme për arritjen e synimeve deri në vitin 2015. Mes tyre janë shëndeti më i mirë për nënat, përpjekjet për të luftuar virusin HIV dhe SIDË-n, si dhe mjetet për ndalimin e shtatzanisë dhe përhapjen e sëmundjeve seksuale. Zonja Obaid thotë se shuma e parave që vendet e pasura japin për mjetet kontraceptive në vendet në zhvillim ka rënë me më tepër se 30 për qind, ndërkohë që nevoja për kontraceptivë në vendet në këto vende do të rritet me 40 për qind deri në vitin 2015.

XS
SM
MD
LG